Kosova

Pa kolona në pikat kufitare, pritjet deri në pesë minuta

Qarkullimi në hyrje dhe dalje të Kosovës po zhvillohet normalisht, ndërsa sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar nuk janë raportuar vonesa apo fluks i shtuar i automjeteve.

Qarkullimi në pikat kufitare të Kosovës po zhvillohet normalisht edhe gjatë ditës së sotme, pa kolona të gjata apo pritje që do të vështirësonin lëvizjen e qytetarëve, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, procedurat në të gjitha pikat kufitare po zhvillohen pa vonesa të konsiderueshme. Si në hyrje, ashtu edhe në dalje të Kosovës, pritjet variojnë nga 3 deri në 5 minuta, ndërsa nuk janë raportuar kolona automjetesh.

Autoritetet bëjnë të ditur se situata aktualisht është e qetë në të gjitha pikat kufitare, me qarkullim normal të automjeteve. Megjithatë, qytetarëve u rekomandohet të ndjekin përditësimet zyrtare, pasi fluksi mund të ndryshojë gjatë ditëve në vijim./Albinfo.ch