Kosova

Kosova ngjitet në ranglistën ushtarake globale

FSK-ja forcohet për tri vende, ushtria e Kosovës këtë vit e 138-ta në botë

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), sipas platformës prestigjioze “Global Firepower” për vitin 2026, renditet në vendin e 138-të nga gjithsej 145 shtete të vlerësuara për fuqinë ushtarake në botë. Krahasuar me vitin paraprak, Kosova është ngjitur për tri pozita, duke reflektuar përparimin gradual në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, transmeton albinfo.ch.

Transformimi i FSK-së në një ushtri të mirëfilltë ka hyrë në fazën e tretë dhe përfundimtare, proces që ka nisur në vitin 2025 dhe pritet të përmbyllet më 2028. Kjo fazë përfshin edhe zhvillimin e kapaciteteve ajrore, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së vendit.

Aktualisht, Kosova disponon dronët turq “Bayraktar” dhe fluturaket pa pilot amerikane “Puma”, ndërsa në plan është edhe pajisja me helikopterë amerikanë “Black Hawk”. Megjithatë, databaza e “Global Firepower” nuk e konsideron Kosovën si shtet me fuqi ajrore ushtarake, pasi në këtë kategori përfshihen vetëm aeroplanët dhe helikopterët me pilotë.

Sipas të dhënave të publikuara, në rast mobilizimi maksimal, Kosova mund të angazhojë mbi 17.500 persona, ndërsa rreth 9.500 janë ushtarë të armatosur, përfshirë rreth 4.000 rezervistë. FSK-ja posedon 1.357 automjete të blinduara, prej të cilave 745 janë të gatshme për përdorim të menjëhershëm në terren.

Sa i përket logjistikës, për nevojat e ushtrisë llogariten rreth 16 mijë fuçi nafte. Duke qenë se një fuçi përmban 159 litra, kjo nënkupton mbi 2.5 milionë litra karburant të dedikuar për mbrojtjen e vendit.

Ndërkohë, Serbia vazhdon të kryesojë rajonin për nga fuqia ushtarake, duke u renditur në vendin e 63-të globalisht. Ajo ka rreth 22.500 pjesëtarë aktivë, 2.000 rezervistë dhe afro 600 mijë persona potencialisht të gatshëm për mobilizim.

Fuqia ajrore e Serbisë mbetet dukshëm më e zhvilluar, me 115 mjete ajrore luftarake dhe transportuese. Po ashtu, arsenali përfshin 242 tanke (145 aktive) dhe mbi 7.000 mjete të blinduara, më shumë se gjysma e të cilave janë të gatshme për përdorim të menjëhershëm. Buxheti i saj i mbrojtjes tejkalon 2.7 miliardë dollarë.

Në rajon, Shqipëria është ngritur për një pozitë, duke u renditur e 77-ta. Ajo ka mbi 700 milionë euro buxhet për mbrojtje, rreth 8 mijë ushtarë aktivë, afro 1.500 mjete të blinduara, 33 mjete patrulluese detare dhe 20 mjete ajrore, kryesisht helikopterë.

Kroacia renditet e 73-ta në këtë listë, ndërsa Maqedonia e Veriut zë vendin e 114-të.

Në nivel global, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten superfuqia e pakonkurrueshme ushtarake, me mbi 831 miliardë euro buxhet vjetor dhe epërsi në tokë, ajër, det dhe teknologji. Pas tyre renditen Rusia, Kina, India, Koreja e Jugut, Franca, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe Italia, që mbyll dhjetëshen më të fuqishme në botë.