Integrimi

Korab Rashiti: Të bashkojmë votën, pavarësisht nga përkatësia partiake

“Është thelbësore që të mbledhim forcat tona, sepse qëllimi im nuk është vetëm për të përfaqësuar pozitat e partisë, por edhe për të punuar aktivisht në mbrojtje të interesave të qytetarëve me dy shtetësi, shqiptarë dhe zviceranë”

Korab Rashiti është bërë i njohur si shqiptari i parë në Parlamentin e Kantonit të Bernës dhe pikërisht si përfaqësues i një partie atipike, kur kemi të bëjmë me të huajt: SVP/UDC. Tani ai është kandidat i po kësaj partie, për zgjedhjet parlamentare në nivel federal, që mbahen më 22 tetor. Në intervistën për Albinfo.ch, Korab Rashiti flet për motivin që e ka shtyrë të kandidojë, përgatitjet, pritjet e tij etj.

Albinfo.ch: Jeni nominuar nga partia juaj, si kandidat për zgjedhjet federale (për Parlamentin Nacional) që mbahen më 22 tetor të këtij viti. Ju jeni prej kohësh aktiv në politikë dhe së fundi, deputet në Parlamentin e Kantonit të Bernës. Çfarë ju ka shtyrë konkretisht të provoni veten në nivelin nacional?

Korab Rashiti: Në të vërtetë, pas zgjedhjes sime në Parlamentin e kantonit të Bernës, anëtarët dhe drejtuesit e partisë pranuan kandidaturën time në nivel kombëtar. Ky fakt dëshmon rëndësinë e pozitave të mia politike, sidomos në fushën ekonomike. Po ashtu, jam i bindur se unë vlerësohem vërtetë në radhët e UDC-së, jo vetëm në nivel kantonal, por edhe në nivel kombëtar, dhe imazhi i njerëzve me origjinë të huaj ka evoluar në një mënyrë pozitive edhe falë angazhimit tim për vlera të rëndësishme, të tilla si shteti i së drejtës liberale.

Albinfo.ch: Sigurisht, Ju ka propozuar partia juaj, dhe ju i jepni llogari asaj, duke kërkuar mbështetjen nga ajo. Por, komuniteti shqiptar ka po ashtu interesin e tij në këto zgjedhje. Mbretëron mendimi se tashmë janë pjekur kushtet që të ketë një ose më shumë politikanë me rrënjë shqiptare në parlamentin federal. E ndani dhe ju këtë mendim?

Korab Rashiti: Po, persona me origjinë shqiptare, të natyralizuar si zviceranë kanë treguar qartë integrimin e tyre të suksesshëm në jetën shoqërore në të gjithë Zvicrën. Sot, nuk është më çudi të gjeni gjyqtarë, mjekë, sipërmarrës të suksesshëm dhe shumë të tjerë që vijnë nga ky komunitet. Megjithatë, ende mbetet një kapitull i ri për të hapur: përfaqësimi në Parlamentin Kombëtar. Dhe çfarë ka më mirë se të përfaqësohemi në kuadër të shumicës së qendrës-djathtë, në vete të UDC-së, partisë më të madhe në Zvicër.

Albinfo.ch: A llogaritni shumë në mbështetjen nga komuniteti shqiptar, në këto zgjedhje apo mendoni se e keni bazën e sigurt te zgjedhësit tradicionalë të partisë suaj?

Korab Rashiti: Një pyetje shumë e rëndësishme. Hyrja në një vend në Këshillin Kombëtar është një sfidë e madhe dhe, megjithëse unë kam një bazë elektorale, pa mbështetjen e komunitetit shqiptar, kjo është e pamundur. Unë besoj se pika kryesore që duhet të kuptohet është se nëse komuniteti shqiptar nuk voton për kandidatin e vet, atëherë asgjë nuk mund të arrihet. Ne duhet ta shohim këtë mundësi me entuziazëm, sepse simboli që do të dalë nga kjo do të jetë shumë i fortë. Do të ishte një faqe historike për Zvicrën dhe prej aty do të kishim të drejtën të dëgjojmë zërin tonë në nivelin më të lartë legjislativ.

