Integrimi

Forcohet qendra dhe e majta, izolohet SVP-UDC-ja

Politikanët e rinj shqiptarë të Zvicrës, Zari Xhaferi (SP-PS) dhe Llesh Duhanaj (CVP-PDC) komentojnë zgjedhjet e djeshme

Zgjedhjet për Këshilin Federal (Qeverinë) të Zvicrës që u mbajtën të mërkurën, janë ndjekur me interesim të madh nga i gjithë opinioni zviceran. Ndërsa njerëzit që veprojnë në rrafshe të ndryshme të politikës zvicerane, kanë pasur edhe motivin shtesë për të ndjekur këtë zhvillim, interesin e partisë për të cilën janë të angazhuar.

Zari Xhaferi (Dzaferi) është politikan i ri shqiptar, deputet në Parlamentin e Kantonit të Zugut, ku përfaqëson Partinë Socialdemokrate. Xhaferi, 26 vjeçar, duke folur lidhur me zgjedhjet për Qeverinë e Zvicrës, thotë se ato kanë rrjedhur pothuajse pa asnjë befasi. Kanë fituar ata që ai ka pritur të fitonin dhe e kundërta.

  

“Gjithçka ka ecur ashtu si e kam pritur. Mendoj se edhe dështimi i SVP-UDC-së ka qenë i pritur, për faktin se kjo parti ka luajtur shumë lojëra. Përvetësimi i 260 mijë frangave nga ish kandidaati i kësaj partie, Zuppiger, (që i kushtoi atij me tërheqje) ka qenë njëra ndër këto lojëra të dështuara”, thotë Xhaferi.

Megjithatë, ai ka parë një surprizë të vogël në gjithë këto zhvillime: “Ndoshta është paksa befasuese goditja pas shpine që i ka bërë SVP-ja FDP-PLR-së në përmbyllje të zgjedhjeve. Kjo është edhe një shenjë se politika e SVP-UDC-së ka marrë fund. Deri më tash kjo parti ka pasur sukses vetëm duke politizuar kundër të huajve dhe kundër BE-së. Populli tashmë e ka parë se ajo nuk ka kompetencë për të ngritur tema tjera”, shprehet politikani i ri.

Ai po kështu thekson se fitoret e derivonshme të SVP-UDC-së kanë ardhur si rezultat i shpenzimeve të shumta të kësaj partie në fushatat zgjedhore. “Një gjë e tillë dëshmon se partia në fjalë nuk ka politika që do t`i drejtoheshin shtresës së mesme”.

Në përgjithësei, nënvizon Xhaferi, është rezultat i mirë që tashti kemi “një bundesrat që kontrollohet nga qendra, me tendencë nga e majta”. Atë e gëzon gjithsesi edhe fakti se partia e tij, SP-PS ka ruajtur të dy vendet në qeveri dhe ka shtuar dukshëm numrin e deputetëve në parlament, në zgjedhjet e 23 tetorit.

Ndërkaq, i pyetur rreth reflektimeve në politikën ndaj të huajve që mund t`i ketë përbërja e re e qeverisë, Zariu thotë se mund të bëhet edhe më keq. “Duke kaluar në opozitë, SVP-UDC pritet të intensifikojë edhe më shumë fushatat që drejtohen kundër të huajve”, thotë ai.

Edhe politikani tjetër shqiptar i inkuadruar në politikën zvicerane, Llesh Duhanaj, kryetar i demokristianëve shqiptarë (CDK) që veprojnë në kuadrin e CVP-PDC-së së kantonit të Lucernit, shprehet i kënaqur me rrjedhën e zgjedhjeve për qeverinë e Zvicrës.

“Kam qenë i bindur se SVP-UDC-ja patjetër do të humbte, si pasojë e makinacioneve që bënte”, thotë Duhanaj. Ndërsa sa i përket partisë të cilës i takon, CVP-PDC-së, Duhanaj thotë se ajo në këto zgjedhje ka luajtur një rol konstruktiv. “Kjo është parë më në fund edhe në votimin me shifra rekorde të ministres që vjen nga partia jonë, zonjës Doris Leuthard”, thekson ai, duke iu referuar 216 votave nga 245 të mundshme, që ka marrë Leuthard.

“Për mendimin tim është mirë që me këto rezultate është ruajtur kontinuiteti. Zvicrën e pret një kohë jo e lehtë, ndikimi i krizës globale këtu mund të vijë së shpejti. Prandaj në kohë krize nuk preferohen ndryshimet. Udhëheqja e deritashme e shtetit deri diku ka dëshmuar një nivel të mirë, kështu që asaj duhet t`i besohet drejtimi i qeverisjes.

Edhe politikani i ri demokristian nga Kantoni i Lucernit thotë se me këto zgjedhje është forcuar e majta dhe qendra. Dhe kjo është diçka që i duhet Zvicrës. “Për mua kjo është ajo `formula magjike` e përshtatur rethanave të reja, ose konkordanca që po përmendet kaq shumë. Ky raport forcash ka dalë edhe nga zgjedhjet nacionale të 23 tetorit dhe është reflektuar edhe në qeveri. Fundja, as formula magjike nuk është e përjetshme. Ajo, në fakt nuk ka ekzistuar në fillimet e demokracisë zvicerane por është zbuluar në vitin 1959”.

Ndërsa, lidhur me ndikimin eventual që përbërja e re mund të ketë në politikat ndaj të huajve, Duhanaj është optimist i matur. “Qeveria në përbërjen e re, pritet të jetë më e prirur edhe për qasje pozitive ndaj të huajve. Natyrisht, duke kërkuar edhe nga të huajt angazhim të shtuar. Me rëndësi është që politika që ndjek shumica në qeveri, është më shumë e orientuar nga zgjidhjet se sa nga polarizimet”, përfundon Llesh Duhanaj, kryetar i CDK-së, Lucern.