Tematike

Filmi i regjisorit shqiptar nga Zvicra pasqyron traumat e luftës së Kosovës

Fisnik Maxville (Maxhuni): “Lufta me vuajtjet dhe traumat që lë pas, por jo lufta si veprim, aksion, ka qenë në thelb të motivit që më ka shtyrë ta realizoj këtë film”

Fisnik Maxville (Maxhuni) është një emër premtues në kinematografinë zvicerane. Regjisori i ri me rrënjë nga Kosova, ka shënuar deri më sot disa rezultate shumë inkurajuese me filmat e tij, fillimisht dokumentarë dhe së fundi me filmin e tij të parë artistik që mban titullin “The Land within” (Toka, brenda saj). Ky film që flet për pasojat nga lufta në Kosovë, ka fituar çmimin kryesor në festivalin e filmit në Talin (Estoni), i cili i takon kategorisë së parë të festivaleve botërore të filmit. Së fundi, ky film ishte nominuar për çmimin e filmit më të mirë të Zvicrës, në festivalin kryesor të filmit në vend, në Solothurn. Megjithëse nuk mori çmim, vetë përzgjedhja e tij në rrethin e ngushtë të të nominuarve, flet mjaft për cilësinë e krijimit debutues të Fisnikut, në zhanrin e filmit artistik, të metrazhit të gjatë.

Përveç për fushën e filmit, në të cilën ai tashmë ka dhënë mjaft prova cilësie, Fisniku, shtron shumë qartë dhe me elokuencë, në gjuhën shqipe, edhe çështje komplekse që lidhen me artin dhe shoqërinë. Kjo gjë nuk është e nënkuptueshme për një person që gjithë jetën, shkollimin dhe socializimin e ka bërë në Zvicër.

Albinfo.ch: Filmi juaj më i ri “The Land within” është, deri tani, arritja juaj më e madhe në film. Na flisni pak lidhur me motivin që ju ka shtyrë të realizoni këtë film, gjegjësisht çfarë keni dashur të arrini/zbuloni me të?

Fisnik Maxville: Sigurisht, më preokupon shumë çështja e identitetit tim të prejardhjes dhe për këtë arsye më tërheq puna me Kosovën ose në lidhje me Kosovën. Në një kontekst të tillë unë kam qenë i interesuar edhe për fatin e të pagjeturve, nga lufta e fundit në Kosovë. Lufta me vuajtjet dhe traumat që lë pas, por jo lufta si veprim, aksion, ka qenë në thelb të motivit që më ka shtyrë ta realizoj këtë film. Mendoj se ata që duan të mësojnë për luftën, aspektin fizik të saj, mund të kërkojnë xhirime të ndryshme në youtube dhe sigurisht do të gjejnë mjaft. Ndërsa unë kam dashur të nxjerr në pah një dimension tjetër, atë që vjen pas luftës dhe që ndonjëherë tregohet edhe më i rëndë sesa vetë lufta. Pikërisht kjo ka ndodhur në Kosovë dhe kjo dramë që po vazhdon të na ndjekë, është në fokus të filmit tim.

Albinfo.ch: Keni ardhur shumë i vogël nga Kosova dhe deri në adoleshencë keni pasur status refugjati në Zvicër. Jo shumë kohë më vonë, pasi keni mbaruar studimet, ju keni arritur të punoni në Ambasadën e Zvicrës, në Japoni. A na flisni pak për këtë kohë “parafilmike”, çfarë e karakterizon atë dhe sa e ka ndikuar ajo krijimin e personalitetit tuaj?

Fisnik Maxville: Është e qartë: filmin e kam dashur që nga fëmijëria. Por, në kushtet e një fëmije të ardhur në Zvicër si refugjat, duhet të mendoja për një profesion “klasik”, që të siguron punë dhe që sigurisht nuk ishte arti ose më konkretisht, filmi. Për këtë arsye unë kam studiuar deri në master, gjeopolitikën. Me këtë formim profesional, kam konkurruar dhe jam pranuar në punë, në Ambasadën e Zvicrës në Japoni. Jam i kënaqur që kam punuar afër një vit atje por në fund, doli fituese “dashuria ime e parë”, filmi, të cilit ju ktheva pas kësaj përvoje. Mendoja se “kisha të drejtë” për këtë, pasi, unë, si fëmijë refugjatësh fundja, kisha dhënë dëshmi se kisha arritur atë që arrijnë edhe zviceranët që nuk kanë sfond migracioni.

Albinfo.ch: A mund të jetohet në Zvicër nga filmi?

Fisnik Maxville: Fatkeqësisht jo. Gjatë periudhës së punimit të filmit, kur janë ndarë mjetet, mund të jetohet, dmth marrim rrogat mujore nga buxheti i ndarë. Por kjo nuk zgjat shumë kështu që pjesa tjetër e kohës është e rëndë, jostabile, për regjisorin, aktorët dhe stafin tjetër. Për këtë arsye unë angazhohem edhe si konsulent për filmat e regjisorëve të tjerë dhe, së fundi, nga viti aktual akademik punoj edhe si profesor në Shkollën e Lartë të Artit në Gjenevë dhe në Lozanë. Vetëm kështu, kushtimisht, mund të jetohet “nga filmi”.

Albinfo.ch: Pas përvojës me filmin tuaj më të ri, mund të thuhet se tashmë keni një njohje të mirë me filmin e Kosovës, gjegjësisht filmin në gjuhën shqipe. Si e vlerësoni nivelin e këtij filmi aktualisht, cili është niveli e cilat mangësitë e tij?

Fisnik Maxville: Në 5-6 vitet e fundit mund të themi se ka ndodhur një mrekulli me filmin e Kosovës, ai po shënon sukses pas suksesi, duke marrë çmime në shumë festivale të rëndësishme ndërkombëtare. Kosova në këtë drejtim është bërë tashmë një si referencë për filmin e suksesshëm. Shumë e krahasojnë këtë me suksesin që kishte arritur vite më parë kinematografia e Rumanisë. Por unë mendoj se kinematografia e Kosovës ende nuk e ka arritur kulmin, që domethënë se janë shanset që ajo të arrijë edhe më shumë. Unë e shoh vetëm një problem këtu: të huajt ende nuk po depërtojnë për të realizuar filma në koproduksion me Kosovën. Një gjë e tillë do të ishte shumë e nevojshme për kinematografinë kosovare në kuptimin “industrial”, d.m.th. të plasimit të filmit kosovar në botë.

Albinfo.ch: Në një ndarje bazike, njihen dy profile filmash në botë: filmat “blockbuster” (komercialë, kryesisht hollivudianë etj.) dhe “Arthouse”. Ku qëndron Fisniku ose ku synon ai për të ardhmen, në këtë konstelacion?  

Fisnik Maxville: Nuk ka asnjë dilemë, unë qëndroj radikalisht në anën e filmave “Arthouse”, edhe pse ata, zakonisht nuk sigurojnë shifra të mëdha shikuesish sikur filmat Blockbuster. Sigurisht, unë dëshiroj të realizoj filma me buxhet më të lartë, me aktorë të njohur, pro nuk është qëllimi im që të arrij fitime marramendëse e filmat e mi. Zakonisht me Arthouse realizohen rrëfime (story) më interesante dhe unë jam për këtë.

Albinfo.ch: Në filmin më të ri, krahas poetikës dhe gjuhës së simboleve, keni vënë edhe elemente të horrorit dhe të fantazisë. A është kjo gjuhë filmike që e preferoni në gjithë krijimtarinë tuaj apo është rastësi?

Fisnik Maxville: Si gjuhë filmike do të thosha që e kam aplikuar edhe në filma të tjerë, të mëparshëm, dokumentarë. Aq më tepër kjo gjuhë më është dukur më e përshtatshme për një film si ky (Land Within) që flet për vdekje, kufoma, skena tmerri. Për më tepër, mendoj se kjo gjuhë i shkon filmit artistik pasi, për të parë faktografinë rreth luftës ose pasojave të saj, njerëzit kanë mundësi të konsultojnë dokumentet përkatëse ndërsa filmi e jep pamjen artistike të gjithë kësaj.