Lajme
Konflikti Izrael-Iran: Vazhdojnë sulmet, dhjetëra viktima në të dyja anët
Shpërthime të fuqishme kanë tronditur qytetet kryesore të Izraelit, përfshirë Tel Avivin dhe Jerusalemin, gjatë natës, teksa raketat e lëshuara nga Irani u përballën me mbrojtjen ajrore izraelite, duke ndriçuar qiellin me breshërinë e ndërhyrjeve mbrojtëse, shkruan BBC, transmeton albinfo.ch.
Në orët e para të mëngjesit, ekipet e shpëtimit në Izrael janë ende në kërkim të personave të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur në qendër të vendit, pas një goditjeje të drejtpërdrejtë. Edhe qyteti bregdetar i Haifës, i njohur për portin dhe rafinerinë e tij të naftës, ka raportuar dëme nga sulmet ajrore.
Nga ana tjetër, Izraeli ka vazhduar ofensivën kundër Iranit, duke goditur, sipas njoftimeve zyrtare, një qendër komande të Forcës elitare Quds në Teheran. Sulmet izraelite kanë tejkaluar objektivat ushtarake dhe bërthamore, duke shënjestruar gjithashtu ndërtesa qeveritare dhe objekte energjetike, ndërsa raportet flasin për goditje edhe në zona të banuara, duke ngritur shqetësime për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, transmeton albinfo.ch.
Autoritetet izraelite kanë sinjalizuar se kjo mund të jetë një fushatë ushtarake e zgjatur, ndërsa Irani ka reaguar duke thënë se ka të drejtë të mbrohet nga agresioni dhe nuk do të pranojë të negociojë nën kërcënimin e armëve.
Bilanci i viktimave mbetet i rëndë. Të paktën 19 persona kanë humbur jetën në Izrael që nga fillimi i sulmeve ndaj Iranit, ndërsa ministria iraniane e shëndetësisë ka raportuar mbi 220 të vrarë nga bombardimet izraelite që prej së premtes.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje, ndërsa komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe rikthim në tryezën e bisedimeve. Ndërkohë, civilët në të dyja anët e konfliktit po përballen me frikë, pasiguri dhe pasoja të rënda nga përshkallëzimi i dhunës, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Mungesa e fondeve vonon lançimin e kartës elektronike të identitetit të Zvicrës Zhvillimi i e-ID, i miratuar në një referendum në shtator 2025, ishte planifikuar për vjeshtën e... -
Treni i ri i natës nga Berna drejt qyteteve evropiane nis më 2026 -
Zvicra me çmimet më të larta në Evropë -
Sa kushton marrja e shtetësisë zvicerane -
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave











