Kosova
Gazetaria në Ballkan, vegël në shërbim të elitave politike
Cili është ndikimi i mediave në gjuhën e raportimit që nxit nacionalizmin, dhe inkurajon gjuhën e urrejtjes duke bazuar narracionin në stigmatizim përmes stereotipizimeve.
Trajtimi i të kaluarës nga mediet në vendet e ish-Jugosllavisë, ka qenë temë e debatit që u zhvillua sot, në kuadrin e aktiviteteve përcjellëse të festivalit të filmit dokumentar “DokuFest” në Prizren, shkruan albinfo.ch. Debati është mbajtur në ambientet e hamamit të Gazi Mehmet Pashës, të përshtatur si hapësirë për aktivitete kulturore e të tjera.
Debatin e ka shpallur të hapur udhëheqësi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, Bekim Blakaj, i cili pastaj i ka lënë panelistët Valeria Hopkins, Agon Maliqi dhe Vesna Jovic të shpërfaqin pikëpamjet e tyre mbi temën dhe të debatojnë mes vete.
Cili është ndikimi i mediave në gjuhën e raportimit që nxit nacionalizmin, dhe inkurajon gjuhën e urrejtjes duke bazuar narracionin në stigmatizim përmes stereotipizimeve? Si të ballafaqohemi me trendet e reja në komunikim, media tradicionale, mediat sociale si dhe mediat gjithnjë e më shpesh të kontrolluara nga shteti? Këto kanë qenë pyetjet e shtruara të cilave tre panelistët kanë mëtuar t’u gjejnë përgjigjet.
Sipas panelistit nga Prishtina, Agon Maliqi, përgjegjësia që bartin për krijimin e atmosferës së urrejtjes mediat e vendeve të dala nga ish-Jugosllavia është e padiskutueshme. Ato janë të shumtën vegla në duart e elitave përkatëse politike të cilave u konvenon mbajtja e gjendjes së urrejtjes në mes të popujve të kësaj hapësire.
Ai ka theksuar se kriza financiare që ka kapur gazetarinë pas përhapjes së medieve sociale e ka mprehur edhe më shumë problemin, shkruan albinfo.ch. Tani mbijeton vetëm ai medium që pranon të vihet në lojën e senzacionalizmit ose që bëhet vegël në duart e politikës në fuqi. Fundja, ka thënë Maliqi, historia në Ballkan ka qenë gjithmonë çështje e fuqisë politike dhe jo e pasqyrimit të së vërtetës.
Qasje të ngjashme patën edhe dy pjesëmarrëset tjera në panel. Valerija Hopkins, e cila ka njohuri të thelluara të realitetit në vendet e Ballkanit ka shprehur brengosjen e saj për, siç ka thënë ajo, realitetet e izoluara në të cilat jetojnë komunitetet në Kosovë. Këtë e ka mbështetur në përvojat e saj nga takimet me serbë lokalë që jetojnë në Graçanicë. Vetëm 5 kilometra nga kryeqyteti, Prishtina, ata nuk e kanë idenë se çfarë zhvillohet në kryeqytet, ka thënë veç tjerash Hopkins.
Ndërsa Jovic ka ballafaquar opinionet në Beograd e ato në Prishtinë, duke theksuar se në Beograd gazetaria e pavarur mbijeton me shumë vështirësi për shkak të presionit të politikës, shkruan albinfo.ch Së këndejmi, edhe të perceptimi i krijuar prej kohësh mbi shqiptarin si armik, nuk mund të bjerë në këto kushte dhe rrethana.
Ajo është treguar kritike edhe ndaj politikanëve të huaj, perëndimorë, të cilët, sipas saj, nuk interesohen shumë për të depërtuar në thelbin e problemeve. Në këtë kontekst, analistja nga Beogradi i ka vënë në thumb të kritikës politkëbërësit nga Evropa të cilët kanë shpejtuar për ta shpallur “proevropiane” dhe “të moderuar” politikën e drejtuar nga presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe kryeministrja, Brnabic.
Në një debat të gjallë e konstruktiv është përfshirë edhe publiku, i pranishëm me numër të madh në sallë.
E-Diaspora
-
Merita Pinta, një zonjë e fortë, me shumë merita Ka themeluar dhe drejton një kompani me dy shtëpi për të moshuar. Albinfo.ch e ka zgjedhur... -
Aktorja Fatlume Bunjaku do ta përfaqësojë Shqipërinë në “European Shooting Stars 2026” -
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi
Jeta në Zvicër
-
Punëtori i ndërtimit bie në kafazin e ashensorit, plagoset rëndë Punëtori ka rënë nga lartësia më shumë se 20 metra, në fund të kafazit të ashensorit.... -
Prokuroria e St. Gallenit ndëshkon një pasagjer treni për racizëm -
Taksa Kantonale e Aargaut do të ulet me 8 pikë përqindjeje -
Nigeriani padit në Strasburg policinë e Cyrihut -
Vit i vështirë në industrinë e orëve, më pak vende pune











