Tematike

“Jashtë vendit, pasaportat nuk nxirren para gjysmë viti”

Këtë e ka thënë Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli duke kritikuar procedurat e panevojshme për t’u pajisur mërgimtarët me dokumente

Bekim Buca nga Cyrihu, këtë verë do ta harxhojë pushimin duke pritur në radhë para zyrave të komunës së Gjilanit për t’u pajisur me dokumente të udhëtimit.Ai nuk i është gëzuar edhe aq lajmit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për fillimin e aplikimit prej 1 qershorit edhe për letërnjoftime për mërgimtarët, që është kusht për tu pajisur me pasaporta në konsullatat kosovare.Ky shtetas  i Kosovës është ankuar në përfaqësitë konsullore se po aplikojnë procedura të gjata në procesin e pajisjes me dokumente udhëtimi.39 vjeçari me prejardhje nga Gjilani, kishte mirëpritur një vendim të tillë të institucioneve të Kosovës, por ishte zhgënjyer me përgjigjen që kishte marrë nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, ku terminin për të aplikuar për letërnjoftim dhe pasaportë ia kishin caktuar në fillim të korrikut, kohë kjo kur ai kishte planifikuar të udhëtonte për të vizituar vendlindjen…“Me thënë të drejtën unë kam pritur që gjatë qershorit mund t’i rregulloj dokumentet në konsullatat tona. Nuk kam qenë në dijeni se janë kaq procedurat e gjata. Kur më kanë caktuar një termin në fillim të korrikut  atëherë vendosa që më mirë të sakrifikoj këtë pushim për të rregulluar dokumentet në Kosovë sesa të mbetem këtu”, ka deklaruar për Albinfo.ch, Bekim Buca

Sipas tij, kjo mund të jetë edhe pasojë e vendimit të vonuar nga ana e Qeverisë së Kosovës për fillimin e lëshimit të letërnjoftimeve për mërgimtarët, proces ky i proklamuar shumë më herët…“Në qershor është vonë për të aplikuar për dokumente. Në këtë kohë të  gjithë bashkatdhetarët planifikojnë pushimet e tyre për vendlindje. Shumica prej tyre që nuk kanë letërnjoftime për të marrë pasaportën e Kosovës, ose duhet të presin dokumentet nga konsullatat tona ose do të duhet të shëtitin nëpër korridoret  e komunave të Kosovës”, shprehet Buca.Në Konsullatën e Kosovës në Cyrih kanë thënë se terminet caktohen sikur edhe në të gjitha konsullatat tjera të Evropës.“Në Konsullatën e Kosovës në Cyrih terminet për të aplikuar për dokumente të udhëtimit caktohen sipas urgjencës, mirëpo askujt nuk i kemi premtuar që mund t’i rregullohen dokumentet për këto pushime të verës.Për fletudhëtim nuk ka nevojë të caktohet termin”, ka thënë zëvëndëskonsulli i Konsullatës në Cyrih, Sali Sefa.

Sali Sefa, zëvëndëskonsull në Konsullatën në CyrihDiplomati kosovar pajtohet se prej qershorit, kur kanë filluar aplikimet deri tash kanë pranuar vetëm dy letërnjoftime nga Prishtina..“Deri tash kanë aplikuar rreth 300 shtetas kosovarë për dokumente të udhëtimit – letërnjoftime dhe pasaporta. Presim deri nga mesi i korrikut përgatitjen e shumicës prej tyre”, ka thënë zëvëndëskonsulli Sefa.Konsullatat kosovare jashtë vendit kanë marrë përforcime të nevojshme nga Prishtina që t`u përgjigjen të gjitha kërkesave të mërgimtarëve, ka bërë të ditur zëvendëskonsulli Sefa.Shqetësimin e mërgimtarëve si duket e ka kuptuar edhe ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, gjatë kontakteve të para me mërgatën..Makolli, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se procedurat e vendosura në bazë të një urdhërese administrative të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë bërë që pasaportat të mos nxirren para gjysme viti..

Ibrahim Makolli, Ministër i Diasporës

“Nga ajo që kam vërejtur në disa prej konsullatave tona jashtë, nuk është mungesa e kapaciteteve njerëzore, por janë problematike procedurat administrative tashmë të aplikuara nga Ministria e Punëve të Jashtme. Në vend që të lehtësojmë pajisjen e qytetarëve tanë jashtë me dokumente, në të vërtetë urdhëresat administrative të lëshuara nga kjo ministri e kanë vështirësuar më tepër”, ka thënë Makolli..Ai ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të rishikohen edhe njëherë urdhëresat administrative në mënyrë që të mundësojnë shërbim më të shpejtë për mërgimtarët.„Sot nëse një qytetar yni jashtë vendit është i interesuar të pajiset me letërnjoftim dhe pasaportë të Kosovës i duhen së paku gjashtë muaj“, ka kritikuar Makolli..Këtë e ka mohuar zëvëndëskonsulli i Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Sali Sefa. Sipas tij, në bazë të urdhëresës administrative të Ministrisë së Punëve të Jashtme, këto dokumente përgatiten në kohëzgjatje prej dy muajve. Nga ana tjetër në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se po e bëjnë atë që e bëjnë të gjitha shtetet evropiane me konsullatat e veta, dhe se shërbimet konsullore janë në përputhje me standardet e shërbimeve konsullore të vendeve të Bashkimit Evropian.„Në shërbimet tona konsullore pajisja me dokumente është çështje komplekse që është vështirë të thjeshtësohet më shumë, për faktin se bëhet fjalë që dokumentet kanë origjinë burimore prej tri lloj institucionesh, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe komunave“, ka thënë zëvëndësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi duke iu përgjigjur reagimit të ministrit të Diasporës.Këto shërbime konsullore ishin premtuar shumë më herët nga Qeveria e Kosovës..Madje, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi kishte përuruar në Ambasadën në  Bruksel, fillimin e lëshimit të letërnjoftimeve për shtetasit kosovarë jashtë vendit qysh në muajin nëntor të vitit të kaluar..Nga ana tjetër Ministri I Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj kishte premtuar fillimin e lëshimit të letërnjoftimeve për mërgimtarët në fillim të muajit prill të 2011.Por ja që ndodhi të nis ky proces në qershor të 2011, kur edhe mërgimtarët planifikojnë pushimet për vendlindje.