Lajme
Getoizmi nga BE, irriton kosovarët
Disa të rinj ka mbajtur një aksion simbolik, duke gozhduar në mure pasaportat e improvizuara kosovare në shenjë zhgënjimi me Brukselin
Vendimi i djeshëm i Këshillit Evropian për t’ia vazhduar edhe më tej “embargon” për vizat qytetarëve të Kosovë, ka sjellë zhgënjim në Prishtinë. Disa të rinj ka mbajtur një aksion simbolik para zyrës së BE-së në Kosovë, duke gozhduar në mure pasaportat e improvizuara kosovare në shenjë zhgënjimi me Brukselin.
“Pas dështimit të diplomacisë kosovare në UNESCO dhe duke mos sjell asnjë njohje të re për shtetin e Kosovës, ky është dështimi i radhës, dhe para popullit dhe rinisë ata duhet të japin përgjegjësi”, kanë thënë të rinjtë e partisë opozitare NISMA. Sipas tyre, për getoizimin e Kosovës, fajet i ka edhe Qeveria e Kosovës.
Ndërkaq, më i irrituar nga vendimi i BE-së është shprehur zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi. Ai ka akuzuar BE-në lidhur me vonesat për liberalizimin, duke e quajtur provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë së lidershipit në Bruksel. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Thaçi ka paralajmëruar edhe protesta para zyrës së BE-së në Prishtinë.
Por, kundër këtij rebelizmi janë deklaruar analistët në Prishtinë, të cilët fajësojnë pikërisht Thaçin dhe Qeverinë për dështimin në çështjen e liberlazimit.
Analisti Halil Matoshi në një prononcim për “Zeri” thotë se është ide trishtuese të ngresh shqiptarët kundër Evropës, kundër idesë dhe thelbit të saj vetëm e vetëm për shkakun se ka dështuar Thaçi në përmbushjen e kritereve dhe standardeve për Schengen të bardhë.
“Njeriu që ka dështuar është pikërisht ky që sot po i nxit shqiptarët kundër Evropës, pas 103 vjetësh përkujdesjeje të Evropës Perëndimore për shqiptarët, për kombformimin dhe shtetformimin e tyre më 1912 dhe për çlirimin, shtetformimin dhe kombformimin e kosovarëve 1999-2008. Thjesht ankimi në Evropën si relikt i enverizmit është një marrëzi, për më keq, një ulërimë mosmirënjohëse”, ka thënë ai.
Kurse, analisti Imer Mushkolaj thotë se qytetarët nuk duhet ta marrin seriozisht thirrjen e Thaçit për të protestuar para zyrës së Bashkimit Europian në Prishtinë. Sipas tij, kjo deklaratë e numrit dy të Qeverisë është më shumë për konsum të brendshëm.
“Para se të bëjë thirrje për protestë ai duhet të marrë përgjegjësinë për dështimin e këtij procesi. Nuk besoj se ndonjë nga qytetarët duhet të marrë seriozisht thirrjen e Thaçit pasi që po tregohet jashtëzakonisht hiprokrit me këtë qasje”, ka thënë ai.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni ka mbajtur takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në Prishtinë. Në takim Hyseni u zotua se Kosova do t’i përmbush kriteret për liberalizimin e vizave
Ministri Hyseni tha se tashmë është vënë nën kontroll çështja e migrimit ilegal të kosovarëve dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të adresojë në afat të gjatë shkaqet e migrimit. “Kosova nuk duhet të mbetet vend i vetëm i izoluar, dhe liberalizimi i i vizave është në dobi të qytetarëve të vendit”, tha ministri Hyseni.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se dokumenti i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, nuk është dokumenti përfundimtar në bazë të së cilit vendoset për liberalizimin e vizave.
“Më kanë njoftuar se dokumenti, i cili është dhënë dje, nuk është dokument që vlerëson çështjet e liberalizimit të vizave. Është dokument i cili është i lidhur me zgjerimin dhe se vlerësimi lidhur me plotësimin e kushteve për liberalizim, do të jepet në ditët në vijim. Po ashtu i kam shprehur edhe shqetësimet dhe brengosjen tonë lidhur me vonimin e këtij procesi”, ka thënë Mustafa, në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të shpjegojë pse shtetasit e Kosovës po privohen nga e drejta për të lëvizur pa viza, tash e pesë vjet.
“Është mirë që edhe kolegët tonë evropian ta kenë këtë parasysh. Në qoftë se ka zëra se ka korrupsion, ka krim të organizuar, le të ndëshkohet politika kosovare. Por, mjaft me ndëshkimin e qytetarëve tanë. Le t’ua ndalin vizat politikanëve, prej meje e me radhë. Të gjithë ne i gëzojmë vizat dhe i kemi ato”, ka thënë Veseli.
E-Diaspora
-
Dhuna në familje: shenjat, frika dhe parandalimi – përkrahja në Zvicër Në këtë intervistë, Blertë Berisha nga DOA (Dachorganisation Frauenhäuser Schweiz und Liechtenstein) flet për shenjat e... -
Reperi EAZ publikon këngë në mbështetje të Përparim Avdilit -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Rusi
Ramë Lahaj performon në Rusi, promovon kulturën dhe këngën shqipe -
Gjermani
Dy qytete në Gjermani drejt hapjes së shkollave shqipe
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva merr fitime të papritura nga SNB Kantoni i Gjenevës po merr fitime të papritura nga banka qendrore. Banka Kombëtare Zvicerane do ta... -
Qiratë e reja pak më të ulëta në tremujorin e katërt të vitit 2025 -
Policia e Cyrihut forcon masat kundër kërcënimeve ideologjike -
Studimi: Tokat e Evropës janë 70 përqind të mbuluara me pesticide -
Karnavalet zvicerane forcojnë masat e sigurisë nga zjarri pas tragjedisë në Crans-Montana











