Uncategorized
“Kino Kosova”, një festival që po krijon identitetin e vet
Motoja e edicionit të sivjetmë të festivalit është “Past Future” (E ardhmja e shkuar) dhe synon të tregojë se si ngjarjet e së kaluarës janë të ndërthurura me të ardhmen
Festivali i filmit “Kino Kosova” ka nisur mbrëmë edicionin e tij të katërt, në kinemanë “RiffRaff”, në Cyrih. Një aktivitet filmi që kishte një fillim modest, në dy edicionet e fundit po tregon shenjat e rritjes dhe realizimit të ambicieve të themeluesve të tij.
Shfaqja e rreth 30 filmave të përzgjedhur, të zhanreve të ndryshme, debatet pas filmave (Q&A), aktivitetet shoqëruese muzikore, prania e shikuesve dhe gazetarëve zviceranë në këtë festival, janë disa nga treguesit për seriozitetin e festivalit dhe për krijimin një identiteti të tij, shkruan albinfo.ch. Një publik, i madh në numër, tregon po ashtu rritën e tij.
Duke bërë hapjen e këtij edicioni, themeluesi dhe drejtori artistik i “Kino Kosova”, Sabahet Meta, ka folur për synimet që ndjek festivali që nga fillimi, si afirmimi i filmit nga Kosova në Zvicër, vendosja e urave lidhëse në mes të dy kulturave etj. Ai ka falënderuar me këtë rast edhe ata që kanë bërë të mundur ngritjen dhe mbajtjen e festivalit, përgjatë këtyre viteve.
Ndërsa regjisori i ri shqiptaro-zviceran, Ilir Hasanaj, në cilësinë e kuratorit (përzgjedhësit) të programit të sivjetmë, ka folur për zhvillimet interesante që po ndodhin aktualisht në botën e filmit kosovar.
Ai ka thënë se në Kosovë ka një prodhim mbresëlënës filmash, të cilët po arrijnë suksese edhe në nivele ndërkombëtare. Po ashtu Hasanaj ka arsyetuar përzgjedhjen e filmave që ka bërë, duke iu përmbajtur motos që ka zgjedhur festivali për edicionin e tashëm “Past Future” (E ardhmja e shkuar). Fokusi është në mënyrën se si ngjarjet e së kaluarës janë të ndërthurura drejtpërdrejt me të ardhmen.
Vendin e fjalëve në vazhdim e ka zënë projektimi i filmave në pëlhuren e bardhë. Filmi “Prishtinë 2002” i regjisores Trëndelina Halili ka hapur programin e mbrëmjes. Në fokus të filmit është adoleshenca në një vend të dalë rishtas nga lufta. Siç e tregon edhe titulli, ngjarja e filmit 20 minutësh i referohet vitit 2002, duke përshkruar përditshmërinë e dy shoqeve adoleshente Donës dhe Letit. Rolet kryesore në film i luajnë Rrezarta Haziraj dhe Hana Limani.
Leti fillon të ndryshojë personalitetin e saj vetëm për t’i bërë përshtypje mikes së saj, Donës, të cilën ajo e adhuron. Përpjekja e Letit për të luajtur ketë “rol” i sjell të dy shoqet në një situatë të papritur…
Pas shfaqjes së filmit, është zhvilluar një bashkëbisedim me regjisoren Trëndelina Halili. Gazetarja zvicerane, njohëse e mirë e Kosovës dhe Ballkanit, Aleksandra Hiltmann, ka “marrë në pyetje” regjisoren, duke nxjerrë mesazhin e filmit dhe prapaskenat e realizimit të tij. Trëndelina Halili, mes tjerash, ka thënë se ky film është në një mënyrë homazh për brezin e saj, të vajzave dhe djemve që kanë kaluar fëmijërinë në kohën e luftës. Po ashtu, regjisores i janë shtruar pyetje edhe nga publiku në sallë.
Filmi i radhës “A normal Life” (Një jetë normale) i regjisorëve amerikanë Elizabeth Chai Vasarhelyi & Hugo Berkeley është një rrëfim emocional dhe i thellë për një të kaluar të afërme. Edhe ai i referohet viteve të para të pasluftës në Kosovë, duke arsyetuar kështu kornizat e motos “Past Future” të festivalit.
Filmi ndjek përjetimet e 7 miqve të rinj gjatë 3 viteve pas luftës në Kosovë. Bëhet fjalë për gazetarë të rinj, kryesisht të gazetës Koha ditore, të angazhuar edhe nga media amerikane, gjatë dhe pas luftës. Ata, pothuajse fëmijë kur fillojnë punën në gazetari, piqen shpejt përmes zhvillimeve dinamike dhe tragjike të kohës së luftës. Dhe, ata/ato parashtrojnë pyetje e dilema mbi jetën, vlerën e sakrificës për një jete të re që po lindte nga gërmadhat. Një jetë me shumë sfida, që, siç e ka treguar edhe rrjedha e mëvonshme e kohës, vazhdojnë të mbeten të patejkaluara… “Rrëfimi përcjell transformimin e tyre të jashtëzakonshëm nga fëmijë të luftës, në udhëheqës të një shteti të ri. `Një normale Jeta” është një dokumentar intim, i sinqertë dhe befasisht prekës…”, thuhet edhe në prezantimin e filmit, të bërë nga organizatori.
I konceptuar si një “freskim” i programit të festivalit, koncerti i duos Agona Shporta dhe Tringa Sadiku, në vazhdim, ka qenë një befasi e këndshme për publikun. Më tepër se kaq, ai ka qenë plotësisht në nivelin e programit dhe e ka përplotësuar atë. Agona si këngëtare dhe Tringa si kitariste kanë dhënë një performim mjaft mbresëlënës. Ato janë imponuar me një siguri të lavdërueshme në skenë dhe me një virtuozitet në interpretimin e këngëve dhe melodive. Përzgjedhja e këngëve – shumica këngë të njohura popullore shqiptare – ishte po ashtu mjaft e qëlluar dhe me shije. Këngëve tradicionale nga jugu dhe nga veriu shqiptar ato u kanë dhënë një timbër të lehtë xhazi dhe bluzi, edhe një dëshmi se dy muzikantet e reja krijojnë artin e tyre me koncept të qartë rreth asaj që duan të arrijnë.
Festivali “Kino Kosova” vazhdon deri të dielën programin e tij me filma nga Kosova dhe Ballkani.
Platforma Albinfo.ch, si partnere mediale e festivalit, do të sjellë në vazhdimësi momente dhe përshtypje nga ky program.
Autore e fotografive: Fiona Myrtaj, albinfo.ch
Të ngjashme
Të tjera nga Uncategorized
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar























