Tematike

Kosova, atdheu i dytë për Annelies Schneller

Humanistja e njohur zvicerane, Annelies Schneller, ka mbushur 60 vjet. Pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar duke iu ndihmuar njerëzve me nevojë.

Schneller nuk e ka në plan të ndalet, humanizmi i saj ka prekur në shumë vende të botës.

“Unë punoj ende si mësuese, kur do të pensionohem nuk e di me çka do të merrem, por me siguri se do të angazhohem në ndonjë projekt tjetër bamirësie në ndonjë vend tjetër të botës”, tha për Albinfo.ch Annalies Schneller.

Në kremten e ditëlindjes, në Kilchberg të Cyrihut, këtë fundjavë ajo kishte ftuar miq dhe bashkëpunëtorë nga e tërë bota.

Në mesin e tyre edhe miqtë nga Kosova, shumica prej tyre invalidë të luftës së UÇK-së, të cilët ishin ndihmuar nga Annalies në kohët më të vështira.

“Kam ftuar njerëz nga vende të ndryshme të botës, të cilët enkas kanë ardhur në ditëlindjen time. Kam ftuar edhe miqtë nga Kosova, shumica prej tyre invalidë të luftës, të cilët kanë qëndruar me muaj këtu te ne dhe i kemi  përcjellë gjatë trajtimit të tyre mjekësor në spitalet e Zvicrës, në kuadër të projektit “Shpresa”, tha Annelies.

Ajo shprehet e lumtur dhe thotë se Kosova më është bërë atdheu im i dytë.

Kremtja e ditëlindjes ishte më e veçantë me paraqitjen e saj në skenë, duke  kënduar vazhdimisht me nxënësit, të cilët kishin përgatitur një program të posaçëm për mysafirët.

Nuk kanë munguar as mesazhet për të ndihmuar njëri-tjetrin.

Për Gazmend Gashin, invalid i luftës, ushtar i Brigadës 121, “Ismet Jashari- Kumanova”, Annelies Schnneller thotë të ketë bërë shumë për të, po edhe për shumë ish-luftëtarë të UÇK-së, në kohën kur më së shumti patën nevojë.  

Ndonëse Gashi kishte qenë edhe në ditëlindjen e 50-të të Annelieses, pas 10 vjetëve ndjenjat janë të veçanta. “Annelies Schnneller e kemi të veçantë, ajo shpesh na viziton, madje na ka nderuar dhe ka qenë në dasmën tonë”, thotë Gashi.

Operimin e tij në një spital të Liestalit të Zvicrës e kishte ndihmuar bashkë me Shoqatën e Invalidëve të Luftës edhe Anelies Schneller.

Ajo nuk na ka harruar, thotë Gashi. “Për 7 vje na ka mundësuar pushimet verore në Lezhë të Shqipërisë, mua edhe shokëve të mi”, tha Gashi. 

“Mos me pas qenë Annelies Schnneller,unë nuk do të isha sot”, thotë  Bedri Kukalaj, invalid i luftës së UÇK-së

“Unë jam shëruar me ndihmën e Annelieses. Ajo ka mundësuar operimin tim. Kam qenë me shkallë mbi 70 për qind të invaliditetit, por ja ku jam sot, në ditëlindjen e saj”, tha Bedri Kukalaj.

Edhe Shpëtim Agusholli, ushtar i Bigadës 138 “Agim Ramadani”, invalid i lutës, ndjehet i lumtur që është pjesë e një ahengu ku festohet bashkë me Anneliesen. “Unë i uroj asaj shëndet dhe jetë të gjatë, gjithmonë do të jetë e veçantë për mua”, tha Agusholli.

Njëri prej bashkëpunëtorëve kosovarë që ka punuar një kohë të gjatë me humanisten Annalies është Hazir Haziri.

Ai kishte punuar në shumë projekte bamirësie me zviceranen Schnneller, prej atyre të rehabilitimit të ish-ushtarëve të UÇK-së në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni,e deri në Afrikën e Jugut, Indi dhe Egjipt.

Haziri thotë se pak njeh humaniste të kalibrit siç është zvicerania Annelies.

“Atë e njoh nga projektet që ka realizuar jo vetëm në Kosovë,por edhe në Afrikë të Jugut, Indi dhe Egjipt. Aty të bën të kuptosh se është njeri i madh. Të gjitha mundësitë i shtjerrë për t’i ndihmuar njerëzit”, thotë bashkëpunëtori Haziri.

“Deri 70 raste janë trajtuar në Zvicër, kryesisht invalidë të luftës, tashmë shihen rezultatet, të gjithë të shëruarit janë të integruar në institucionet e Kosovës. Shumica prej tyre punojnë në institucione të rëndësishme të vendit. Ajo iu ka ndihmuar jo vetëm për shërimin fizik por edhe atë psikik dhe për integrimin e tyre”, bën të ditur Haziri.

Ai thotë se të gjithë e njohin Annaliesen, nëse jo me emër, atëherë kur ta shohin sigurisht që e njohin.

“Kudo që kam shkuar me të, jam ndier si në shtëpinë time, ngase të gjithë në Kosovë, në Maqedoni dhe në Shqipëri kanë hapur dyert për ne”, përshkruan misionin bamirës të Annalieses Haziri.

Afërsia me Kosovën e humanistes zvicerane nisi me kontaktin e parë me kosovarët.

Ajo ishte në vitin 1999 në Kosovë, kur edhe filloi mësimdhënien për nxënësit refugjatë të Kosovës.

Kontakti i dytë me Kosovën ka qenë kur e vizitoi bashkë me bashkëshorten e dëshmorit Agim Ramadani, Shukrie Ramadani.

Kjo e fundit ka qenë njëra prej bashkëthemelueseve të projektit “Shpresa”, në kuadër të të cilit gjetën shërimin në Zvicër shumë invalidë të luftës së UÇK-së.

Bashkëpunëtori i zonjës Schnneller, Hazir Haziri, i dëshiron shëndet dhe jetë të gjatë, duke i sugjeruar asaj se ka ardhur koha që ajo të mendojë edhe për veten dhe jo vetëm për të tjerët.