Kosova
Java e Demarkacionit
Ditë më parë, përfaqësuesit e partive në pushtet, kishin deklaruar se është “sekret publik që mungojnë edhe dy apo tri vota” për të arritur numrin e domosdoshëm të 80 votave për ratifikimin e Marrëveshjes
Rreth dy vjet e gjysmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Kuvendi i Kosovës pritet që këtë javë ta ratifikojë këtë marrëveshje.
Të paktën kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ndonëse partnerja e koalicionit qeverisës, Lista Serbe, ende nuk ka konfirmuar se ka ndryshuar qëndrimin e saj, të cilin e kishte ripërsëritur javën e kaluar, duke thënë se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi nuk paraqet kurrfarë interesi për këtë subjekt, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
Por, zëvendëskryeministri Pacolli, i cili është lider i Aleancës Kosova e Re, parti kjo brenda koalicionit qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe Listën Serbe, ka qenë i prerë në deklaratën e tij se ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin, do të ratifikohet gjatë kësaj jave, përcjell albinfo.ch.
Megjithatë, zëvendëskryeministri Pacolli nuk ka sqaruar nëse për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje është arritur ndonjë pajtim me partneren e koalicionit qeverisës, Listën Serbe.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka thënë se ditëve të fundit, lidhur me krijimin e kushteve për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është punuar intensivisht me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës, si dhe me partinë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai ka shprehur mendimin se gjatë këtyre ditëve mund të krijohen kushtet për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Megjithatë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se ende nuk ka asgjë definitive lidhur me arritjen e një konsensusi që do të siguronte dy të tretat e votave në Kuvend, për ratifikimin e marrëveshjes.
Në anën tjetër, Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo opozitare në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Kuvendi duhet që sa më parë të mblidhet për të votuar Marrëveshjen për demarkacionin, në mënyrë që ta përmbyllë këtë çështje, siç e ka quajtur ai, të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Por, sipas tij, caktimi i seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, tashmë është çështje e partive në pushtet dhe arritjes së konsensusit të tyre.
Ndryshe, partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt politik më i madh opozitar, nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj kundër ratifikimit të Marrëveshjes aktuale për demarkacionin me Malin e Zi.
Ditë më parë, përfaqësuesit e partive në pushtet, kishin deklaruar se është “sekret publik që mungojnë edhe dy apo tri vota” për të arritur numrin e domosdoshëm të 80 votave për ratifikimin e Marrëveshjes.
Marrëveshja për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë, tashmë është ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi. Pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova nuk do të arrijë ta përmbushë një prej dy kushteve të fundit, për të marrë liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.
E-Diaspora
-
Mynih
Zamira Gashi, juristja shqiptare që po ndërton karrierë të suksesshme në Mynih Juriste e specializuar në të Drejtën Publike Ekonomike dhe Prokurimin Publik, me karrierë të spikatur në... -
Orë letrare në Cyrih për Ditën e Pavarësisë së Kosovës -
Lozanë
SHKA “Teuta” në Lozanë në përgatitje për festën e 17 Shkurtit -
Londër
Hapet në Londër shkolla më e re shqipe “Aleksandër Xhuvani” -
Dhuna në familje: shenjat, frika dhe parandalimi – përkrahja në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Çfarë i duhet Cyrihut për të qenë një qytet gjithëpërfshirës? Ky panel synon të hapë një debat të gjerë mbi politikat publike, barazinë, aksesin dhe përfshirjen... -
Lozana kompenson bizneset e goditura nga punimet publike -
Produkte “pa gluten” që mund të përmbajnë gjurmë gluten shkaktojnë konfuzion tek konsumatorët -
Komunat në rajonin Jura Arc përballen me rreziqet e varësisë nga tatimpaguesit e mëdhenj -
Një muaj pas zjarrit në Crans-Montana: 23 të plagosur ende në spitalet zvicerane, 41 po trajtohen jashtë vendit













