Tematike

Fitueset e mëdha janë partitë e reja të qendrës

Partia e Liberalëve të Gjelbër dhe Partia Borgjeze Demokratike (BDP/PBD) janë fitueset e mëdha të zgjedhjeve federale 2011

Partia e Liberalëve të Gjelbër dhe Partia Borgjeze Demokratike (BDP/PBD) janë fitueset e mëdha të zgjedhjeve federale 2011.

Ndërsa Partia Popullore (SVP/UDC, e djathta konservative) ka shënuar një rënie të mprehtë, edhe pse mbetet partia më e madhe në vend. Në anën e tyre Të Gjelbrit dhe qendra tradicionale kanë rënë gjithashtu në vështirësi.

Partitë e reja në skenën federale janë Liberalët e Gjelbër dhe Partia Borgjeze Demokratike (BDP/PBD), këto dy parti të qendrës së djathtë shpallen fitueset e zgjedhjeve federale 2011. Liberalët e gjelbër fituan 12 vende nga 200 në Këshillit nacional (Dhoma e Ulët), duke kaluar nga 1.4% në 5.2% të votave në nivelin nacional. Ndërsa, BDP/PBD-ja, e cila u krijua falë ndarjes nga SVP/UDC-ja, mbledh 9 vende, ndryshe 5,2% të votave.

Të dyja palët kanë bërë një përparim të rëndësishëm në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës, sidomos në kantonet e mëdha, siç janë Berna dhe Cyrihu, por ato megjithatë mbesin pothuajse joekzistuese në pjesën frankofone të Zvicrës. Vetëm Isabelle Chevalley (nga kantoni i Vaud-it) mund të hyjë në Dhomën e Ulët për Liberalët e Gjelbër.

Për herë të parë në njëzet vjet SVP/UDC shënon rënie të rëndësishme. Por, edhe pse humbi shtatë vende, ajo mbetet partia më e madhe në Këshillin Nacional të Zvicrës me 55 vende (25.3%, shënon një zbritje prej 3,6%). Ndërsa katër vende kanë kaluar tashmë në duart e partisë së BDP/PBD-së.

Partitë tradicionale, humbësit më të mëdhenj

Themelues i partisë moderne të Zvicrës, Partia Liberale Radikale (FDP/PLR, e qendrës së djathtë) peshon vetëm 14.7% të votave nacionale dhe humb katër vende në krahasim me 2007 (shënon zbritje prej 3%). Simboli i vështirësive të hasura nga kjo parti është presidenti i saj, Fulvio Pelli, i cili u rizgjodh me vetëm 58 vota në kantonin e tij Ticino.

Një tjetër parti tradicionale po ashtu ka pësuar rënie. Fjala është për Partinë Demokratike Kristiane (CVP/PDC, e qendrës së djathtë), e cila ka humbur tri vende (28 vende, shënon zbritje prej 1,5%). Ajo nuk ka joshur më shumë se 13% të votuesve.

Ndërsa, Partia Socialiste është e vetmja parti e qeverisë, e cila nuk vuajti nga paraqitja e partive të reja të qendrës. Pavarësisht nga rënia prej 1.9% në 17.6%, ajo me lehtësi ruan vendin e saj të dytë. Madje ajo arriti të fitojë edhe një vend (44 vende).

Megjithatë, e majta del e dobësuar në këtë legjislaturë, pasi që të Gjelbrit kanë humbur shtatë vende në Këshillin Nacional (13 vende, me një zbritje prej 1,6%). Të Gjelbrit nuk arritën të përfitojnë nga efektet e fatkeqësisë së Fukushimasë, kurse Liberalët e Gjelbër po. Një nga viktimat e njohura është edhe Josef Lang (Zug), i cili përbënte majën e shtizës së Grupit për një Zvicër pa ushtri si dhe për grupin parlamentar të të gjelbërve.

Christoph Blocher humb bastin

Zgjedhjet e Këshillit të Shteteve (Dhoma e Lartë), të cilat zhvillohen në shumicën e kantoneve sipas sistemit të mazhorancës, nuk i mundësuan SVP/UDC-së të realizojë arritjen e pritur.

Mentori i partisë, ish-ministri Christoph Blocher, arriti vetëm në pozitën e tretë në Cyrih. Shanset e Toni Bruner, president i partisë SVP/UDC, për t’u zgjedhur në rundin e dytë në St-Gallen nuk janë shumë të mira. Kurse dy të rëndësishmit e tjerë, Jean-Francois Rimë, në Freiburg dhe Caspar Baader, Basel-Vendi, kanë humbur mundësinë të mbetën në barkë.

E majta, megjithatë shënoi pika, posaçërisht me zgjedhjen në Aargau të socialistes Pascale Bruderer, e cila kryesoi Dhomën e Ulët në vitin 2010. Rezultatet përfundimtare: tashmë në rundin e parë, Partia Socialiste ka siguruar tetë vende, FDP/PLR -ja shtatë, CVP/PDC shtatë, ndërsa SVP/UDC-ja katër dhe të Gjelbrit një.

Në Gjermanisht:

Në frengjisht: