Lajme

Itali: Arrestohet 17-vjeçari që dyshohet se po planifikonte një sulm në shkollë

Njësia speciale e policisë italiane, ROS, ka arrestuar një adoleshent 17-vjeçar nga Peruxhia, i cili dyshohet se po përgatiste një sulm të dhunshëm në një shkollë.

Hetuesit thanë se i riu ishte duke u përpjekur të prodhonte armë dhe pajisje kimike për të realizuar sulmin e dyshuar.

Gjithashtu, ai ndiqte një grup në Telegram që promovonte ide mbi “superioritetin” e supozuar të racës ariane.

I arrestuari përballet me akuza për posedim të materialeve për qëllime terroriste, si dhe për propagandë dhe nxitje të veprave kriminale bazuar në racë, etni dhe fe.

Rasti vjen në një kohë kur dhuna midis të rinjve në Itali po shkakton shqetësim të madh. Javën e kaluar, një 13-vjeçar në qytetin Treskore Balneario të provincës Bergamo sulmoi me thikë një mësuese 57-vjeçare të gjuhës frënge, duke e plagosur rëndë. Ai mbante një bluzë me shkronjën “V” që simbolizonte “hakmarrjen” dhe thuhet se e filmoi sulmin duke e transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale.