Kosova
Komunat në veri votojnë sërish për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës
Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të premten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.
Kjo është hera e dytë që ato votojnë për këtë, pas votimit të 18 dhjetorit të vitit të kaluar.
Por, votimi i dhjetorit ishte shpallur i paligjshëm nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për shkak të parregullsive procedurale, pasi, ndër të tjera, propozimi ishte bërë nga kryetarët e komunave.
“Kjo praktikë bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale (neni 47.2), i cili përcakton se vetëm anëtarët e kuvendit kanë të drejtë të kërkojnë shtimin e pikave në rendin e ditës gjatë seancës, dhe atë vetëm për çështje urgjente me rëndësi publike”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook pas votimit të dhjetorit.
Ai e kishte kritikuar Listën Serbe se me këtë votim po synonte “nxitjen e ndasive ndërmjet komuniteteve, përçarjen, mosbesimin dhe tensionet, duke treguar mungesë gatishmërie për të bashkëpunuar me komunat e tjera në kuadër të Asociacionit”.
Vendimi i ri i së premtes duhet t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për aprovim, pasi ajo është organi kryesor mbikëqyrës i komunave.
Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.
Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.
Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.
Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare./REL
E-Diaspora
-
Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri: Jemi të gatshëm të ndihmojmë familjet e viktimave Pas tragjedisë së rëndë në Vjenë, ku humbën jetën tre shtetas nga Kosovë, komuniteti shqiptar në... -
Vjenë
Autopsia e viktimave kosovare në Vjenë nis pas aksidentit tragjik në kantier -
Në mesin e viktimave në Vjenë është edhe një ish-veteran i UÇK-së -
Tragjedia në Austri, Ministria e Diasporës: Po koordinohemi me familjarët për kthimin e trupave -
Vjenë
Tragjedia në Vjenë, Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri shpreh dhimbje dhe solidaritet
Jeta në Zvicër
-
Banka Kombëtare Zvicerane pritet të mbajë normat në 0% gjatë vitit Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) pritet të vazhdojë me një qasje të kujdesshme monetare gjatë vitit 2026,... -
Furnizimi me energji në Zvicër nuk është në rrezik -
Futbollisti mbetet jashtë Kombëtares së Zvicrës për shkak të shkeljeve në trafik -
Shqiptari i mbijetuar rrëfen për Blick tmerrin në autobusin e djegur në Kerzers të Zvicrës -
Sindikatat kërkojnë që 1 Maji të shpallet ditë pushimi kombëtare në Zvicër












