Lajme

Ish-menaxheri i yjeve austriakë, avokati Skender Fani, pas vdekjes dyshohet se la miliona euro borxhe

Ish-Menaxheri i futbollistëve të shumtë austriakë, Skender Fani, dyshohet se, pas vdekjes së tij në vitin 2023 (në moshën: 83 vjeçar) ka lë pas miliona euro borxhe. Legjenda e futbollit austriak, Toni Polster është vetëm njëri prej “viktimave” që dyshohet se u mashtrua. Procedurat e falimentimit janë duke u zhvilluar në Vjenë

Toni Polster: “I besoja si një baba”

Për avokatin shqiptar i cili jetonte në Vjenë mendohej se pas vdekjes së tij, ka lë prapa vetës pasuri të madhe, por siç duket, ai la pas një mal me borxhe, që arrijnë dhjetëra miliona euro.

Ish-sulmuesi austriak, Toni Polster (aktualisht: 62 vjeçar), është shprehur me fjalë prekëse dhe dëshpëruese për ish-menaxherin që  e përcolli gjatë karrierës së tij: “I besoja si një baba”, ka thënë Polster për mediat austriake, transmeton albinfo.at

Avokati i njohur shqiptar, kishte bërë emër të respektuar në Austri si menaxher futbolli, kur vite më parë kishte arritur transferime të jashtëzakonshme të futbollistëve austriakë si: Hans Krankl te FC Barcelona dhe Herbert “Schneckerl” Prohaska tek Inter Milan. Megjithatë, pas vdekjes së tij, lajmet që janë publikuar tashme edhe në mediat austriake, janë të pakëndshme. Deri më sot, nuk ka asnjë gjurmë se ku shkuan paratë që u përkisnin klientëve të shumtë, dhe perandoria e supozuar e pasurive të patundshme në Miami, Dubrovnik dhe Karaibe thuhet se ka rezultuar kryesisht të jetë vetëm një ëndërr.

Toni Polster i ka thënë televizionit publik austriak, ORF se, i kishte kërkuar Fanit të merrte paratë vetëm pak ditë para vdekjes së tij. “Dhjetë ditë para se të vdiste, i shkrova duke i thënë se doja të më ktheheshin paratë. Mora një përgjigje të shkurtër – dhe pak pas kësaj, ai vdiq”.

Bëhet fjalë për më shumë se 27 milionë euro

Deri më tani, në procedurat e falimentimit janë paraqitur më shumë se 27 milionë euro në kërkesa, nga të cilat 14.7 milionë euro janë njohur tashmë ligjërisht. Ekziston dyshimi se asetet mund të jenë përvetësuar në mënyrë të padrejtë.

Marrëveshja ishte huazim i parave me dymbëdhjetë përqind interes

Polster nuk është “viktima” e vetme e dyshuar. Dy investitorë të tjerë raportojnë se i kanë huazuar Fanit një total prej 520,000 eurosh – të joshur nga premtimi i një interesi prej 12 përqind. Paratë janë zhdukur. Një gazetar i njohur sportiv është gjithashtu midis të prekurve, teksa thotë: “Ne u mashtruam pothuajse në mënyrë brilante.”

Të prekurit përballen me një periudhë të gjatë pritjeje

Ndërsa administratori i falimentimit likuidon pasuritë e paluajtshme dhe zotërimet e mbetura të kompanisë, procedurat e falimentimit në Gjykatën Tregtare të Vjenës ka të ngjarë të zvarriten me vite. Për Toni Polster dhe shumë palë të tjera të prekura, për momentin mbetet një ndjenjë e hidhur: besimi i tyre tek ish-miku dhe këshilltari i tyre mund t’u ketë kushtuar miliona euro.

I njohur për pasuri të patundshmërisë dhe lokale të shumta afariste në qendër të Vjenës, avokati Skender Fani konsiderohej si një nga shqiptarët më të pasur në Austri, shkruan albinfo.at.

Ne kohën kur kombëtarja e Shqipërisë kërkonte tre pikët në tavolinë për ndeshjen e ndërprerë ndaj Serbisë, me një betejë të gjatë ligjore që përfundoi në CAS, në mbrojtje të kombëtares shqiptare ishte angazhuar pikërisht avokati Skënder Fani, i cili arriti të ndërtonte një strategji perfekte mbrojtëse në betejën me UEFA-n dhe Serbinë ku si përfundim kombëtarja e Shqipërisë siguroi tre pikët, me të cilat pikë kombëtarja e Shqipërisë për herë të parë mori pjesë në kampionatin evropian 2016.