E-Diaspora

Kosova, miqësoren e parë e luan në Zvicër?

Burime nga Federata e Futbollit, kanë thënë se Kosova është shumë afër arritjes së marrëveshjes që ndeshjen e parë ta luaj me Kolumbinë edhe atë në Zvicër

Ndeshja e parë historike e Reprezentacionit të Kosovës në Futboll do të luhet më 5 mars në Zvicër, por akoma nuk është caktuar se cili do të jetë kundërshtari i parë, që do të bëj historinë. Kështu të paktën konfirmojnë burime nga Federata kosovare e Futbollit në Prishtinë.

Sipas tyre, në kombinim janë pesë shtete, Kolumbia, Ishujt Faro, Gana, Xhamajka apo Mauritania që do të luajnë miqësoren e parë me Kosovën.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka thënë se Federata është në kontakte me 4 agjenci për aranzhimin e ndeshjeve, por ende nuk ka asgjë konkrete.

Është një afat i shkurtër, andaj kundërshtari i parë i Kosovës për miqësoren, sipas tij, do të dihet brenda 2-3 ditëve.

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, kishe paralajmëruar se shumë shpejt do të mësohet kundërshtari që do të luaj me Kosovën më 5 mars.

Megjithatë, duket paksa e vështirë që në këtë kohë të gjendet kundërshtari, pasi që shumica e shteteve kanë përcaktuar kundërshtarët për 5 mars.

Ka rënë ndesh me fjalët e përzgjedhësit, pasi që ka thënë se ende nuk ka asgjë në këtë drejtim. Dje as Bunjaku nuk ka qenë në gjendje të japë emrin edhe pse një ditë më herët kishte thënë se të hënën mësojnë emrin e kundërshtarit.

“Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, është duke bërë çmos që të gjejë një kundërshtar për t’u zhvilluar ndeshja e parë. Ai edhe në këto momente kur po flasim është jashtë vendit duke kërkuar për një gjë të tillë”, ka thënë ndërkaq zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fazli Berisha.

Ditëve të fundit Vokrri, sipas tij, ka vizituar vendet si Francën, Belgjikën e Zvicrën për të gjetur mundësin më të mirë, por tash për tash, nuk është përcaktuar se as ku mund të luhet ndeshja e parë në Kosovë apo jashtë saj.

“Janë shumë probleme, përveçse pothuajse të gjitha përfaqësueset tashmë kanë gjetur kundërshtarët e vet, këtu në vend edhe infrastruktura po na sjell probleme. Gjithsesi në këtë moment mund të them se jemi duke lobuar për të realizuar ndeshjen e parë, por që ende nuk ka asgjë të sigurt”, tha për “Zërin”, Fazli Berisha.

Gjithsesi, burime në Prishtinë të afërta me Federatën e Futbollit, kanë thënë se Kosova është shumë afër arritjes së marrëveshjes që ndeshjen e parë ta zhvillojë me përfaqësuesen e Kolumbisë, madje ndeshja e parë mund të luhet në Zvicër.

Se ndeshja do të luhet ashtë Kosovës, kjo është qartë pasi që Kosova nuk posedon infrastrukturë të nevojshme që lojërat e nivelit të FIFA-s të luhen në stacionet vendore. Edhe nëpër mediet tjera është thënë se loja e parë miqësore e Kosovës do të luhet në Zvicër.