Muzikë
Gjenevë: Një trio interkulturale për integrimin
Marco Zappa: cantautor; Mimoza Nazarko : këngëtare lirike; Ilir Kryekurti: baterist
U desh një ditë nëntori që të tre muzikantët: dy shqiptarë dhe një tiçinez të gjendeshin së bashku në Gjenevë. Nga ky takim një «bebe» lindi. Me përkrahjen e pakursyer të Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës iu mjaftuan vetëm pesë muaj për të «ngritur më këmbë beben» e tyre. Dhe erdhën këtë 6 prill përpara publikut gjenevez me beben të burrëruar e të bukur, për të çuar hov zemrat e shqiptarëve të Gjenevës, për të zgjuar kujtimet dhe emocionet e fjetura, siç do shprehej një spektatore.
Ajo pjesë publiku paksa sqimatare gjeneveze që pati fatin të ndodhej në këtë koncert, mundi të shijonte këtë bashkëpunim zvicerano-shqiptar me repertor të gjërë këngësh shqiptare, italiane, franceze dhe angleze. «Respekt dhe mirënjohje për vendin ku jetojmë, Zvicrën, që na mundëson ruajtjen dhe pasurimin e kulturës sonë në bashkëveprim me kulturat e tjera», do të shprehet Mimoza.
Në homazh të artistëve shqiptarë që kanë lenë gjurmë në historinë e muzikës shqiptare, koncerti çelet me «Valsin e lumturisë» për të mbushur sallën me zërin e fuqishëm të Mimozës me timbrikën e saj të kthjellët. Marco, që komunikon në frëngjisht me publikun frëngjisht-folës të Gjenevës, shpjegon fillesën e orkestracionit të tij për «Kur bie fyelli e çiftelia». Admirues i artistes sonë të madhe Vaçe Zela, ai sjell një orkestrim origjinal e të personalizuar (ndihet «vula» Zappa).
Së pari donte ta këndonte në qytetin e artistes, Lushnjë (në shenjë homazhi për Të). Rrethana teknike nuk ia ofruan këtë mundësi. Por kjo nuk pengoi këngën të merrte «rrugën» e për t’u kthyer në një hit. Suksesi i saj është përherë i padiskutueshëm: së pari për adhurimin që publiku shqiptar ushqen gjithmonë për Vaçen e madhe, së dyti, edhe respekti që Marco i imponon publikut me personalitetin e tij muzikor e human. Në variantin e koncertit tonë, në të ndërthuren bukur teksti shqiptar-italian-francez, që provokon një emocion më vete.
Tre perla të Ardit Gjebresë të fillim-viteve ’90, kur ai i fali skenës shqiptare «Projekt Jon» album-kult i kohës, që lidhi aq bukur influencën e muzikës tradicionale shqiptare me tingujt e instrumentave ballkanikë e mesdhetarë, prekur edhe nga tendencat e kohës së muzikës internacionale, duke sjellë hite rock e pop do vijnë në këtë koncert me të njëjtën ndjeshmëri, modernitet e bukuri nga tre artistët tanë. Tre perlat janë: «Ja ku jam», «Të kam shpirt», «Xhixhile».
Vend i është lënë edhe këngës «Fshatarja ime» të Sabri Fejzullahut, mbështetur në intonacionet popullore dhe e sjellë në variant pop-folk, si dhe repertorit tjetër kosovar: «Molla», «Moj bjondinë», «Zotëria juaj».
Punë të bukur dhe profesionale kanë bërë artistët. Për të paraqitur atë repertor të zgjedhur me kujdes të veçantë, për të prekur trevat e muzikës shqiptare me repertor nga Shqipëria si edhe nga Kosova, me një ritmikë të rrjedhshme emocionale. Këngët franceze dhe angleze, nuk mungojnë gjithashtu. Por këngët e Marcos qenë ato që i veshën kryekëput tisin e bukurisë koncertit. Marco ka një karrierë muzikore pas tij, që e kalon gjysmën e shekullit. Tre këngët e tij të koncertit në duo me Mimozën « La Rondine », « Attimi » dhe « Che sia il caffè » kërkuan jo pak punë që të vinin në publik me përkthime e harmoni tri-gjuhësore: italisht-shqip-frëngjisht. Ai është tepër kërkues. Qëllimi i vetëm: komunikimi dhe afërsia e artistëve me publikun. Pastaj, ai këndoi në të gjitha këngët shqip me Mimozën, gjë që i shtoi akoma më shumë sharmin këtij koncerti.
Publiku jetoi nën ritmin e artistëve : herë-herë duke kërcyer e kënduar nën tingujt e këngëve ritmike dhe intensive, herë-herë në heshtje përpirëse, për të admiruar romantizmin dhe muzikalitetin e Marcos e Mimozës, kombinimin absolut të të dy zërave të tyre.
Marco cantautor, multi-instrumentist nuk ndalet vetëm në interpretim. Inteligjenca e tij emocionale, idetë e tij multi-kulturale, shpirti i tij i hapur ndaj të gjitha kulturave i japin atij këtë dimension shumë ngjyrësh artistik, shoqëruar me një energji të pashtershme. « Nuk mund të ndjeja lodhjen time me zhvendosjet nga Gjeneva ku jetoj, në Lugano për prova », thotë Mimoza. « Kur shihja Marcon, dashurinë dhe respektin e tij për këngët shqiptare, orkestracionet tona, energjinë e tij, me të cilën na i kalonte ne dy të tjerëve, lodhja më fashitej dhe në vilën e tyre familjare, më dukej se ndodhesha në Pogradecin e Elenës, gruas së Marcos ».
Dy shokë fëmijërie, Mimoza e Ilir, që kanë ndarë jetën e tyre artistike nëpër festivalet e Shqipërisë, Teatrin e Estradës së Tiranës dhe koncerte jashtë Shqipërie, së bashku me gjysmë-shqiptarin zviceran (jam nga fshati i gruas, themi ne), bëhen kjo urë lidhëse midis vendeve, midis kulturave, duke përcjellë mesazhe të forta harmonie dhe bashkëpunimi të dimensioneve universale.
Do përmblidhja këtë koncert me fjalët e një spektatoreje: «…sa emocione të bukura na përcollët, me treshen tuaj – një sintoni e vërtetë», për të vazhduar me një tjetër spektatore po aq të nderuar «Duhet ta vazhdoni këtë bashkëpunim».
Sa më shumë koncerte të tilla cilësore, sa më shumë emocione të bukura, artistët tanë!!!!
Të ngjashme
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
KQZ: Afër 64.000 votues nga diaspora janë regjistruar për të votuar Deri më tani kanë aplikuar për regjistrim 63 mijë e 997 nga diaspora për zgjedhjet e... -
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Kërkohet kontrollim më i mirë i letërnjoftimeve të të huajve Një studim i porositur nga SEM ka zbuluar se autoritetet përgjegjëse nuk e verifikojnë sistematikisht vërtetësinë... -
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026 -
Zvicra nënshkroi kontratën për tetë avionët e parë F-35
