Unë bëj një thirrje për të gjithë shqiptarët në kantonin e Bernës: shkoni të votoni dhe mos e shpërndani votën tuaj. Është thelbësore që të mbledhim forcat tona, sepse qëllimi im nuk është vetëm për të përfaqësuar pozitat e partisë, por edhe për të punuar aktivisht në mbrojtje të interesave të qytetarëve me dy shtetësi, shqiptarë dhe zviceranë. Së bashku, ne mund të bëjmë ndryshimin.

Albinfo.ch: Çfarë i premtoni komunitetit shqiptar (ose edhe të tjerëve, me sfond migracioni) në rast se do të zgjidheni deputet? A mund të na thoni, me pak fjalë: përse duhet t`ua japë votën një shqiptar, person me të drejtë vote në Zvicër?

Korab Rashiti: Babai im Ismet Rashiti u angazhua për një pjesë të madhe të jetës së tij në lirinë e Kosovës. Unë shpesh vizitoj atje, fëmijët e mi flasin gjithashtu shqip, dhe jam krenar për origjinën time dhe kulturën time. Së pari, unë i njoh plotësisht nevojat e komunitetit. Në vend të parë, fuqia blerëse është një prioritet. Më pas, kujdesi pa diskriminim në shkolla është thelbësor, ashtu si dhe ndërtimi i lidhjeve të rëndësishme mes ndryshme shoqatave shqiptare dhe institucioneve zvicerane. Unë besoj se komuniteti shqiptar në Zvicër është në kërkim të ngritjes sociale, dhe me mua, dera do të jetë e hapur dhe e arritshme, kjo është dëshira ime më e thellë. Unë do të jem ambasadori juaj brenda partisë më të madhe, aty ku kjo ka rëndësi të vërtetë, dhe zëdhënësi juaj në parlament, përfshirë komisionet, pse jo Komisionin për Marrëdhëniet e Jashtme, për shembull.

Albinfo.ch: Cila është fusha specifike në të cilën do të angazhoheni si deputet, në rast se zgjidheni?

Korab Rashiti: Prioritetet e mia janë kryesisht të fokusohen në fuqinë blerëse. Në fakt, shumë persona të komunitetit shqiptar punojnë në sektorin privat, dhe tatimet, taksat dhe të tjera detyrime i ndëshkojnë rëndë bashkëqytetarët tanë. Pastaj, kemi çështjen e çmimit të sigurimit shëndetësor, ku kostot janë tepër të larta. Është e domosdoshme të ndërmerren reforma për të lehtësuar faturat. Gjithashtu, është e rëndësishme të krijojmë lidhje ekonomike më të forta me Kosovën dhe Shqipërinë dhe të punojmë drejt një tregu të lirë midis këtyre vendeve për të krijuar mundësi fitimi për të gjithë.

Për komunitetin shqiptar konkretisht, çështjet lidhur me pensionet AVS/AHV dhe shërbimet tjera duhet të funksionojnë në të njëjtën mënyrë si për komunitetet e tjera. Asnjë dallim nuk do të pranohet.

Albinfo.ch: Ndonjë fjalë me të cilën doni t`i drejtoheni komunitetit shqiptar, gjegjësisht lexuesve të Albinfo.ch me rastin e garës tuaj për Parlamentin e Zvicrës?

Korab Rashiti: Shpesh dëgjohet se jemi të aftë individualisht, por jo kolektivisht. Etiketa e partisë nuk ka vlerë të vërtetë këtu. Ajo që ka rëndësi është se ne po shkruajmë një kapitull të ri për komunitetin shqiptar në Zvicër. Pas kaq shumë vitesh, është koha të kemi një zë në Këshillin Kombëtar. Të bëjmë një përjashtim, t’i bashkohemi siç bëmë njëherë në të kaluarën. Mos të ndahemi, por të mbështesim njëri-tjetrin, sepse kjo vlen shumë.

Dhe nëse shkoni për të votuar, merrni materialet e votimit dhe merrni fletën e bardhë me listat e partive. Merrni një listë të zbrazët dhe shkruani emrin e partisë me dorë, ju lutem: SVP/UDC. Pastaj shënoni 2 herë emrin tim, Korab Rashiti (01.18.0), në listë. Nëse doni më shumë informacione, mund të më ndiqni në Facebook. Duke vepruar së bashku, veprojmë për historinë.