Kosova
Gresa rrëfen përballjen e saj me shqiponjën e malit
“Gjatë eksplorimit në disa terrene të vështira të Bjeshkëve të Rugovës, kam hasur në vendin e Shqiponjës së Malit. Përballja me të ishte një ndjenjë e veçantë”
Shqiponja e Malit të cilën ne e njohim si “Shqiponja e Flamurit” – duke e identifikuar si simbol kombëtar të shqiptarëve, është ndër shpezët më të mëdhenj të familjes së shqiponjave.
Fatkeqësisht pothuajse në tërë Evropën, e po ashtu edhe në vendet shqipfolëse në Ballkan, si pasojë e gjuetisë së paligjshme, numri i tyre ka rënë ndjeshëm, duke u llogaritur si kafshë në zhdukje në këto treva.
Gresa Berisha nga Peja, është një fotografe e pasionuar e Botës së Egër apo ajo që njihet si “Wildlife Photography”.
Duke qenë se është rritur rrëzë Bjeshkëve të Rugovës, lehtë të merret me mend se këto bjeshkë përrallore janë zonat më të dashura të eksplorimit nga ana e saj.
Duke kombinuar dy nga hobit e saj, ecjen në natyrë dhe fotografinë, në një nga ekspeditat e saj, ajo zë në objektivin e saj atë që shumë fotografë ëndërrojnë.
“Gjatë eksplorimit në disa terrene të vështira të Bjeshkëve të Rugovës, kam hasur në vendin e Shqiponjës së Malit. Përballja me të ishte një ndjenjë e veçantë. E lumtur pafundësisht që arrita të dokumentoj prezencën e simbolit tonë kombëtar në Kosovë” shprehet për albinfo.ch, Gresa pas takimit me këtë zog gjigant, ku kishte arritur t`i bënte disa fotografi mjaft cilësore.
Tashmë në trevat shqiptare është formuar një grup fotografësh të Botës së egër, për të cilin albinfo.ch ka shkruar rregullisht, duke marrë pjesë kështu në dokumentimin dhe promovimin e bukurisë së botës së egër edhe në vendlindje.
Për Gresën, ndër të paktat vajza të këtij grupi, fotografimi dhe dokumentimi i botës së egër është diçka e veçantë, pasi i është përshtatur personalitetit të saj si eksploruese, duke treguar kështu edhe dashurinë e saj ndaj natyrës dhe kafshëve të egra në veçanti.
Marrjen me këtë zhanër të fotografisë, ajo e konsideron mjaft sfiduese për një femër në Kosovë. Mirëpo duke pasur përkrahjen e familjes në çdo hap që ajo e merr, dëshira dhe vullneti i madh për eksplorim bëjnë që të vazhdojë tutje e të sjellë për publikun edhe fotografi tjera të bukura.
Kush është Gresa Berisha
Gresa Berisha u lind në vitin 1990 në Pejë, Kosovë. Ka përfunduar fakultetin e Artit dhe Shkencave te Aplikuara në Universitetin Amerikan të Kosovës, me notë të lartë mesatare.
Dëshira për eksplorimin e natyrës dhe botës shtazore, në veçanti, erdhi që nga fëmijëria dhe më vonë u kurorëzua me hobin e fotografimit të botës së egër apo “Wildlife Photography”. Hobi e ka po ashtu edhe ecjen në natyrë, në veçanti në bjeshkët e bukura të Rugovës, të cilat i ka eksploruar pothuajse të gjitha.
(Autor: Alban Hamza)
E-Diaspora
-
Konsullata e Kosovës në Cyrih: Informohuni për mënyrën dhe procedurat e votimit Konsullata e Kosovës në Cyrih njofton datën e votimit në diasporë... -
Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA -
Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës -
Slloveni
Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës -
Lir Hajrizi: Pianisti që po tejkalon kufijtë e talentit
Jeta në Zvicër
-
A është ky stacioni policor më i bukur në botë? Giacometti-Halle, shembull i artit mural monumental në stacionin policor të Cyrihut... -
Swisscom do të heqë plotësisht teknologjinë 3G deri në fund të vitit 2025 -
Marketingu i influencerëve në Zvicër: Praktika jo të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë, paralajmëron FRC -
Zgjedhjet komunale në Vernier konfirmohen nga Këshilli i Shtetit -
Dyqanet në Gjenevë hapen këtë të diel


















