Bota
Florida, me masa për uraganin “Milton”
Stuhia e fuqishme po godet shtetin e Floridës disa ditë pasi uragani ‘Helene’ shkaktoi viktima dhe dëme të shumta në juglindje të Shteteve të Bashkuara
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, anuloi dje një udhëtim të planifikuar në Gjermani dhe Angola, për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara dhe mbikëqyrur reagimin ndaj uraganit ‘Milton’.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, stuhia e fuqishme po godet shtetin e Floridës disa ditë pasi uragani ‘Helene’ shkaktoi viktima dhe dëme të shumta në juglindje të Shteteve të Bashkuara, transmeton albinfo.ch.
Banorët e Floridës po marrin masa për uraganin ‘Milton’, më pak se dy javë pasi shteti juglindor amerikan u godit nga uragani ‘Helene’. “Jam e frikësuar. Është keq. Po evakuohemi në një hotel shumë larg”, thotë Angela Rivera, banore e Floridës.
“Është shumë e frikshme. Në gjithë jetën time, ky është uragani më i frikshëm që kemi pasur ndonjëherë”, thotë Matthew Betta, banor i Floridës.
Uragani ‘Milton’ parashikohet të arrijë në tokë të mërkurën në mbrëmje me erëra më të fuqishme se të uraganit ‘Helene’.
Presidenti Joe Biden shtyu udhëtimin e tij në Gjermani dhe Angola, që ishte planifikuar për të enjten, për të mbikëqyrur reagimin ndaj uraganit.
“Guvernatori i Floridës ka qenë bashkëpunues. Ai tha se ka marrë gjithë masat. Bisedova përsëri me të dhe i thashë se po bëni një punë të shkëlqyer. E falënderova dhe i dhashë numrin tim personal të telefonit”, tha Presidenti Biden.
Me më pak se një muaj para zgjedhjeve, ish-Presidenti Donald Trump ka deklaruar se qeveria federale po bën pak për të ndihmuar viktimat e uraganit.
Kandidati republikan u përpoq të fitonte pikë politike duke i lidhur pretendimet e tij me rivalen demokrate, Nënpresidenten Kamala Harris.
“Ai dhe ajo po dërgojnë qindra miliarda dollarë në vende të huaja. A e dini se çfarë po u japin njerëzve tanë? 750 dollarë”, tha zoti Trump. Zonja Harris e ka akuzuar rivalin Trump për përhapje të dezinformatave.
“Është jashtëzakonisht e papërgjegjshme. Ai e ka për vete, jo për ju. Realiteti është se Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave ka shumë burime në dispozicion për njerëzit në nevojë”, tha zonja Harris.
Ndërsa politikanët shkëmbenin sulme, banorët e Floridës po zbatojnë urdhrat e evakuimit të lëshuara nga guvernatori i tyre, Ron DeSantis.
“Kemi aktivizuar 8 mijë trupa të Gardës Kombëtare për të ndihmuar. Kemi në dispozicion 34 avionë kërkim-shpëtimi. Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë burime para një stuhie”, tha ai.
Pavarësisht tensioneve të raportuara më herët, republikani DeSantis tha se ka marrë mbështetjen e nevojshme nga administrata e Presidentit Biden
Uragani Milton po u afrohet me shpejtësi brigjeve perëndimore të Floridës.
E-Diaspora
-
Video
Kurti mban tubim në Cyrih Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është duke mbajtur tubim në Cyrih të Zvicrës... -
Në Berlin mbahet eventi “Albanian Startups Diaspora Roadshow” -
Amerikë
Studenti shqiptar diplomohet në Akademinë prestigjioze të Detarisë së SHBA-së -
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër -
Zvicër
Ambasada e Kosovës në Bernë me njoftim të rëndësishëm për votimin me postë në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Baume-Schneider, kritike për pagat e larta të sigurimeve shëndetësore Ajo i përgjigjet një raporti se pagat më të larta në kompanitë e mëdha të sigurimeve... -
Zvicra, e dhjeta në mesin e vendeve më të lumtura në botë -
Zvicra synon kthime më të shpejta azilkërkuesve të refuzuar -
Fshati Blatten, një vit pas rrëshqitjes së dheut u rihap pjesërisht -
Ku saktësisht mund të bësh blerje në Zvicër të dielën?












