Portrete të firmave
Kosova, një shtet i ri, por me zgjidhje të mëdha
Pjesëmarrja e Kosovës në World Economic Forum përmes platformës House of Kosova po merr gjithnjë e më shumë formën e një diplomacie ekonomike dhe teknologjike aktive.
Në panelin “Si po konkurron Evropa në garën e inteligjencës artificiale përmes specializimit”, Kosova u paraqit jo vetëm si pjesëmarrëse simbolike, por si vend që ofron zgjidhje konkrete për sfida globale si kriza e strehimit, urbanizimi inteligjent dhe transformimi i industrisë së ndërtimit përmes inteligjencës artificiale.
Kontributi i Kosovës u artikulua përmes dy përfaqësuesve të sektorit privat: Mentor Pllana, CEO i Instabuilt, dhe Ertion Axha, COO i Lika Holding AG, të cilët sollën në Davos përvojën praktike të zhvilluar ndër vite në tregjet evropiane dhe amerikane, duke e lidhur teknologjinë me nevojat reale të ekonomisë dhe shoqërisë.
Mentor Pllana e ndërtoi fjalën e tij mbi përvojën konkrete të kompanisë në certifikimin e modeleve të ndërtimit sipas standardeve ndërkombëtare. Ai theksoi se inteligjenca artificiale duhet të vendoset në thelbin e dizajnimit, inxhinierisë dhe proceseve të certifikimit për të përshpejtuar ndërtimin dhe për të garantuar cilësi të njëjtë në tregje të ndryshme.
“Ne kemi një plan shtëpie të certifikuar sipas kodeve të International Code Council për sigurinë në Teksas. Kjo do të thotë se me të njëjtin model mund të ndërtojmë në rreth 80 shtete të SHBA-së – të certifikuar, të inxhinieruar dhe të dizajnuar sipas standardeve ndërkombëtare,” deklaroi Pllana.
Ai shtoi se Evropa dhe Amerika po lëvizin drejt industrializimit të ndërtimit, duke kaluar nga kantieret tradicionale në fabrika të automatizuara dhe linja robotike prodhimi.
“Ndërtimi off-site është e ardhmja. Sot ekzistojnë linja robotike që prodhojnë panele në pak minuta. Ky proces nuk është më vetëm punë për njerëz, por për gra, burra dhe robotë njëkohësisht,” theksoi ai.
Në fjalën e tij, Pllana e vendosi theksin edhe te përballueshmëria e strehimit si një nga problemet më të mëdha sociale dhe ekonomike në botë.
“Kriza e strehimit nuk është vetëm problem i Kosovës apo i Evropës. Është problem global. Dhe përballueshmëria është sfida më e madhe. Duhet të ndryshojmë mënyrën si dizajnojmë dhe ndërtojmë, që nga shtëpi që kushtojnë 500 euro për ngrohje apo ftohje, të kalojmë në shtëpi që kushtojnë 100 euro. Vetëm kështu strehimi bëhet i përballueshëm, i qasshëm dhe i realizueshëm në përmasa të mëdha.” u shpreh ai.
Duke iu referuar zhvillimeve konkrete në Kosovë, Pllana nënvizoi se kompania e tij nuk synon vetëm të ndërtojë objekte banimi, por të krijojë një ekosistem inovacioni.
“Ne nuk jemi ndërtuesit më të mëdhenj në Kosovë, por synojmë të jemi ndër më cilësorët. Aktualisht po ndërtojmë dy kulla rezidenciale dhe paralelisht po krijojmë një Innovation Hub, ku do të përfshihet i gjithë zinxhiri: certifikimi, furnizimi, shpërndarja dhe hyrja në treg,” tha ai.
Sipas tij, ky model hap perspektiva të reja për prodhuesit kosovarë dhe për eksportin e produkteve të ndërtimit në tregje të mëdha ndërkombëtare.
“Nëse një prodhues dritaresh në Kosovë prodhon për një shtëpi që është 100 për qind në përputhje me kodet e Teksasit, atëherë ai produkt mund të shitet në gjithë tregun e Teksasit. Po flasim për një nga ekonomitë më të mëdha në botë,” theksoi Pllana.
Dimensionin financiar dhe institucional të këtij transformimi e solli në vëmendje Ertion Axha, COO i Lika Holding AG, i cili nënvizoi se inteligjenca artificiale nuk ka vlerë pa besimin e tregut financiar dhe pa transparencë të të dhënave.
