Tematike

Ish ushtarë të UÇK-së “pranojnë” tregtinë me organe!?

Sipas emisionit, të sf1, ish ushtarët e UÇK-së "dëshmojnë se kanë transportuar nga Kosova të burgosur për në Shqipëri"

Magazina televizive „Rundschau” që e emeton televizioni publik i Zvicrës SF1, në edicionin e të mërkurës, ka transmetuar një dokument, që, siç pretendojnë autorët, “hedh dritë mbi akuzat për tregtinë e organeve” të ngritura në raportin e anëtarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Sipas “Rundschau”, kësaj here, për herë të parë janë disa ushtarë të UÇK-së, të cilët dëshmojnë se kanë marrë pjesë në tregtinë e dyshuar me organe të serbëve të mbajtur në burg. Me këtë publikim, thonë autorët e emisionit, “për herë të parë një dokument zyrtar po vjen në përfundim të njëjtë në të cilin pati ardhur edhe raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty”.

Dokumenti të cilin e prezanton Rundschau është përpiluar në vitin 2003 dhe i takon OKB-së. Aty, ndonëse kamera nuk e fokuson, sipas asaj që përflasin autorët e emisionit, janë ish ushtarët e UÇK-së ata që “dëshmojnë se kanë transportuar nga Kosova të burgosur për në Shqipëri. Së pari i kanë vendosur ata në burgje, mandej i kanë sjellë në afërsi të aeroportit të Tiranës. Atje janë mbytur dhe pastaj u janë marrë organet, të cilat janë bartur me aeroplan për në Stamboll. “Si në Aeroportin e Tiranës ashtu edhe në atë të Stambollit, nuk kishte probleme për transport, pasi që ata që duhej të kontrollonin, ishin korruptuar nga transportuesit”.

Raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, i kontaktuar nga gazetarët, shprehet i lehtësuar që, sipas tij, po dëshmohet vërtetësia e raportit të tij. “Kështu po sqarohet se tregtia me organe nuk paska qenë prodhim i një raporti fantastik”, ka thënë ai. Pastaj Marty e shfrytëzon këtë rast për të sulmuar bashkësinë ndërkombëtare dhe diplomacinë zvicerane për “fshehjen” e dëshmive që dokumentojnë krimet e bëra nga UÇK-ja. E gjithë kjo, me qëllim ruajtjen e stabilitetit në Kosovë.

Këso akuzash ndaj bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe sidomos ndaj presidentes së Zvicrës Micheline Calmy Rey drejtojnë edhe autorët e emisionit, të cilët fajësojnë faktorët në fjalë për “aleancë me UÇK-në”. Kjo aleancë e lidhur qysh nga bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, sipas tyre, i pengon ata që të dëshmojnë kundër krimeve të UÇK-së. Të gjitha këto akuza i konfirmon edhe ish kryeprokurorja e Tribunalit të hagës, Carla del Ponte, e pranishme në emision.

Ndërsa, i pyetur nga gazetarët nëse Berna zyrtare ka ditur për ekzistimin e dokumenteve të tilla në kohën kur ka njohur pavarësinë e Kosovës, Christian Meuwly, shef i sektorit të Evropës në Departamentin e Jashtëm mohon të kenë qenë në dijeni të tyre. “Ka pasur vetëm dyshime, thashetheme, akuza të ndërsjella, çfarë janë të zakonshme në vendet e Ballkanit pas përfundimit të luftës”. Dokument i parë, sipas tij ka qenë raporti i Martit, i publikuar në dhjetorin e kaluar.

“Rundschau” në emisionin e mbrëmshëm ka marrë në thumb edhe ish shefin e parë të UNMIK-ut në Kosovë, Bernard Couchner, më vonë ministër i jashtëm i Francës. Ashtu sikurse kishte vepruar disa muaj më parë në Kosovë, Couchner edhe kësaj here, në Paris, i ka kundërshtuar ashpër akuzat e gazetarëve lidhur me “mbylljen e syve” të faktorit ndërkombëtar përballë gjoja tregtisë me organe të ushtruar nga UÇK. Ai i ka porositur ata që “të mos e bezdisin me broçkulla të tilla”.

Më tutje, për magazinën “Rundschau” flet edhe Xhavit Haliti, nënkryetar aktual i Kuvendit të Kosovës, i prezantuar si njeri me begraund lufte. Ai mohon çdo mundësi që në kushtet e luftës në Kosovë të ndodhnin gjërat për të cilat akuzohet UÇK.

Edhe afera me klinikën “Medicus” u shërben autorëve të emisionit që të gjejnë një lidhje tjetër me tregtinë e organeve, që pretendohet të jetë kryer në kohën e luftës.

Ndërsa emisioni përmbyllet me paralajmërimin se në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki -Moon do t`i propozojë KS-së që të nis hulumtimi i dyshimeve rreth tregtisë me organe të bërë nga ana e UÇK-së. (B.SH.)

http://www.videoportal.sf.tv/video?id=c3c0595b-ad95-4bdd-aeba-9b22fc70fc16;DCSext.zugang=videoportal_sendungsuebersicht