Kosova

Ambasadori Ajeti: Goethe-Institut heq fusnotën nga emri i Kosovës

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ka njoftuar se një prej platformave më të mëdha në Gjermani, Goethe-Institut, ka larguar fusnotën nga emri i Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Ajeti ka deklaruar se kjo ka ndodhur falë reagimit të qytetarëve dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik.

“Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, Goethe-Institut ka korrigjuar paraqitjen e Republikës së Kosovës në platformën e saj, duke e larguar fusnotën (*) dhe duke e trajtuar atë në mënyrë të barabartë me të gjitha shtetet e tjera. Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete. Nëse hasni ndonjë institucion apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës apo qytetet tona nuk paraqitet në mënyrë korrekte, ju lutemi të na shkruani në [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që këto pasaktësi të adresohen dhe korrigjohen”, ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.
Foto FB: Faruk Ajeti