Sport
Futbolli, mollë sherri mes komunës Emmen dhe të rinjve shqiptarë
Dy të rinj shqiptarë duan të themelojnë një klub shqiptar të futbollit. Por, duket se kjo gjë nuk është aq e lehtë në Emmen të Lucernit...
Vahid Gjuraj dhe Dritan Sylejmani janë të rinj, 27 gjegjësisht 26 vjeçarë, të cilët pothuaj gjithë jetën deri tash e kanë të lidhur me Zvicrën. Vahidi ka ardhur këtu në moshën 7 vjeçare ndërsa Dritani si 3 vjeçar. Këtu kanë ndjekur gjithë shkollimin.
Ata dy udhëheqin zyra kontabiliteti gjegjësisht sigurimesh, në Emmen të Lucernit. Prandaj, nisur nga arsimimi dhe pozicioni i tyre në shoqërinë e këtushme duhet të konsideroheshin si shembuj të suksesshëm të integrimit. Por, atyre nuk u mjafton kjo. Vahidi, i cili për disa vite ka luajtur si futbollist profesionist në SC Kriens dhe Dritani që është vetëm dashamir i futbollit, duan që integrimin ta zgjerojnë edhe më tutje, te shqiptarët tjerë, moshatarët e tyre.
Dy të rinjtë kanë menduar se më së miri do t`i kontribuonin këtij integrimi duke themeluar një klub futbolli.
“Ne kemi dashur të krijojmë një klub të futbollit dhe pasi për këtë i kemi plotësuar kushtet e nevojshme, si statutet etj. kemi kërkuar edhe lejen për shfrytëzimin e fushave të futbollit të komunës. Dhe, komuna na e ka dhënë lejen, më 30 mars 2012…”, tregon Dritani.
Por, pikërisht këtu ndodh thyerja!
Pasi që kërkesa për regjistrim të klubit FC Dardanët përcillet në Federatën e Futbollit të Zvicrës Qendrore (IFV) për procedim të mëtejshëm, has sharra në gozhdë.
Kush është kompetent për lejimin e fushës?
“Urs Dickerhof, i cili është kryetar i federatës dhe njëkohësisht anëtar i ekzekutivit të komunës Emmen, ku drejton financat, na e ka bllokuar punën”, sqaron Vahidi. Sipas tij, Dickerhof, nga SVP, është njeri i fuqishëm dhe me ndikim të madh në regjion.
“Ai, duke ushtruar funksionet e përmendura dhe duke pasur edhe biznese private në këtë komunë, përmes lidhjeve klienteliste e ka imponuar vendimin për moslejimin e regjistrimit të klubit shqiptar” me arsytimin, se këshilli i komunës (ekzekutivi) e ka për detyrë të japë lejen për fushat. “Por përse atëherë ekziston shefi i sportit në komunë, kur nënshkrimi i tij nuk paska as nje vlerë?”, pyesin dy të rinjtë.
Me ndikimin e Dickerhofit, është i bindur Gjuraj, ekzekutivi i Emmenit i ka dërgon atij një letër ku e njofton se kërkesa hidhet poshtë. Sipas letrës, IFV nuk parasheh themelimin e klubeve të futbollit në baza etnike, me lojtarë me prejardhje të huaj. Por, kjo federatë ndërkaq lejon themelimin e ekipeve të futbollit nga të huajt (në kuadrin e klubeve vendëse). Njëkohësisht në përgjigje thuhet se vendimi i përgjegjësit për sport të komunës Emmen për të lejuar themelimin e KF “Dardanët” nuk është valid.
“Rregullorja thotë se lejen duhet ta japë autoriteti kompetent komunal ndërsa përgegjësi sportiv nuk është autoritet komunal”, thuhet në përgjigjen negative. Si rezultat, leja e tillë anulohet nga këshilli i komunës.
Publicitet i madh në mediet zvicerane
Ky ndryshim qëndrimesh i bën të zëshëm Vahidin dhe Dritanin: “Përse na e kanë lejuar njëherë dhe pastaj e kanë tërhequr mbrapshtë lejen e dhënë?”, është pyetja e tyre që ende nuk po merr përgjigje.
Ndërkohë gazetat si “NLZ”, “Tages Anzeiger” dhe “20 Minuten” kanë raportuar gjerësisht lidhur me rastin. Një pjesë e opinionit është shprehur tashmë në favor të misionit të dy djemve të rinj shqiptarë nga Emmeni.
I kontaktuar nga albinfo.ch, Dickerhof arsyeton qëndrimin e tij ngjashëm me atë të vendimit që hedh poshtë lejimin e shfrytëzimit të fushave të futbollit të komunës.
“Nuk është detyrë e komunës Emmen të lejojë themelimin e klubeve. Secili mund ta themelojë klubin ose shoqatën e tij. Po ashtu në komunën Emmen nuk është kërkuar themelimi i KF “Dardanët”. Kërkesa është bërë vetëm për shfrytëzimin e fushave të futbollit nga ky klub. Kërkesa e miratuar nga zyra e sportit është vlerësuar si jovalide nga Federata e IFV. Kjo kërkesë për shkaqe të kapacitetit hapësinor është hedhur poshtë nga këshilli i komunës”, thotë Dickerhof i pyetur se si ka mundur të ndodhte që leja e dhënë njëherë, të tërhiqej më vonë.
Ndërsa pyetjes sonë se a është themelimi i një klubi të këtillë në kundërshtim me ligjin, Dickerhof i përgjigjet me një: jo. “Kur një klub dëshiron të shfrytëzojë infrastrukturën që i takon komunës, ai duhet t`i drejtojë asaj një kërkesë të pajisur me nënshkrim valid. Për tu pranuar një klub futbolli në Federatën e Futbollit të Zvicrës, duhet të plotësohen parakushtet statutare. Mes tjerash aty bën pjesë edhe fusha e futbollit”, ka qenë përgjigja e radhës e Dickerhof.
