Kosova

Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës

Ganimet Shala është asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lublanës, themeluese e Shoqatës së Grave Shqiptare “Teuta”, aktiviste e fuqishme për komunitetin në diasporë, që po ndërton ura bashkëpunimi mes Kosovës dhe Sllovenisë

Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve po arrijnë suksese në diasporë, duke u bërë emra të njohur në skenën politike dhe jo vetëm. Sllovenia pa dyshim se është një nga shtetet evropiane, ku mundësia e arsimimit, punësimit, depërtimit në karrierë dhe formimit profesional e etik është e madhe.

Arritjeve të shqiptarëve në Slloveni pa dyshim i shtohet edhe Ganimet Shala, e cila ka hyrë në histori si asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e qytetit të Lubjanës.

 

 

Nga Kosova, per t’u bërë storie suksesi në Slloveni

E lindur në Pejë, por e rritur dhe e shkolluar në Lubjanë, Shala përfaqëson gjeneratën e mërgimtarëve që arritën të gërshetojnë rrënjët shqiptare me përvojën evropiane. Fillimet në Slloveni nuk ishin aspak të lehta, kujton Ganimetja.

“E nisa shkollimin në vitin e pare të gjimanazit, në moshën 14 vjeçare, një periudhë delikate për çdo të ri. Përveç moshës, gjithçka ishte e re për mua, gjuha, kultura dhe mënyra e jetesës. Megjithatë, me përkushtim dhe punë të vazhdueshme, ia dola ta tejkaloj çdo vështirësi”.

Vlen të theksohet se Ganimeti është magjistre në “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci” dhe ka një karrierë mbi 29-vjeçare në sektorin publik slloven, ndërkohë që Telekomi i Sllovenisë ishte puna e parë e saj që i solli shumë suksese.

“Telekomi ishte për mua edhe një shkollë e re, një familje e re. Aty kam mësuar çfarë do të thotë kultura e punës. Sllovenët janë shumë seriozë, punëtorë, secili e di përgjegjësinë e vet.” rrëfen ajo revisten Albinfo.ch.

Në fakt, Ganimet Shala nisi punën në Telekomin e Sllovenisë, si praktikante në “call center”, dhe pas disa viteve përkushtim, ajo u avancua deri në pozitën e menaxheres së disa kompanive bijë. “Në dhjetor të vitit 2025 do të mbush plot 30 vjet stazh pune të rregullt në këtë kompani,” shton ajo me krenari.

 

 

Jeta profesionale në politikë

Paralelisht me karrierën profesionale, Shala ka qenë gjithmonë aktive në jetën shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve në Slloveni. Ajo është themeluese e Shoqatës së Grave Shqiptare “Teuta”, anëtare nderi e Shoqatës “Migjeni”, si dhe kryetare e Unionit të Shoqatave Kulturore Shqiptare në Slloveni.

Në vitin 2022, ajo kandidoi për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të Sllovenisë, duke hyrë në histori si kandidatja e parë shqiptare për deputete dhe njëkohësisht si asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës për mandatin 2022–2026.

“Jam tejet mirënjohëse dhe krenare, ky titull bart në vete shumë përgjegjësi. Një pjesë të madhe të kohës ia kushtoj qytetarëve që më kanë votuar, megjithatë jo gjithçka është në dorën time.”

 

 


Përfaqësuese e një vizioni gjithëpërfshirës

Për Ganimet Shalën, hyrja në politikë nuk ishte thjesht ambicie personale, por një nevojë për të qenë zë i komunitetit shqiptar, duke mbrojtur edhe interesat e qytetarëve të tjerë sllovenë.

“Shqiptarët janë ata që fal tyre unë sot jam këtu ku jam, por nuk përfaqësoj vetëm shqiptarët, përfaqësoj të gjithë banorët e Sllovenisë,” shprehet ajo.

Vlen të theksohet se në partinë e Tanja Fajonit (Social Demokratët), Shala është pjesë aktive e grupeve që trajtojnë politikat banesore, çështjet ndërkombëtare, si dhe trafikun dhe sektorin publik në qytet. Nga viti 2024 ajo është edhe anëtare e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës, një arritje e rrallë për një shqiptare në diasporë.

 

 

Zëri i Kosovës në arenën evropiane

Një ndër temat që Shala ka ngritur shpesh është nevoja për njohjen e patentave të Kosovës në Slloveni, si dhe mundësia për blerjen e pasurive të paluajtshme nga shtetasit kosovarë me leje qëndrimi të përhershme.

“Presim që procesi i njohjes së patentave të Kosovës të mbyllet deri në fund të këtij viti,” thotë ajo, duke shtuar se çështja e pasurive të paluajtshme është më e ndërlikuar dhe lidhet me statusin ndërkombëtar të Kosovës.

 

“Emri dhe problematika e Kosovës rrallë dëgjohen në Parlamentin Evropian. Prandaj i bëj thirrje institucioneve të Kosovës që të jenë më aktive në anëtarësime dhe marrëveshje ndërkombëtare.”

