Lajme

Katastrofa në Crans-Montana: Avokatët përgatisin padinë për përgjegjësinë e shtetit

Një katastrofë zjarri që la 40 të vdekur dhe shumë të plagosur po sjell pasoja të mëdha financiare. Avokatët që përfaqësojnë viktimat po përgatisin një padi për përgjegjësinë e shtetit kundër komunës së Crans-Montana.

Avokati nga Gjeneva, Romain Jordan, përfaqëson mbi 20 familje të viktimave, përfshirë ato që kanë humbur fëmijët dhe ato që kanë fëmijë të lënduar rëndë dhe të shtruar në spitale. Jordan shprehet se tani ka nisur përgatitja e padisë për përgjegjësinë e shtetit ndaj komunës, transmeton albinfo.ch.

“Ne kemi filluar punën mbi padinë për përgjegjësinë e shtetit. Do të përgatisim një padi civile dhe do të përcaktojmë shumën e dëmshpërblimit në kohën e duhur,” tha ai.

“Përgjegjësia e komunës është e qartë.”

Sipas avokatit, komuna e Crans-Montana do të duhet të mbulojë një pjesë të madhe të kostove që rezultojnë nga katastrofa e zjarrit. Shumat totale të dëmeve mund të arrijnë disa qindra milionë franga zvicerane, për shkak të kostove të mëdha mjekësore dhe rehabilituese, si dhe kompensimeve për kujdestarët, ndihmësit në shtëpi dhe të rinjtë që nuk mund të hyjnë më në tregun e punës.

Kontrolli i munguar i zjarrit

Këshilli i qytetit të Crans-Montana pranoi për herë të parë se inspektimi vjetor ligjor për sigurinë nga zjarri në barin “Le Constellation” ishte kryer për herë të fundit në vitin 2019. Kjo ka ngritur dyshime se komuna mund të ketë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të saj ligjore.

Ekspertët e së drejtës së shtetit shprehen optimizëm për suksesin e padisë: “Normat e sigurisë nga zjarri janë detyrime themelore të komuniteteve. Nëse këto janë shkelur, jemi shumë më afër përgjegjësisë së shtetit,” thotë profesori Felix Uhlmann.

Kosto të mëdha dhe financa të ngarkuara

Shumat e dëmeve fillimisht do të mbulohen nga sigurimet shëndetësore dhe ato të aksidenteve. Por më pas, kompanitë e sigurimeve do të kërkojnë kompensim nga përgjegjësit apo komuna. Eksperti i sigurimeve Martin Hablützel shpjegon: “Sigurimet mund të kërkojnë rikuperim nga personat ose institucionet përgjegjëse, përfshirë komunën e Crans-Montana.”

Financat e komunës mund të mos jenë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kërkesat. Në fund të vitit 2024, komuna kishte një kapital prej rreth 160 milionë frangash, i cili mund të përdoret për kompensimin e dëmeve. Sipas ekspertëve, kjo do të rëndojë buxhetin e komunës dhe do të ndikojë tek taksapaguesit lokalë.

Ende nuk është e qartë nëse komuna mund të shpallet pjesërisht përgjegjëse për katastrofën. Prokuroria kantonale e Wallisit ende nuk ka zgjeruar hetimin penal ndaj komunës.