Karriera në Ballkan

Kosova nderon “kolosët”

Personalitete të ndryshe nga bota e artit, kulturës, shkencës, sportit, janë nderuar me mirënjohje e dekorata, nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës

 

Viti 2012 është konsideruar i veçantë për shqiptarët në botë. Është viti i ditëlindjes së 100-të të Shqipërisë si shtet. Për nderë të këtij jubileu, institucionet e Kosovës kanë “lëshuar dorën” duke ndarë mirënjohje të veçanta për ato personalitete që kanë lënë gjurmë në historinë, shkencën e sportin shqiptar.

Pavarësisht se është bërë “modë” që për çdo fundvit të shpërblehen punëtorët më të zellshëm dhe të folët fjalë miradije për ta, kësaj here institucionet kosovare kanë shpërblyer në mënyrë më të veçantë, njerëzit që me dorën e vet shkruan “epitafet” ndër vite.

Ishte Memli Krasniqi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i cili nderoi 12 personalitetet më të shquara të Kosovës në fushën e teatrit, të cilët, kati për gjysmë shekulli, kanë dominuar në skenën teatrore kosovare.

Krasniqi nderon artistët

Ky çmim, që përveç respektit institucional ka edhe vlerën materiale prej 5 mijë eurosh, iu është ndarë: Hadi Shehut, Leze Qenës, Safete Rogovës, Ahmet Spahiut, Çun Lajçit, Rauf Dhomit, Sylejman Lokajt, Xhevat Qorrajt, Adem Mikullovcit, Dibran Tahirit, Asllan Hysenit dhe Hysen Binakut.

Këto personalitet janë përzgjedhur nga një komision e ekspertëve që është themeluar nga Ministra e Kulturës.

“Është një privilegj i madh për mua të jem në këtë listë. Më vjen mirë që edhe personalitetet e Teatrit të nderohen për kontributin e tyre, dhe ky çmim ka qenë i domosdoshëm prej kohësh”, tha ndërkaq Leze Qena, aktorja që theu barrierat kombëtare të filmit dhe dramës.

Përveç këtyre “kolosëve” të artit, një dikaster tjetër po ashtu ka përzgjedhur punëtorët më të zellshëm të shkencës dhe arsimit. Është Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë e cila në një ceremoni solemne ka shpërblyer “Shkencëtarin e vitit” dhe “Shkencëtarin i ri të vitit”.

Shpërblimet këtë vit u ndanë për fusha të ndryshme të shkencës, si në filologji, mjekësi, bujqësi, shkenca natyrore dhe shkenca ekonomike.

Mirënjohje për shkencëtarët e vitit

Çmimin vjetor “Shkencëtari i vitit” iu dha: Shefkije Islamajt, këshilltare shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinë; Lul Rakës, profesor në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së; dhe Bajram Berishës, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në UP.

Ndërsa çmimin vjetor “Shkencëtari i ri i vitit” iu takoi: Qëndrim Gashit, profesor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të UP-së; Avni Berishës, asistent në Fakultetin e SHMN të UP-së dhe; Bardhok Bashotës, asistent në Kolegjin Universitar “Iliria”.

“Jemi përpjekur që këta njerëz që i zgjedhim të jenë vlera dhe natyrisht komisioni ka pasur parasysh këto gjëra, punën e tyre, angazhimin e tyre, përpjekjet e tyre dhe kemi ardhur te kjo që të ndajmë këtë shpërblim modest”, tha ministri i Arsim Ramë Buja.

Pavarësisht që nganjëherë, sipas tij, flitet se në Kosovë nuk ka hulumtim dhe shkencë, megjithatë, sipas Bujës, rezultatet janë të prekshme.

Qëndrim Gashi, ndërkaq përbën një rast shumë të rrallë ndër komunitetin shqiptar. Ai nga shkolla fillore ka shkuar drejt në fakultet, ndërsa në moshën 19 vjeçare ka mbaruar magjistraturën në Universitetin e Kembrixhit. Gashi ka doktoruar në moshën 23 vjeç në Çikago, duke u bërë një nga doktorët e shkencës më të rijnë në botë.

Ai ka ligjëruar në lëmin e Matematikës në institucione dhe kolegjet më të rëndësishme të botës, në Kembrixh, Bon dhe Paris.

Xhudistja që tejkaloi kufijtë e vendit

Nuk janë vetëm shkencëtarët e artistët që janë vlerësuar për kontributin e tyre. Kësaj aradhe i është bashkuar edhe xhudistja Majlinda Kelmendi, e cila pas 28 vitesh riktheu kosovarët në një Olimpiadën botërore. Ajo nga “Koha Grup” është nderuar me çmimin “Supersportistja e vitit”.

Ndërsa boksieri më i mirë kosovarë për vitin 2012 nga Federata e Boksit e Kosovës është zgjedhur Liridon Zeqiri nga Klubi Drita e Gjilanit. Kjo ishte hera e katërt radhazi që Zeqiri e fiton këtë shpërblim. Pesë boksierë të tjerë, ndërkaq janë nderuar për sukseset e arritura: Burim Hasani, Gazmend Gashi, Arian Gashi, Arbër Elezaj dhe Vehbi Lulaj.

Çmime të tilla për zellshmëri dhe dëgjueshmëri kanë marrë edhe personalitete nga bota e biznesit, ekonomisë, gazetarisë, blegtorisë e bujqësisë.

 

Vitit të ri iu gëzua edhe “Togeri”

Një njeri që i është gëzuar pa dyshim vitit me “dy dysha”, është edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Idriz Bala-Togeri, i cili për vite me radhë po vuante dënimin në burgun e Dubravës. Zyrtarët për lirimin me kusht morën vendosën që ta lirojë atë nga mbajtja e mëtejme e dënimit.

Ai ishte dënuar në vitin 2002 me 15 vjet heqje liri nga një gjykatë e UNMIK-ut, mirëpo në vitin 2005 bashkë me ish-kryeministrin Ramush Haradianj dhe bashkëluftëtarin Lahi Brahimaj, u dërguan në Hagë, të akuzuar se kanë shkelë ligjet e luftës.

Më 29 nëntor të këtij viti, treshja e UÇK-së u shpallën të pafajshëm, por ndryshe nga dy bashkëluftëtarët e tij që u lan të lirë, “Togeri” u rikthye në burgun e Dubravës. Mirëpo me që Haga e liroi për të njëjtat akuza, atëherë edhe zyrtarët për lirimin me kusht vendosën që ta lirojë atë nga mbajtja e mëtejme e dënimit.