Lajme

Çmimet e naftës arrijnë nivel rekord, pas tensioneve të reja mes SHBA-së dhe Iranit

Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm të hënën, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar, si pasojë e rikthimit të bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane dhe planit të Uashingtonit për të vendosur tarifë për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Nafta e tipit Brent, standardi ndërkombëtar, për dërgesat e shtatorit u rrit me 9.59%, duke regjistruar një nga lëvizjet më të forta brenda një dite tregtimi. Sipas analistëve, një rritje e tillë nuk ishte parë as në ditët e para të shpërthimit të luftës.

Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI), për dërgesat e gushtit, u shtrenjtua me 9.42%.

“Ndonëse tregjet kanë injoruar kryesisht sulmet e fundit ndaj trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, prishja e kësaj paqeje të brishtë mes Uashingtonit dhe Teheranit përbën një pikë kthese”, vlerësojnë analistët e Eurasia Group.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së fortë të së hënës, çmimet e naftës mbeten ende nën nivelet maksimale të regjistruara në fillim të konfliktit.

Ditët e fundit janë raportuar sulme ndaj anijeve në zonë, të cilat i atribuohen Iranit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë kryer gjithashtu sulme ndaj objektivave iraniane. Sipas të dhënave të kompanisë së monitorimit detar Kpler, një numër i kufizuar anijesh kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit të dielën, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët e Eurasia Group theksojnë se shumica e anijeve që lundrojnë në këtë ngushticë po çaktivizojnë tashmë transmetuesit e tyre satelitorë, për ta bërë më të vështirë zbulimin nga Irani. Megjithatë, kjo praktikë rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve detare.