Lajme
FMN: Ngërçi politik ngadalësoi rritjen ekonomike në Kosovë
Ngërçi i zgjatur politik në Kosovë gjatë vitit 2025 ka ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e inflacionit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se ngërçi politik në Kosovë më 2025 ka ndikuar në rritjen ekonomike.
Në deklaratën përmbyllëse nga vizita në Kosovë, Misioni i FMN-së ka deklaruar se ekonomia ka treguar qëndrueshmëri, por se rritja është ngadalësuar, ndërsa inflacioni është përshpejtuar. Edhe pse perspektiva, sipas FMN-së është pozitive, ende mbesin disa rreziqe negative.
“Përderisa ekonomia ka treguar qëndrueshmëri karshi ngërçit të zgjatur politik, vlerësohet se rritja është ngadalësuar në vitin 2025, ndërsa inflacioni është përshpejtuar dhe deficiti i llogarisë së jashtme rrjedhëse është zgjeruar. Ngërçi politik ka kufizuar avancimin e zbatimit të agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së dhe qasjen në financim të jashtëm”.
FMN-ja ka thënë se ka pasur edhe deficit të llogarisë së jashtme, ndërsa ka vënë re se edhe rritja e pagave reale ka stagnuar.
“Ngërçi i zgjatur politik ka pasur ndikim në rritjen ekonomike te vitit 2025. Rritja është ngadalësuar në 3½ për qind (vit mbi vit) deri në fund të tremujorit të tretë të 2025, nga 4¾ për qind një vit më parë, pasi konsumi privat dhe investimet u dobësuan karshi ngadalësimit të kreditimit dhe rritjes së të ardhurave reale. Rritja e importit të mallrave, veçanërisht e produkteve ne sektorin e energjs, ka çuar në përkeqësim të bilancit tregtar, duke e zgjeruar deficitin e llogarisë së jashtme rrjedhëse në 9.6 për qind të BPV-së, nga 8.4 për qind në vitin 2024.
Ky ndikim i jashtëm i rritjes është kompensuar pjesërisht me rritje të konsumit qeveritar dhe investime publike, me mbështetje të përmirësimit të ekzekutimit të buxhetit. Inflacioni u përshpejtua në 5¼ për qind (vit mbi vit) deri në dhjetor, nga 1.1 për qind një vit më parë, i nxitur nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Punësimi formal ka vazhduar të shënojë rritje, megjithëse rritja e pagave reale ka stagnuar ndërsa papunësia ka mbetur e lartë (10 për qind). Kjo, së bashku me pjesëmarrjen vazhdimisht të ulët të fuqisë punëtore, veçanërisht atë të grave, është indikacion i kapaciteteve ende të pashfrytëzuara në tregun e punës”, thuhet në deklaratë.
Në tabelën e shfaqur në këtë deklaratë, është thënë se sipas analizës preliminare rritja reale e Bruto Produktit Vendor të 2025-s ishte 3.4 për qind, ndërsa për 2026 ka parashikuar rritje 3.8 për qind.
Ajo ka rekomanduar rikalibrim të politikës fiskale për 2026 për ta ulur impulsin fiskal dhe për t’i adresuar disbalancat makroekonomikë. “Në periudhën afatmesme, politika fiskale duhet të ankorohet në një kornizë të bazuar në rregulla, duke balancuar stabilitetin makroekonomik dhe objektivat zhvillimore, ndërkohë që ndërtohen rezervat fiskale. Sektori financiar është në gjendje të mirë, mirëpo rritja e lartë e kreditimit në vitet e fundit kërkon monitorim të afërt të rreziqeve të sektorit financiar. Duke u bazuar në reformat e kohëve të fundit, duhen përpjekje të mëtejshme për të rritur reziliencën sistemike, së bashku me forcimin e mbikëqyrjes. Reformat strukturore, të bazuara në Planin e Rritjes të BE-së, do të gjenerojnë përfitime për rritjen dhe do të zhbllokojnë mbështetje të konsiderueshme financiare të jashtme në periudhën afatmesme”.
Misioni i FMN-së vizitoi zyrtarisht Kosovën nga 3 shkurti deri më 13 shkurt.
Shefi i misionit të FMN-së për Kosovën, David Amaglobeli, kishin mbajtur konferencë për media me ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Aty Ismaili tha gjatë 2025-s, ekonomia e Kosovës dëshmoi qëndrueshmëri të lartë e rritja ka vazhduar me ritme pozitive.
Ai vlerësoi se ekonomia e Kosovës vazhdon të paraqesë qëndrueshmëri dhe ecuri pozitive, duke ndjekur një trajektore të qëndrueshme të rritjes, pavarësisht sfidave dhe rreziqeve të jashtme që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Sektori financiar, veçanërisht ai bankar, mbetet i qëndrueshëm, i kapitalizuar mirë, me likuiditet të lartë dhe me nivel të ulët të kredive joperformuese.
Në përmbyllje, Guvernatori i BQK-së theksoi se progresi i arritur në stabilitetin financiar, mbikëqyrjen, sistemin e pagesave, qeverisjen, integritetin financiar dhe harmonizimin me standardet e BE-së dëshmon përkushtimin e BQK-së për ndërtimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm, transparent dhe modern, në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe prosperitetit të vendit.
Më 2025, Kosova ishte pa institucione për shkak të bllokadave në Kuvend. Zgjedhjet e shkurtit të 2025-s nuk prodhuan Qeveri të re e Kuvendi nuk mori asnjë vendim për shkak të ngërçeve deri në konstituim.
E-Diaspora
-
Ag Apolloni ligjëron në Harvard për mitin e besës shqiptare Ag Apolloni prezanton kërkimin për baladën e besës në Harvard University... -
Zvicër
Koncert festiv në Thun për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës -
Paris
Në Paris shënohet 18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, theksohet miqësia me Francën -
Ansambli “Trojet” shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës -
Të rrëfehesh në gjuhën e shpirtit, pse terapia në gjuhën amtare shëron më thellë
Jeta në Zvicër
-
Gjykata Federale refuzon padinë kundër Zvicrës për masat e COVID-19 Gjykata Federale e Zvicrës ka refuzuar të enjten një padi kundër Konfederatës Zvicerane. Padia ishte ngritur... -
Shefi i Komandës së Operacioneve viziton trupat zvicerane në Kosovë -
Zvicër: Pa rritjen e TVSH-së, modernizimi i ushtrisë mund të rrezikohet -
Këshilli Federal i Zvicrës synon të lehtësojë shkëmbimin e të dhënave midis forcave kantonale të policisë -
Polarizimi politik, një realitet që prek edhe Zvicrën













