Futboll
Viti i artë i Riola Xhemailit
Riola Xhemaili, pas shumë sukseseve të arritura gjatë vitit që po ikën, është zgjedhur Personalitet i Vitit 2022 për sport, nga platforma mediale Albinfo.ch.
E lindur në Solothurn të Zvicrës, mesfushorja me rrënjë shqiptare ka pasur një rritje spektakulare në futbollin elitar qysh si adoleshente. Riola Xhemaili, edhe pse vetëm 19-vjeçare, tashmë ka shënuar rezultate të larta. Ajo është pjesë e njërës nga ligat më të mira në botë. E konsideruar si një nga premtimet e mëdha të Evropës, Xhemaili, futbollistja kryesore e Freiburgut në Bundesligë, njëherësh është pjesë e rëndësishme e kombëtares Zvicerane.
Riola Xhemaili ka kaluar një vit të pasur me ngjarje futbolli. Në një intervistë për albinfo.ch, ylli zviceran i futbollit ka treguar se viti 2022 ka qenë një vit i ngjeshur me shumë aktivitete sportive. “Një vit i suksesshëm për mua si 19-vjeçare, nuk ka qenë gjithçka e lehtë, ka pasur edhe faza kur jam përballur me vështirësi në arritjen e qëllimeve të mia”, thotë Riola Xhemaili.
Dhe, në fakt, viti i 2022 është vit i artë i Riola Xhemailit, sukseset e furishme të saj në futbollin evropian, bënë që talenti i saj të vihet në pah jo vetëm në Zvicër, por edhe në Evropë. Çmimet që iu ndanë asaj gjatë vitit 2022, përfshirë këtu edhe Trofeun e Talentit të Gala Mbrëmjen për Gratë nga “Mundo Deportivo” nga duart e të nderuarës zonja Laura Vilagrà, Ministre e Presidencës së Generalitat de Catalunya, ishin vlerësim për punën dhe talentin e një ylli që po shndrit në futboll.
“Titujt për mua janë një motiv shtesë për të arritur edhe me tepër në karrierë. Çmimi nga Albinfo.ch si personalitet i vitit në sport për mua është një motiv më shumë, për të arritur edhe më shumë suksese. Ky çmim do të më afrojë edhe më shumë me shqiptarët. Edhe pse nuk do ta përfaqësoj Kosovën, e di se shqiptarët do të jenë krenarë të më shohin si shqiptarja e vetme që do të debutojë për ekipin e kombëtares së Zvicrës”, thotë ylli i kombëtares zvicerane, Riola Xhemaili.
Ka qenë edhe kontributi i saj i çmueshëm që ka bërë që Zvicra të kualifikohej në kampionatin Botërorin që do të mbahet më 2023 në Australi dhe Zelandë të Re. “Konsideroj se pjesëmarrja në kampionatin Botëror në vitin 2023, do të jetë një hap shumë i madh në karrierën time në futboll”, shprehet Riola për albinfo.ch.
Riola Xhemaili, më shumë se një talent
Riola Xhemaili, talentja që premton shumë në futbollin evropian, me prejardhje nga Gjilani, karrierën e saj në sport e kishte nisur me sportin e rrjetës, volejbollin. Arsyeja e kalimit të saj ne futboll ka qenë dashuria e madhe për futbollin.
“Futbollin e dua me zemër, jam rritur me futboll, në familjen time futbolli është pjesë që na ka shoqëruar që nga fëmijëria”, tregon për albinfo.ch Riola. “Shtytës kryesor për mua për të arritur suksese në futboll ka qenë babai im, ai ka qenë njeriu kryesor që me ka ndihmuar dhe frymëzuar për të ecur tutje drejt majave të futbollit. Jam shumë krenare me të arriturat e mia, me sukseset e mia kam bërë krenare të gjithë familjen, e në veçanti babin tim i cili dha gjithçka për suksesin tim në futboll” shprehet për albinfo.ch Riola.
Ishte vetëm 11 vjeçare kur vendosi të i bashkëngjitej ekipit të vëllait të saj binjak, „FC Solothurn“. Futbollistja e talentuar tregon për albinfo.ch se në takimin e parë me klubin u kishte thënë se dëshiron te luajë futboll por që ende nuk e ka të qartë ofsajdin. “Dua të luaj futboll, por që rregullat dhe ofsajdin ende nuk i kam të qarta”, u kishte thënë drejtuesve të klubit Riola.
Ngjyrat e klubit të qytetit ku ishte rritur i përfaqësoi për katër vjet, deri kur i erdhi një kërkesë që t`i bashkohej klubit të superligës, “FC Basel”. Ajo e kishte pranuar me kënaqësi ftesën, me idenë se do të jetë pjesë e ekipit të femrave. Por kërkesa nga drejtuesit e klubit ishte që Riola të ishte pjesë e ekipit të meshkujve në “FC Basel”.
Nuk ishte e zakontë që një vajzë të ushtronte me djemtë, por për Riola Xhemailin ishte një mundësi për të kundërshtuar paragjykimet dhe për të treguar talentin e saj. Pas vetëm tri ndeshjesh ajo kishte arritur të merrte shiritin e kapitenit.
“Jam e vetmja femër në historinë e klubit të Baselit që kam luajtur në ekipin e meshkujve”, tregon Riola.
Puna dhe talenti i saj, sukseset e treguara në fushën e gjelbër, bënë që paragjykimeve t’u vinte fundi.
Ajo u bën thirrje femrave që ta duan futbollin, dhe të luajnë qoftë në ekipin e meshkujve apo femrave. “Loja në ekipin me meshkujve do të ju bëjë më të fortë. Luani me djem dhe pastaj kaloni tek ekipi i vajzave dhe mos u ndalni me talentin”, shprehet ajo.
Futbollistja e kombëtares zvicerane thotë se në futboll është e rëndësishme inteligjenca e jo forca. “Forca në fushë nuk është çdoherë kryesorja, nëse posedon inteligjencën e futbollit, atëherë do të arrish të jesh e rëndësishme në fushë”, thotë futbollistja.
Jeta e saj dhe familja
Riola rrjedh nga një familje futbollistësh, ngase babi dhe xhaxhai i saj kanë qenë futbollistë të karrierës. Riola është lindur dhe rritur në Solothurn të Zvicrës, së bashku me motrën më të madhe dhe vëllain binjak. Babi i Riolës ka të përfunduar Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, mami i saj është punëtore prodhimi e orëve zvicerane.
Riola me profesion është bankiere, por aktualisht është e angazhuar vetëm si futbolliste profesioniste. Ajo mendon që pas përfundimit të karrierës në futboll, në të ardhmen të jetë trainere e futbollit. Ajo tregon se tashmë ka filluar me licencat e para të UEFA-së.
Shtysë e madhe për t`iu përkushtuar futbollit, pa dyshim ishte vëllai i saj binjak, me të cilin ajo është e lidhur shumë. Që nga ekipi i qytetit ku u rritën “FC Solothurn”, kalimi në Basel bashkë me të, bënë që të dy të jenë për gjashtë vjet së bashku të lidhur edhe me futbollin. Kalimi i saj në ekipin e Freiburgut në Bundesligë, nuk ishte i lehtë për asnjërin. “Vëllai im më ka ndihmuar shumë për t’u ngritur profesionalisht”, tregon ajo. Ne kemi qenë në garë me njëri-tjetrin gjatë të gjitha ndeshjeve, kjo na ka ndihmuar të jemi edhe më të fortë në fushë. Ai edhe sot më ndjek në çdo ndeshje që unë zhvilloj, duke më sugjeruar se ku do të duhej të isha më e mirë. “Kjo më ndihmon shumë, ai është meritor që unë sot të kem këto rezultate që kam arritur, i jam mirënjohëse për ndihmën që unë të jem gjithnjë e më e përgatitur për ndeshjen e radhës”, thotë Riola. Ne jemi shumë të lidhur, flasim çdo ditë duke u konsultuar se si të veprojmë që të jemi edhe më në formë.
Mirënjohëse ndaj Zvicrës, krenare që jam shqiptare
Kosova është edhe shteti im. Unë jam rritur në Zvicër, Zvicra më ka ofruar të gjitha mundësitë për shkollim dhe karrierë në futboll. I jam mirënjohëse shtetit zviceran. Jam krenare që do ta përfaqësoj Zvicrën, por në të njëjtën kohë, jam shumë krenare që jam shqiptare. Nuk ndjehem ende e përgatitur për të biseduar për një kalim të mundshëm në reprezentacionin e Kosovës.
Një motiv më shumë…
Çmimi nga Albinfo.ch si personalitet i vitit në sport për mua është një motiv më shumë, për të arritur edhe më shumë suksese. Ky çmim do të më afroj edhe më shumë me shqiptarët. Edhe pse nuk do ta përfaqësoj Kosovën, e di se shqiptarët do të jenë krenarë të më shohin si shqiptarja e vetme që do të debutoj për ekipin e kombëtares së Zvicrës.
Teksti & fotot: Armend Berisha
Të ngjashme
Të tjera nga Futboll
E-Diaspora
-
Rama takon diasporën shqiptare në Selanik, pritet me protesta nga nacionalistët grekë Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po qëndron në Selanik të Greqisë në kuadër të turit të...
-
“Hendbolli na bashkon” u mbajt në St. Gallen
-
Ardon Jashari fiton trofeun e tij të parë në FC Brugge
-
Kurti bashkëbisedoi me sipërmarrëse, profesioniste dhe akademike nga diaspora jonë në Zvicër
-
Interlaken: Numër i lartë i mërgimtarëve mirëpritën Kurtin
Jeta në Zvicër
-
Eksperti zviceran për Covid bën thirrje për kujdes në rekomandimet e vaksinimit Në intervistë, Berger bën thirrje gjithashtu që personat me komplikacione pas vaksinimit të merren seriozisht...
-
Zvicër: Regjistër të gjendjes civile për të lejuar drejtshkrimin më të saktë të emrave të huaj
-
Sa njerëz “të varfër” jetojnë në Zvicër dhe ku?
-
Prodhuesi gjerman i veturave pritet të mbyllë fabrikat edhe në Zvicër
-
Vaksinimi kundër gripit është sërish po aq i popullarizuar sa para pandemisë