Lajme

Futbollistja Riola Xhemaili reagon kundër fyerjeve mbi baza kombëtare

Lojtarja e re e Zvicrës, me rrënjë kosovare, po fyhet për shkak të përkatësisë kombëtare. Këtë e bëjnë njerëz nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe nga Zvicra

Riola Xhemaili është lojtare e ekipit kombëtar të futbollit të Zvicrës. Vajza me rrënjë nga Kosova (Gjilani) ka shënuar arritje të mëdha në futbollin zviceran të femrave. Dy vjet më parë ajo qe zgjedhur Personalitet i Vitit në lëmin e sportit nga redaksia e albinfo.ch. Së fundi ajo ka ngjallur interesimin e mediave zvicerane me një deklarim të saj në rrjetet sociale.

Lojtarja 21-vjeçare e kombëtares zvicerane të futbollit flet për anën e shëmtuar të rrjeteve sociale në Instagram dhe bën thirrje për t’i dhënë fund urrejtjes lidhur me origjinën e saj, shkruan 20minuten.ch.

Riola Xhemailit i ka ardhur “në majë të hundës”! Ajo ngrihet dhe mbrohet. Me fjalë emocionuese, top talentja e futbollit zviceran ka shkruar në Instagram: “Po gjykohem prej disa vitesh për atë që jam dhe atë që bëj”.

Kjo është një risi për 21-vjeçaren, e cila aktualisht është huazuar te Eindhoveni holandez nga Wolfsburgu gjerman. Në Instagram, Xhemaili, ndryshe, shfaqet e qeshur dhe me humor të mirë. E tillë ishte deri në postimin e saj të fundit në Insta: “Nuk kam komentuar kurrë për atë se si ndihem apo çfarë mendoj lidhur me këtë”, transmeton albinfo.ch. “Megjithatë, nëse familja ime ofendohet javë pas jave dhe unë kërcënohem, atëherë kjo po teprohet”.

Riola përdor fjalë të guximshme për t’u mbrojtur nga urrejtja e madhe që ajo dhe familja e saj po përjetojnë çdo ditë prej muajsh. Ajo tregon për fyerje të panumërta të ndyra që mund të gjenden në postimet e saj në rrjetet sociale. Përfaqësuesja e re e Zvicrës, me rrënjë nga Kosova, po fyhet për shkak të përkatësisë kombëtare. Këtë e bëjnë njerëz nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe nga Zvicra.

Bëhet fjalë për shpifje në lidhje me origjinën e saj. Ajo quhet “bastard”. Etiketohet kështu duke ia përmendur faktin se ajo mund të ketë një pasaportë zvicerane, por ajo “me siguri nuk është zvicerane”. Këto janë vetëm disa shembuj. Por fyerjet që janë edhe më të këqija…

Xhemaili shkruan në Instagram se është mirënjohëse për faktin që ka mundur të rritet në Zvicër, që familja e saj ka gjendje të mirë dhe të gjithë kanë një punë të shkëlqyer dhe se ka mundur të mësojë në mënyrë perfekte gjermanishten zvicerane. “Unë po luaj për Zvicrën për të treguar se jam mirënjohëse”, thotë lojtarja e Nati-t. Ajo dëshiron t’i kthejë diçka Zvicrës, përcjell albinfo.ch. “Jam krenare dhe e bekuar për çdo ndeshje që mund të luaj me Zvicrën”.

Më pas ajo i drejtohet komunitetit nga Shqipëria dhe Kosova. “Rrënjët e mia vijnë nga Kosova. “Kjo do të jetë gjithmonë kështu dhe nuk do të ndryshojë kurrë”, shpjegon Xhemaili. Pastaj ajo mbron prindërit e saj, sepse edhe ata janë në shënjestër të urrejtjes. Ata akuzohen se nuk ia kanë shpjeguar origjinën vajzës së tyre: “Kjo është e padrejtë ndaj tyre. Ata gjithmonë janë përpjekur të më shpjegonin se për çfarë duhet të jem mirënjohëse”. Ata gjithashtu janë siguruar që ajo të mos i harronte kurrë rrënjët e saj.

Eriona ka një dëshirë të madhe: “Të gjithë të ndajmë të njëjtat vlera dhe të mos përhapim urrejtje të panevojshme ndaj njerëzve që nuk i njohim!”, thotë ajo. Xhemaili merr shumë mbështetje për deklaratën e saj të guximshme. Poshtë postimit të saj janë radhitur deklarata të shumta pozitive. Veç kësaj, deklarata e saj është shpërndarë me dhjetëra herë. Veç të tjerëve, këtë e kanë bërë edhe lojtarja e Nati, Meriame Terchoun ose ish-lojtarja Rachel Rinast.

21-vjeçarja thotë se ishte e emocionuar nga reagimet e mëdha pozitive. “Komentet janë shumë mbresëlënëse”, thotë ajo. “Ato janë shumë të këndshme për t’u lexuar”.