Lajme

Deputeti Arbër Bullakaj bën thirrje: Votoni kundër iniciativës “Zvicra me 10 milionë banorë”

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Zvicrës paralajmëron se iniciativa mund të rikthejë politika që dikur ndanë mijëra familje emigrantësh.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Zvicrës, Arber Bullakaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë kundër iniciativës “Zvicra me 10 milionë banorë”, duke paralajmëruar se ajo mund të rikthejë politika që në të kaluarën kanë shkaktuar vuajtje për mijëra familje emigrantësh, transmeton albinfo.ch.

Bullakaj kujton përvojën e familjeve të sezonierëve, të cilat deri në vitin 2002 përballeshin me kufizime të rënda për bashkimin familjar. Sipas tij, shumë prindër detyroheshin t’i linin fëmijët në vendlindje, ndërsa të tjerë jetonin të ndarë për muaj e vite të tëra.

“Shumë fëmijë u rritën vetëm me njërin prind, me gjyshërit apo të afërmit. Ishte një periudhë e dhimbshme që la pasoja të thella te shumë familje”, thekson ai.

Në apelin e tij, Bullakaj argumenton se iniciativa e propozuar nga SVP/UDC rrezikon të cenojë të drejtat e fituara ndër vite nga punëtorët migrantë dhe familjet e tyre, duke bërë thirrje për një votë kundër në referendumin e 14 qershorit.

Ai nënvizon se Zvicra ka nevojë për politika që respektojnë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat familjare, e jo për rikthimin e modeleve që dikur ndanë mijëra familje./Albinfo.ch