Lajme

Luljeta Elezi, artistja e parë shqiptare anëtare e rregullt e Shoqatës Ndërkombëtare Frédéric Chopin

Emërimi në shoqatën prestigjioze në Varshavë vjen si vlerësim për interpretimet e saj të suksesshme të veprave të Frédéric Chopin në Poloni

Pianistja shqiptare Luljeta Elezi është bërë artistja e parë shqiptare që zgjidhet anëtare e rregullt e Shoqatës Ndërkombëtare Frédéric Chopin në Varshavë të Polonisë, një nga institucionet më prestigjioze që promovon trashëgiminë artistike të kompozitorit të madh polak.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë artistja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi këtë si një nder dhe kënaqësi të veçantë në karrierën e saj, transmeton albinfo.ch.

Sipas Elezit, emërimi është rezultat i një serie koncertesh solistike të suksesshme që ajo ka mbajtur gjatë viteve të fundit në qytete të ndryshme të Polonisë, ku ka interpretuar veprat e kompozitorit gjenial Frédéric Chopin. Këto koncerte janë organizuar nga vetë Shoqata Ndërkombëtare Frédéric Chopin.

Artistja shprehu mirënjohjen e saj për drejtoreshën e përgjithshme të shoqatës, Ewa Sławińska, si dhe për bordin drejtues, për besimin dhe vlerësimin ndaj punës së saj artistike.

Ky emërim përfaqëson një arritje të rëndësishme jo vetëm për Luljeta Elezin, por edhe për artin shqiptar, duke shënuar për herë të parë përfaqësimin e një pianisteje shqiptare në këtë institucion të njohur ndërkombëtar, që mban gjallë dhe promovon veprën e një prej kompozitorëve më të mëdhenj të historisë së muzikës klasike.