Botërori 2026

Franca dënon komentet raciste për kombëtaren

Një deklaratë e ish-kryeministrit të Spanjës, Mariano Rajoy, ka shkaktuar reagime të forta në Francë dhe Spanjë, pasi ai pretendoi se në kombëtaren franceze të futbollit “nuk ka lojtarë francezë”.

Komenti, i bërë në një artikull për gazetën online El Debate, është dënuar si racist nga Federata Franceze e Futbollit dhe është kritikuar edhe nga qeveria spanjolle.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, reagoi publikisht duke deklaruar se “le të fitojë më i miri dhe racizmi të humbasë”, ndërsa kujtoi se edhe Spanja ka arritur suksese falë futbollistëve me prejardhje të ndryshme etnike.

Në Francë, deklaratat e Rajoyt janë konsideruar si rikthim i një retorike të vjetër të së djathtës ekstreme, e cila prej vitesh vë në dyshim identitetin e lojtarëve me origjinë emigrante që përfaqësojnë kombëtaren.

Polemika vjen vetëm pak ditë pasi sulmuesi Kylian Mbappé ishte objekt i komenteve të ngjashme raciste nga një senatore paraguajane. Futbollisti francez iu përgjigj kritikave duke theksuar se diversiteti është një nga vlerat dhe forcat më të mëdha të Francës.