CH-Ballkani

Ish-kryeministri Mustafa hospitalizohet, në LDK thonë se është prekur nga gripi

Zyrtarë të Spitalit Amerikan në Prishtinë kanë konfirmuar se ish-kryeministri është pranuar në këtë spital duke mos dhënë detaje të tjera rreth gjendjes së tij shëndetësore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryeministri Isa Mustafa është hospitalizuar pas disa problemeve shëndetësore që i janë shfaqur ditëve të fundit. Sipas partisë që ai drejton, Mustafa është dërguar në Spitalin Amerikan në Prishtinë.

Zyrtarë të këtij spitali kanë konfirmuar se ish-kryeministri është pranuar në këtë spital duke mos dhënë detaje të tjera rreth gjendjes së tij shëndetësore.

Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një komunikate bën të ditur se Isa Mustafa, këto ditë ka qenë i prekur nga një grip sezonal, si pasojë e të cilit është detyruar që të trajtohet në institucionet shëndetësore.

“Gjendja e kryetarit Mustafa është stabile e në përmirësim të vazhdueshëm, dhe shumë shpejt pritet rikuperimi i plotë e rikthimi në kryerjen e detyrave akademike dhe politike. Falënderojmë mediat dhe opinionin publik për interesimin”, thuhet në njoftimin e LDK-së.