Dickerhof: “Dardanët, të luajnë në kuadër të klubeve vendëse por jo si klub i pavarur”
© albinfo.ch
Por, lidhur me atë se si do të shkojë më tutje puna e FC “Dardanët”, respektivisht cila është oferta që komuna dhe IFV i ofrojnë atij, Dickerhof mbetet në qëndrimin fillestar. “Ne u kemi ofruar përgjegjësve të “FC Dardanët” që të integrohen në njërin nga dy klubet e futbollit: SC Emmen ose SC Emmenbrücke, si ekip, skuadër (por jo si klub më vete). FC Emmenbrücke është e gatshme ta pranojë ekipin e “FC Dardanët”.
Mundësia për të luajtur futboll, pra, është ofruar. Aktualisht luajnë katër skuadra me të huaj në SC Emmen dhe në FC Emmenbrücke. Kështu, do të ishte optimale që atyre tu bashkohet edhe FC Dardanët”, përfundon Dickerhof.
Por për Dritanin dhe Vahidin, një gjë e tillë është punë që s`bëhet. Ata thonë se, në radhë të parë, nuk është IFV ajo që jep lejet për fushat e sportit të komunave. Pastaj për ta, kushtet që u janë ofruar janë diskrimnuese. “Merre me mend, ata jo vetëm që nuk na e lejojnë themelimin e klubit, por, duke na detyruar të hyjmë në kuadrin e klubeve ekzistuese, na dëmtojnë nga shumë aspekte. Në një rast të tillë ne duhet të heqim dorë nga 40 për qind e sponsorimeve tona, të cilat duhet t`ia dorëzojmë klubit amë”, ankohen Vahidi dhe Dritani. Ata po ashtu kundërshtojnë atë që e quajnë kushtëzim nga Dickenhof: “Dardanët” duhet të furnizohen me rekuizitat e futbollit vetëm në shitoren sportive, pronar i të cilës është Dickerhof!
Veç kësaj, dy bashkëbiseduesit tanë janë ndjerë keq nga trajtimi siç thonë ata, fyes që u ka bërë Këshilli i Komunës. “Na kanë thirrur vetë për të biseduar, ndërsa kur kemi shkuar, pasi na kanë lënë të presim 40 minuta, na kanë trajtuar pa respekt, duke mos dashur t`i dëgjojnë argumentet tona”, thonë ata, të indinjuar.
Dhe, pavarësisht nga të gjitha këto, dy të rinjtë këmbëngulin: “Federata e Futbollit të Zvicrës lejon themelimin e klubeve të mëvetësishme të futbollit nga të huajt. Kështu, ne jemi në të drejtën tonë dhe do të shkojmë deri në fund”.
Po ashtu ata thonë se në klubin e tyre të ardhshëm, dyert do të jenë të hapura edhe për futbollistë joshqiptarë.
“FC “Dardanët” nuk do të ketë kufizime nga aspekti etnik, konfesional ose çfarëdo tjetër. Të gjithë ata që kanë vullnet dhe dashuri për futbollin, janë të mirëseardhur në klubin tonë”, thonë Vahidi dhe Dritani.
Edhe pse të vetëdishëm për pengesat, pasi që po provojnë të bëjnë diç që nuk ka pasur deri më tash në regjionin e tyre, ata janë të bindur se do t`ia dalin.
“Sepse dikush duhet të jetë i pari!”, mendojnë ata.
Implikohet edhe Kuvendi Shqiptar
Lidhur me rastin “Emmen” është përfshirë edhe Kuvendi Shqiptar. I pytur nga albinfo.ch, kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Jeton Kryeziu, avokat, pohon se janë duke u marrë edhe me këtë rast.
“Disa ditë pas zgjedhjeve të Kuvendit, na kanë informuar mbi një rast në qytetin e Emmen ku Klubit Futbollistik (KF) “Dardanët” i është refuzuar autorizimi për klubin, kurse disa muaj më herët e kishin fituar atë. Për dy ditë, Kuvendi është marrë me këtë çështje në mënyrë shumë profesionale me përpilimin e akteve juridike që t’iu mundësohet udhëheqësve të klubit ta rifitojnë autorizimin. Procedura është në vijim”, përfundon Kryeziu.
Të tjera nga Sport
E-Diaspora
-
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane Prej më shumë se dhjetë vitesh, familja Markaj në Obersiggenthal e shndërron oborrin e saj në... -
Themelohen “Oda e Grave Shqiptare në Zvicër”, organizatë për fuqizimin e grave -
Arrestohet një kosovar në Suedi, i dyshuar për përfshirje në trafikim droge -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
3eni.com, aty ku Arben “Beni” Myftari bashkon artin, teknologjinë dhe shpirtin
Jeta në Zvicër
-
Çmimet e sigurimeve të makinave në Zvicër po rriten për shkak të kostove të riparimeve Çmimet e sigurimeve të makinave pritet të rriten përsëri vitin e ardhshëm. Arsyeja kryesore janë kostot... -
Friburg: Këshilli i Shtetit kundër fondit publik të sigurimit shëndetësor -
Dy të tretat e zviceranëve mbështesin taksën mbi biletat e avionit -
Çfarë do të jetë më e shtrenjtë dhe më e lirë në Zvicër në vitin 2026? -
Më pak vende pune dhe më shumë papunësi në sektorin bankar zviceran













