Futboll

Kombëtarja polake shoqërohet me avionë luftarakë rrugës për Katar

Kombëtarja polake u shoqërua për arsye sigurie nga dy avionë luftarakë F-16 gjatë rrugës për në Katar

Polonia në ditët e fundit ishte në qendër të vëmendjes politike.

Ditën e martë, një raketë që mendohet se është prodhuar nga Rusia, goditi një zonë ku po thahej gruri në Przewodow, një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell albinfo.ch.

Dy persona humbën jetën, tensioni është rritur dhe kryeministri polak thirri një takim urgjent të zyrtarëve të sigurisë kombëtare për shkak të një krize, siç e cilësoi ai, situatën e krijuar.

Akoma nuk dihet nëse shpërthimi është shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase apo një raketë ruse në një ditë kur Rusia lëshoi dhjetëra raketa në Ukrainë.

Polonia është shtet i NATO-s, ndërkohë që ushtria është vënë në gatishmëri. Kombëtarja ka fluturuar drejt Katarit, aty ku do të garojë në Kupën e Botës në Grupin C me Argjentinën, Meksikën dhe Arabinë Saudite.

Kombëtarja polake u shoqërua për arsye sigurie nga dy avionë luftarakë F-16 gjatë rrugës për në Katar, veprim që është pritur mirë nga Robert Lewandowski me shokë, të cilët takimin e parë në Kupën e Botës do e luajnë ndaj Meksikës (më 22 nëntor, 17:00).