Tematike

Gjykata Federale ia heq kosovarit shtetësinë zvicerane: martesë fiktive

Gjatë kontrollimeve, policia kishte konstatuar se kosovari nuk kishte asgjë të përbashkët me gruan, falë të së cilës kishte fituar "letrat"

Sapo kishte marrë pasaportën e Zvicrës, falë martesës me një grua zvicerane, ai kishte kaluar të jetonte te mikesha e tij në Kreuzlingen. Çështja e kosovarit të dyshuar për martesë fiktive ka shkuar deri në Gjykatën Federale. Kjo e fundit, siç shkruan St.Galler Tagblatt, ka marrë përfundimisht vendimin që atij t`i mohohet e drejta për shtetësi.

Kosovari ishte martuar që në vitin 1997 në Konstancë (Gjermani) me një zvicerane. Bazuar në këtë martesë ai ka fituar të drejtën e qëndrimit në Zvicër, në kantonin Thurgau dhe banonte në Kreuzlingen. Në vitin 2002 ai kishte berë një kërkesë për shtetësi zvicerane. me atë rast të dy partnerët nënshkruan deklaratën se ata jetonin në një partneritet të vërtetë, në bashkësi martesore dhe pa synime për tu ndarë.

Në vitin 2003 ai e merr pasaportën zvicerane ndërsa një vit më vonë kapet nga policia gjermane në tregti me drogë, me ç`rast dënohet me katër vjet e gjysmë burg. Gjatë hetimeve të bëra në banesën ku ishte i paraqitur, autoritetet konstatojnë se ai, gjashtë muaj para se të fitonte shtetësinë zvicerane, krahas banesës me gruan ligjore, kishte edhe një banesë tjetër, ku jetonte me një studente norvegjeze, e cila po qëndronte ilegalisht në Zvicër.

Gjatë kontrollimeve dhe përgjimeve të shumta, policia kishte konstatuar se kosovari nuk kishte prej vitesh asgjë të përbashkët me “gruan” e tij, falë të së cilës kishte fituar “letrat”. Asnjë objekt ose veshje e tij nuk gjendej në banesën që ende ishte në emrin e tij. Po ashtu përgjimet e policisë kishin gjetur se vetura e tij nuk ishte parkuar asnjëherë para banesës “së tij”. Çdo gjë që kishte, ndodhej në banesën e re.

Nga ana tjetër gruaja e tij “me letra” nuk dinte asgjë për burgosjen e tij, gjë që për organet ndjekëse ishte një indikacion i rëndësishëm për të konstatuar se martesa e tyre ishte fiktive. bazuar në të gjitha këto, Gjyqi Administrativ Federal në vitin 2008 kishte shpallur të pavlefshme shtetësinë e tij zvicerane.

Pas ankesës së bërë, edhe shkalla më e lartë e gjyqësisë, Gjykata Federale ka vërtetuar vendimin e administratives. Me këtë, ai i ka shterruar të gjitha mundësitë juridike për të mbrojtur statusin shtetësisë zvicerane.

Thelbësor për Gjykatën Federale kishte qenë fakti se kosovari, në mënyrë të dëshmuar, vetëm pak muaj pas marrjes së shtetësisë në rrethana lehtësuese, kishte filluar një lidhje jashtëmartesore dhe ishte tërhequr për të banuar te partnerja e re.

Për këtë arsye në këtë rast nuk mund të bëhet aspak fjalë për një martesë të rregullt në kohën e fitimit të shtetësisë, ka përfunduar gjykata.