Tematike

Nisma kundër migracionit humb përfundimisht shumicën e kantoneve

Ende pa u numëruar votat e të gjitha kantoneve, rezulton se iniciativa ka humbur në 14 nga gjithsej 26 kantone dhe gjysmëkantone që ka Zvicra

Pas raportimeve të përsëritura që konfirmojnë trendin e humbjes së iniciativës për kufizimin e migracionit, erdhi edhe konfirmimi tjetër se kjo iniciativë ka humbur numrin e kantoneve që përkrahin këtë iniciativë.

Ky është edhe një kriter për përcaktimin e rezultatit në një referendum ose ndonjë garë zgjedhore: duhet fituar në më shumë se  gjysmën e kantoneve, shkruan albinfo.ch. Ndërsa tani, ende pa u numëruar votat e të gjitha kantoneve, rezulton se iniciativa ka humbur në 14 nga gjithsej 26 kantone dhe gjysmëkantone që ka Zvicra.

Lëvizja e lirë e njerëzve midis Zvicrës dhe BE ekziston si marrëveshje prej 18 vitesh. Dhe, sipas rezultatit të referendumit të sotëm ajo do të vazhdojë si e tillë, shkruan srf.ch.

Shumica e votuesve dhe kantoneve e hodhën poshtë iniciativën e SVP, partisë më të madhe të vendit, e cila dëshironte të vendoste kontroll mbi migracionin. Me të ashtuquajturën “iniciativë kufizimi”, ajo përsëri luftoi pothuajse e vetme në një front të gjerë, ku i kishte kundër të gjitha partitë tjera parlamentare dhe shumë subjekte tjera jashtëparlamentare.

Megjithatë, në disa kantone iniciativa gjeti njëfarë mirëkuptimi, transmeton albinfo.ch. Kështu, kantoni kufitar i Ticinos pranoi nismën – me 53.1 për qind të votave po. Kantoni i Appenzell Innerhoden ka votuar edhe më qartë për nismën e SVP-së,  me 54.3 për qind. Gjithashtu edhe në kantonin e Glarusit kishte një votim pro.

Votimi pro në Ticino nuk është befasi. Ishte pritur madje rezultat edhe më i qartë, thotë redaktori i RSI Mario Carnevale. Presioni i pagave, (nga shtetasit italianë që vijnë të punojnë në zonën kufitare) papunësia e të rinjve dhe siguria janë çështje me peshë të madhe në kantonin jugor.

Nga ana tjetër Iniciativa ka pësuar refuzim veçanërisht të qartë në kantonet si Neuchâtel dhe Basel-Stadt, secili me më shumë se 70 për qind të votave kundër, përcjell albinfo.ch.  Kantonet si Cyrihu, Berna, St. Galleni etj., kanë refuzuar iniciativën me shifra më modeste, prej 54 deri 58%.

Por, udhëheqja e SVP kishte luftuar me guxim kundër të gjithëve, shkruan srf.ch. Ajo nuk ka pushuar së theksuari se  se vetëm nëse iniciativa votohet, do të mbrohen mjedisi, tregu i punës, sigurimet shoqërore dhe infrastruktura në Zvicër.

Sipas iniciatorëve, lëvizja e lirë e njerëzve shkakton vetëm probleme, përcjell albinfo.ch. “Imigracioni masiv” çon në trena të mbipopulluar, bllokime të pafund trafiku… Partia nuk dëshiron një  “Zvicër me 10 milionë banorë”, kështu që imigracioni duhet të kontrollohet pa lirinë e lëvizjes”.

Ndërsa Këshilli Federal, të gjitha partitë e tjera të mëdha dhe shoqatat e mëdha të biznesit e thonë të kundërtën: “Pa marrëveshje dypalëshe, pa marrëdhënie të qëndrueshme me BE – partneri më i rëndësishëm tregtar i Zvicrës deri tani – vendet e punës do të humbnin në mënyrë të pashmangshme. Nisma është helm në një kohë të pasigurisë së madhe ekonomike”.