Sport

Hyka luan, Basha e Veseli jo

Mesfushori i Luzernit luajti gjatë 90 minutave me skuadrën e cila e fillon këtë edicion me pretendime për të luftuar për titullin kampion dhe për të ecur sa më shumë në Kupat e Evropës

Kampionati zviceran i futbollit ka filluar të shtunën me përballjen mes Luganos dhe Luzernit, skuadra të cilat në përbërjen e tyre kanë disa futbollistë shqiptarë, shkruan albinfo.ch.

Por, në fushën e lojës, në takimin e përfunduar më fitoren 2:1 të Luzernit, ishte vetëm Jahmir Hyka. Mesfushori i Luzernit luajti gjatë 90 minutave me skuadrën e cila e fillon këtë edicion me pretendime për të luftuar për titullin kampion dhe për të ecur sa më shumë në Kupat e Evropës.

Ndërkaq, një spektator në këtë sfidë ka qenë Migjen Basha, i cili nuk ishte as në stolin e rezervave. Ndonëse mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka filluar prej rreth dy javësh stërvitjet e tij me Luzernin për sezonin e ri, ai nuk bën pjesë në planet e klubit e për këtë arsye do të lejohet të largohet sapo të gjejë një sistemim të ri. Kohët e fundit u përfol për një interesim të Avelinos në Serinë B, por nuk ka ende asgjë konkrete në këtë drejtim.

Në radhët e Luganos, në këtë ndeshje të parë të sezonit ka munguar Frederik Veseli. Mbrojtësi i djathtë i kombëtares nuk mund të luante në këtë sfidë pasi vuante pezullimin prej një ndeshje si rrjedhojë e kartonit të kuq të marrë në finalen e Kupës së Zvicrës. Megjithatë, edhe 23-vjeçari parashikohet që së shpejti të kalojë në një skuadër tjetër, pasi klubi i Luganos e ka nxjerrë në shitje.