CH-Ballkani

Gjermania kërkon në Kosovë ekspertë të IT-së, inxhinierisë dhe bujqësisë

Përveç infermierëve edhe një numër i madh i punëtorëve nga sektorë tjerë priten të nisen drejt Gjermanisë nga Kosova

 

 

Gjermania është duke kërkuar një numër të madh të punëtorëve që të punojnë në mënyrë legale. Raportohet se 40 mijë infermierë janë duke i kërkuar, kurse qindra kanë shkuar nga Kosova dhe një numër i madh është i interesuar të shkojë për të punuar në Gjermani, raporton “KTV”.

Vlerësohet se rreth 500 infermierë nga Kosova do të nisen drejt Gjermanisë, kurse numri i të interesuarve është shumë i madh, përcjell albinfo.ch.

Pas pak kohësh do të nisin edhe trajnimin dhe dërgimin në punë në shtetin gjerman të interesuarve edhe nga disa sektorë të tjerë, ku shteti gjerman i ka kërkuar. Derisa numri i kompanive që po merren me trajnimet dhe dërgimin e të rinjve profesionalë ka shënuar rritje, Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale tek tash ka arritur të funksionalizojë Agjencinë e Punësimit.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi është shprehur se janë mbi 14 mijë vende të punës dhe do të nisin trajnimet në fusha të shumta. Ekspertë të IT-së, inxhinierisë dhe bujqësisë, janë disa nga sektorët ku kërkohen më shumë punëtorë.