Botërori 2026

Sonte spektakli Angli–Argjentinë, një vend në finalen e Botërorit është në lojë

Rivaliteti legjendar rikthehet në Atlanta, ndërsa fituesi do t'i bashkohet Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026.

Një nga përballjet më të mëdha në historinë e futbollit zhvillohet sonte në Kupën e Botës 2026, ku Anglia dhe Argjentina do të luftojnë për një vend në finalen e madhe të turneut, përcjell albinfo.ch.

Ndeshja do të luhet në Atlanta me fillim nga ora 21:00 dhe pritet të sjellë një duel spektakolar mes dy kombëtareve me histori të pasur dhe rivalitet të madh ndër vite.

Argjentina, kampionia në fuqi e botës, synon të mbrojë titullin dhe të sigurojë një tjetër finale. Skuadra e Lionel Scalonit ka kaluar një rrugëtim të vështirë në këtë Botëror, duke eliminuar kundërshtarë të fortë dhe duke treguar karakter në momentet vendimtare. Në fazën eliminatore, argjentinasit përmbysën edhe disavantazhin 2:0 ndaj Egjiptit për të vazhduar garën.

Në anën tjetër, Anglia e drejtuar nga Thomas Tuchel ka qenë një nga skuadrat më të qëndrueshme të kampionatit. “Tre Luanët” kanë treguar siguri në ndeshjet me eliminim direkt, ndërsa tani synojnë rikthimin në finalen e Kupës së Botës.

Përballja mes Anglisë dhe Argjentinës është shumë më tepër se një ndeshje futbolli. Historia e gjatë e dueleve mes këtyre dy kombëtareve e bën këtë gjysmëfinale një nga sfidat më të pritshme të turneut.

Fituesi i kësaj ndeshjeje do të përballet në finalen e madhe me Spanjën, e cila siguroi kualifikimin pasi mposhti Francën me rezultat 2:0.

Formacionet e mundshme:

Anglia (4-2-3-1): Pickford; Konsa, Stones, Guehi, O’Reilly; Anderson, Rice; Saka, Bellingham, Gordon; Kane.

Argjentina (4-4-2): Emiliano Martinez; Molina, Romero, Lisandro Martinez, Tagliafico; Simeone, Mac Allister, Paredes, Fernandez; Messi, Alvarez. /Albinfo.ch