Kulturë

Elisabeth Kaestli

Shkrimtare

Shumë qytetarë në Evropë nuk mund ta perceptojnë se si është t’i kesh 14 fëmijë, shtatë djem e shtatë vajza dhe të gjithë të jetojnë bashkë në mënyrë të harmonizuar e të jenë solidarë. Aq më pak mund të kuptohet që kjo familje të emigrojë në vendet evropiane dhe t’i bëj dikujt përshtypje pozitive.

Megjithatë është një shkrimtare zvicerane Elisabeth Kaestli, e cila është frymëzuar nga kjo familje kosovare, duke shkruar një roman me emrin: “Shtatë vëllezër, shtatë motra – një familje kosovare nëpër botë”. Kjo vepër është promovuar në Kosovë, në hotel “Graçanica” në Graçanicë.

Shkrimtarja Kaesteli është frymëzuar kryesisht nga solidariteti i familjes dhe vështirësitë me të cilat ajo është përballur gjatë jetës së tyre. Shkrimtarja zvicerane pasqyron jetën e 14 fëmijëve të familjes Reka nga Kaçaniku, që morën rrugët e botës për t’i shpëtuar mjerimit.

“Romani është një pasqyrë nga Kosova, që pasqyron ngjarjen, historinë e emigracionit të këtij vendi”, ka thënë shkrimtarja Kaestli, e cila ketë familja e ka njohur në Zvicër. Ajo fillimisht kishte njohur dy nga familjarët Reka, të cilët pastaj e kanë ftuar në fshatin e tyre të lindjes, ku ajo është njoftuar me gjithë familjen.

Shkrimtarja zvicerane është mahnitur me solidaritetin e kësaj familje, sesi njëri anëtar e mbanë tjetrin.

Këta janë një familje e fortë që e mbajnë njëri-tjetrin, në krahasim me çfarë kanë kaluar, nga emigracioni e jeta e vështirë”, ka treguar Kaestli, e cila mundohet të kuptojë shtetin e Kosovës, që nuk ka mundësi të krijojë kushte për këtë familje.

Romani i Kaestli përshkruan me ngjyra të gjitha copëzat e mozaikut familjarë, nga jeta sociale, shkollimi, migrimi dhe jeta në shoqëri. Ajo përshkruan veç e veç shkollimin e 14 fëmijë të familjes Reka, shtatë djemve dhe shtatë vajzave, duke e krahasuar me atë të babait të tyre.

“Babi i tyre që ka qenë autodidakt ka mësuar shkrim dhe lexim në ushtri, e këta që shumica e kanë kryer fakultetin kanë punuar në shumë vende të botës dhe kanë krijuar një bazë materiale, e cila iu siguron mirëqenie”, ka deklaruar Elisabeth Kaestli.

Ajo tha se për t’i takuar familjarët dhe për të dëgjuar “rrëfimin epik” të secilit anëtarë, ka udhëtuar nëpër vendet e ndryshme të botës ku këta familjarë janë shpërndarë, në Zvicër, Gjermani, Belgjikë e Danimarkë, në mënyrë që të dëgjojë rrëfimin prej secilit prej tyre.

“Me 12 nga 14 vëllezërit dhe motrat kam mundur të zhvilloj biseda, ndërsa dy nga ata nuk kam mundur t’i takoj”, ka thënë Kaestli.

Në librin e saj flet për biografinë e secilit prej tyre, ku kanë lindur, si e kanë kaluar fëmijërinë e tyre. Kaestli në promovim ka lexuar dy rrëfime të viteve të ’80-ta, ku përshkruan jetën e varfër e të vështirë të familjes, e që janë bërë motive për të emigruar në Evropë.

“E çmoj shumë këtë familje sepse janë tepër guximtarë dhe të zellshëm, dhe krenohem me ta”, ka treguar Kaestli, e cila tha se pas shumë vuajtjeve ata tashmë jetojnë mirë në qytetin e tyre. “Gjatë verës të gjithë bëhen bashkë dhe rreth tavolinës së madhe i qajnë hallet e tyre”, tha ajo

Ndryshe, hoteli ku u promovua libri, është pronë e një qytetari zviceran i cili ka investuar në Kosovë. Edhe pse ky hotel është ndërtuar në komunën e Graçanicës, e cila dominohet nga komuniteti serb, në hotel Graçanica, gjysma e punëtorëve janë shqiptarë e gjysma serbë, prandaj edhe klientët janë të përzier

 

16.12.2013

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriElisabeth Kaestli
  • Vendi ku vepron:Cyrih-Zvicër
  • Profesioni:Shkrimtare

  WHO’S WHO të tjera