Botërori 2026

Xhaka ankohet pas eliminimit nga Argjentina

“Me këtë vendim, gjyqtari e ndryshoi lojën. Ky është opinioni im. Nuk e di çka do të mund të bënte gjyqtari më shumë”, deklaroi kapiteni i Zvicrës

Zvicra u eliminua nga Argjentina pas vazhdimeve, ku Brel Embolo u përjashtua me karton të kuq, pas një vendimi që shkaktoi mjaft reagime.

Granit Xhaka ka shkëlqyer te Zvicra, ndërsa pas ndeshjes është shprehur i frustruar.

“Është vështirë të gjenden fjalët e duhur pas ndeshjes. Është shumë e hidhur për ne. Mendoj se kemi luajtur shumë mirë dhe kam ndier se kemi edhe më shumë për të dhënë. Por, për fat të keq, ky është futbolli. Ishte vendim i rëndësishëm që plotësisht ndryshoi lojën. Dhemb shumë”, ka thënë Xhaka, transmeton albinfo.ch.

Në fakt Embolo është ndëshkuar në bazë të një ndryshimi në rregulla që është prezantuar para Botërorit.

“Rregullat janë rregulla”, ka thënë Xhaka. “Nuk mund t’i ndryshojmë ato. Por me këtë vendim, gjyqtari e ndryshoi lojën. Ky është opinioni im. Nuk e di çka do të mund të bënte gjyqtari më shumë”, ka vazhduar kapiteni i Zvicrës.

Atmosfera në zhveshtoren e Zvicrës pas ndeshjes ishte e qetë. “Të gjithë ishin shumë të dëshpëruar. Fakti se ishte një disponim i tillë pas ndeshjes me Argjentinën tregon shumë për mentalitetin e këtij ekipi”, ka theksuar Granit Xhaka.

Një gazetar i është drejtuar Xhakës se Zvicra edhe me një lojtar më pak në fushë ishte e barabartë me kampionen e botës.

“’Kundërshtare e barabartë’ në fakt është nënçmim. Mendoj se meritojmë më shumë lëvdata pas një ndeshje si kjo. Por jemi mësuar me këtë”.

Zvicra pësoi gol pas një goditje nga këndi dhe më pas ka shfaqur më shumë se Argjentina në fushë. Ky ishte vlerësimi i Xhakës po ashtu. “Argjentina nuk ka pasur ndonjë rast tjetër në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishte loja jonë. Kemi rrezikuar më shumë dhe kemi shënuar. Jemi ndier shumë mirë në fushë. Kemi pasur më shumë energji, më shumë besim. Mendoj se mund të jemi krenarë për veten. Edhe pse jo të gjithë e shohin në këtë mënyrë, kemi luajtur futboll fantastik. Kemi shfaqur karakter dhe mentalitet të shkëlqyer”, ka thënë 33-vjeçari.