Lajme
Komuna e Crans Montanës e pranon se lokali ku ndodhi tragjedia nuk u inspektua nga 2019
Komuna e Crans-Montana ka pranuar se lokali Le Constellation, i shkatërruar nga zjarri, nuk është kontrolluar që nga viti 2019. Autoritetet komunale shprehën “keqardhje të thellë” për këtë dështim, duke folur për mungesë kontrollesh periodike gjatë viteve 2020–2025.
Këto deklarata u bënë të ditura gjatë një konference për shtyp, ku komuna paraqiti dokumentacionin zyrtar të dorëzuar më 3 janar në Prokurori, që përfshin rreth 60 dokumente. Hulumtimi është bazuar në afro 60 vite arkiva komunale, të cilat përshkruajnë të gjitha procedurat administrative që lidhen me lokalin, i hapur fillimisht në vitin 1967 dhe i transformuar në 2015, përpara krijimit të komunës së bashkuar të Crans-Montana-s në vitin 2017.
Asnjë kontroll mes viteve 2020 dhe 2025
Sipas ligjit, shërbimi komunal i sigurisë është i detyruar të kryejë kontrolle vjetore në objektet e hapura për publikun. Kryetari i komunës, Nicolas Féraud, konfirmoi se kontrolle (përfshirë sigurinë nga zjarri) janë kryer në vitet 2016, 2018 dhe 2019, por jo më pas.
“E pendojmë thellësisht këtë,” deklaroi Féraud, duke shtuar se aktualisht nuk ka një shpjegim për këtë neglizhencë. “Jemi thellësisht të trishtuar dhe nuk kemi përgjigje për momentin.”
Komuna theksoi se gjykatat do të përcaktojnë ndikimin e kësaj mungese kontrolli në zinxhirin e shkaqeve që çuan në tragjedi dhe se ajo do të marrë përsipër çdo përgjegjësi që do të vendosë drejtësia.
Çështja e shkumës akustike
Autoritetet komunale deklaruan se kontrolli i shkumës akustike në tavanin e bodrumit nuk ishte pjesë e mandatit të tyre, pasi punimet e brendshme nuk kishin kërkuar leje ndërtimi, as në vitin 2015 e as më pas. Megjithatë, pronari kishte detyrimin të respektonte ligjet për përzgjedhjen dhe vendosjen profesionale të materialeve.
Sipas komunës, gjatë një kontrolli të verandës në vitin 2015, shërbimi i sigurisë kishte verifikuar edhe veshjen akustike dhe nuk kishte konstatuar probleme. As në kontrolle të tjera të mëvonshme nuk ishin evidentuar shqetësime.
Masa të reja sigurie
Pas zbulimit të këtyre mangësive, kryetari Féraud njoftoi se një zyrë e jashtme e specializuar do të angazhohet për të kryer kontroll urgjent të 128 lokaleve publike në territorin e komunës. Po ashtu, do të kërkohet kontroll i materialeve, edhe pse ligji nuk e detyron një gjë të tillë.
Komuna ka vendosur gjithashtu ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në të gjitha ambientet e mbyllura.
Kapaciteti dhe pajisjet e sigurisë
Sipas autoriteteve, lokali Le Constellation kishte dy dalje emergjence, të mjaftueshme për këtë lloj objekti, dhe një fikës zjarri, i konsideruar i mjaftueshëm për madhësinë e hapësirës. Po ashtu, u theksua se nuk ishte i detyrueshëm një sistem alarmi kundër zjarrit për këtë kapacitet.
Kapaciteti maksimal i lokalit ishte 200 persona, 100 në bodrum dhe 100 në katin përdhes.
Reagimi i Kantonit
Këshilltari shtetëror i Valais-it përgjegjës për sigurinë, Stéphane Ganzer, deklaroi se kontrolli i materialeve, veçanërisht i një shkumë të tillë, “është pjesë bazë e çdo kontrolli sigurie”. Ai u shpreh i tronditur dhe i zemëruar nga mungesa e kontrolleve periodike që nga viti 2019.
“Janë konstatuar mangësi serioze dhe këto nuk duhet të ndodhin në një vend si i yni,” tha Ganzer, duke shtuar se kantoni po shqyrton masa urgjente shtesë, përfshirë ndalimin e mjeteve piroteknike në ambiente të mbyllura.
Nuk ka dorëheqje nga autoritetet lokale
I pyetur për dorëheqje, Nicolas Féraud u përgjigj negativisht:
“Ne jemi zgjedhur nga populli. Nuk e braktisim anijen në mes të stuhisë – ne marrim përgjegjësi.”
Ai theksoi se autoritetet kanë shprehur trishtimin e tyre disa herë, duke shtuar se nëse do të kishin pasur dijeni për probleme konkrete, do të kishin marrë masa menjëherë.
Avokati i viktimave kërkon përgjegjësi të plotë
Avokati Romain Jordan, që përfaqëson disa nga viktimat, deklaroi se komuna dhe të gjitha autoritetet duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë. Ai kritikoi mungesën e kërkim-faljeve dhe theksoi se numri i madh i mangësive ngre pyetje serioze për hapjen e një hetimi më të thelluar ndaj komunës.
Sipas tij, përpjekja e komunës për ta paraqitur veten si viktimë është e papranueshme dhe cenon statusin e viktimave të vërteta të kësaj tragjedie.
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në Waldshut‑Tiengen, 6 të lënduar, përfshirë tre fëmijë të vegjël Një familje pesëanëtarëshe dhe një shofer kamioni u lënduan në një aksident trafiku në Liedermatte pranë... -
Vërshimet në Kosovë ngrenë alarmin: A i keni të siguruara shtëpitë tuaja mërgimtarë? -
Fate Velaj, nga emigrant i thjeshtë në ambasador në Austri -
Sot vazhdon numërimi i votave tjera të mbërritura me postë -
“Trim mbi trima” jehon në Muzeun e Vjenës nga zëri i 14-vjeçares Anna Krasniqi
Jeta në Zvicër
-
Huazimet emergjente të Covid-19 ende shqetësojnë mijëra kompani zvicerane Gjashtë vite pas pandemisë së Covid-19, rreth 6,000 procese gjyqësore ende vazhdojnë lidhur me huat emergjente... -
Një ciklon “bombë” po i afrohet Zvicrës me shpejtësi mbi 118 km/h -
Katastrofa në Crans-Montana: Avokatët përgatisin padinë për përgjegjësinë e shtetit -
Si po përballen Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) me të ftohtin ekstrem dhe borën në shina -
Zvicër: Referendum kundër lehtësimit të ligjit për materialet ushtarake