 

 

Një zë gruaje që ndryshon perceptime

Të depërtosh në skenën politike sllovene nuk është e lehtë, veçanërisht për një grua shqiptare. Megjithatë, Ganimet Shala e sheh këtë si një sfidë të mundshme, nëse punon me përkushtim dhe profesionalizëm.

“Nuk është e lehtë, por as e pamundur. Sllovenia është një demokraci stabile, por sistemi i saj politik mbetet mjaft konkurrues dhe relativisht i mbyllur ndaj figurave të reja. Për ne shqiptarët, si një komunitet i vogël, kërkon kohë dhe punë për të fituar besimin e elektoratit vendas,” thotë ajo.

Sipas saj, njohja e mirë e gjuhës sllovene, angazhimi në komunitet dhe përvoja institucionale janë çelësi për t’u pranuar dhe respektuar.

“Duhet ndërtuar kredibilitet përmes veprimeve konkrete, për çështje sociale, integrim, barazi gjinore. Kështu krijohet një imazh publik i besueshëm. Jam e lumtur që angazhimi im politik i bën të ndihen krenarë edhe bashkëkombësit e mi,” shton Shala, për revisten Albinfo.ch.

 

 

Shoqata “Teuta”, kur bashkimi i grave bëhet forcë

Përveç politikës, Ganimet Shala ka dhënë kontribut të veçantë në fuqizimin e grave shqiptare në Slloveni, përmes Shoqatës së Gruas Shqiptare “Teuta”, të cilën e themeloi me qëllimin për të thyer stereotipet dhe për të ndërtuar një imazh të ri të gruas shqiptare në sytë e shoqërisë sllovene.

“Kjo nismë lindi nga dëshira për ndryshim. Qëllimi ishte forcimi, përfaqësimi dhe bashkëpunimi midis grave shqiptare, fuqizimi ekonomik e social, promovimi i arsimit dhe barazisë gjinore, por edhe ruajtja e kulturës dhe gjuhës sonë,” tregon ajo.

Shoqata “Teuta” bashkon gratë shqiptare më të suksesshme në Slloveni, duke krijuar hapësira për bashkëpunim, mentorim dhe ngritje personale.

“Donim t’i tregojmë shoqërisë sllovene se gruaja shqiptare nuk është thjesht ajo që shëtitet me karrocë në park, por një grua e angazhuar, profesionale dhe e përkushtuar në shumë fusha të jetës,” shton Shala me bindje.

 

 

Sfidat e grave shqiptare në diasporë

Si pjesë e diasporës, gratë shqiptare në Slloveni përballen me sfida të shumta, nga barrierat gjuhësore e deri te integrimi kulturor dhe ekonomik.

“Shumë gra punojnë në sektorë me paga të ulëta ose pa kontrata të rregullta. Kjo i bën më të pambrojtura ekonomikisht dhe më të varura nga familja. Mungesa e gjuhës, njohjes së ligjeve dhe arsimimit i pengon të marrin pjesë aktive në jetën publike,” shpjegon ajo.

Shoqata “Teuta” punon për ta ndryshuar këtë realitet, duke ofruar kurse falas të gjuhës sllovene, mentoring dhe këshillim, si dhe aktivitete kulturore e edukative.

“Organizojmë trajnime për të drejtat e grave, barazinë gjinore, të drejtat në punë dhe mbrojtjen ligjore nga diskriminimi apo dhuna. Inkurajojmë pjesëmarrjen e tyre në forume, debate dhe këshilla lokale. Por gjithçka nis nga vetë grate, nga gatishmëria për t’u përfshirë e për të besuar në veten e tyre,” shton ajo.

 

Mesazhi për vajzat shqiptare në botë

Në fund të intervistës, Ganimet Shala ndalet te forca e brendshme që çdo grua mbart në vetvete dhe dërgon një mesazh të fuqishëm për vajzat shqiptare kudo në botë:

“Mos lejoni frikën t’ju ndalojë. Është normale të ndiheni të pasigurta, por kujtoni pse nisët këtë udhëtim. Guximi nuk është mungesë frike – është zgjedhja për të ecur përpara, pavarësisht saj.”

Me një gjuhë të ngrohtë e përfshirëse, ajo vazhdon: “Të largohesh nga shtëpia kërkon më shumë se një valixhe, kërkon zemër. Mbani rrënjët në shpirt, por lërini degët të prekin qiellin e ri që keni zgjedhur. Çdo hap që bëni, edhe kur dridheni, është dëshmi e forcës që keni brenda vetes. Mos u ndalni, sepse bota ka nevojë për dritën tuaj.”

Me pak fjalë, historia e Ganimet Shalës nuk është thjesht rrëfimi i një karriere të suksesshme, por i një filozofie jetësore, të punosh me përkushtim, të ruash rrënjët e tua dhe të ndërtosh ura midis kulturave.