“Inteligjenca artificiale nuk është vetëm një mjet teknologjik, por një gjuhë e re komunikimi mes zhvilluesve, institucioneve dhe investitorëve. Pa të dhëna të strukturuara dhe pa standarde të përbashkëta, nuk mund të ketë besim,” u shpreh Axha.
Ai theksoi se një nga sfidat më të mëdha në Evropë mbetet planifikimi urban dhe shpërndarja reale e ndërtimit aty ku ka kërkesë.
“Ne nuk kemi mungesë ndërtesash, por mungesë ndërtimi aty ku realisht ka nevojë. Këtu inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në parashikimin e flukseve të popullsisë dhe të nevojave reale për banim,” deklaroi Axha.
Sipas tij, proceset e gjata të planifikimit urban dhe lejeve ndërtimore ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kostos për qytetarët.
“Kur një projekt vonohet në procedurat e lejeve, ai bëhet automatikisht më i shtrenjtë për qytetarin. Përshpejtimi i këtyre proceseve përmes sistemeve digjitale është çështje e përballueshmërisë sociale, jo vetëm e teknologjisë,” theksoi ai.
Axha shtoi se bankat dhe fondet e investimit kërkojnë modele të provuara dhe transparencë të plotë.
“Bankat dhe fondet e investimit nuk financojnë ide, por modele të provuara. Inteligjenca artificiale na ndihmon të dokumentojmë suksesin, të masim rrezikun dhe të krijojmë transparencë,” u shpreh ai.
Ai përmbylli duke theksuar nevojën për koordinim mes sektorit publik, privat dhe institucioneve financiare.
“Ndërtimi inteligjent kërkon jo vetëm teknologji, por koordinim mes planifikimit qendror, sektorit privat dhe institucioneve financiare. Vetëm kështu krijohet një treg i qëndrueshëm për strehimin e së ardhmes,” përfundoi Axha.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë panel u interpretua si një ndryshim i qartë në mënyrën se si vendi po pozicionohet në arenën ndërkombëtare: nga prezantim potenciali, në ofrim të zgjidhjeve konkrete për sfida globale si strehimi, urbanizimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Në Davos, Kosova u shfaq si partner me ide, modele praktike dhe përvojë reale, duke dëshmuar se inteligjenca artificiale dhe ndërtimi industrial mund të shndërrohen në instrumente të zhvillimit ekonomik dhe social.
“Ne jemi një shtet i ri, por me zgjidhje të mëdha. Problemet globale kërkojnë zgjidhje globale,” përmbylli Mentor Pllana.
Për këtë edhe për çështje tjera rreth IA është diskutuar në kuadër të platformës House of Kosova në World Economic Forum, në panelin me temën “Si po konkurron Evropa në garën e inteligjencës artificiale përmes specializimit”.
Paneli u moderua nga Taria Stephens (CEO & Co-Founder at Infiqe) dhe mblodhi ekspertë ndërkombëtarë nga fusha e teknologjisë, ndërtimit dhe planifikimit urban: Sandy Kurth (CEO i Forma Systems, MIT Design and Computation PhD), Dimitri Papalexopoulos (Chair of TITAN Group), Alice Charles (Global Expert in Sustainable Urban Planning, Urban Regeneration & City Design), Mentor Plana (CEO of Instabuilt), Ertion Axha (COO at Lika Holding AG).
House of Kosova në Davos po konsolidohet gjithnjë e më shumë si platformë diplomatike dhe ekonomike, ku Kosova jo vetëm prezantohet, por kontribuon aktivisht në dialogun global për të ardhmen e teknologjisë, ndërtimit inteligjent dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Për albinfo.ch Luljeta Ademi
E-Diaspora
-
Gjenevë
Rame Dardania rikthehet në Gjenevë me ekspozitën “Les émotions” “Les émotions”, një udhëtim i thellë artistik në botën e brendshme të njeriut... -
Kurti pret nxënësit fitues të 16 medaljeve në Olimpiadën NEO në SHBA -
Finlandë
Vetëm 19 vjeçe, Hana Orllati magjeps jurinë e The Voice of Finland -
Belgjikë
U qëllua për vdekje, humb jetën shqiptari pas të shtënave me armë zjarri në Belgjikë -
Chair Airlines “ateron” në shinat e trameve të Cyrihut
Jeta në Zvicër
-
Tuneli i ri hekurudhor mes Cyrihut dhe Winterthurit do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit Projekt i ri hekurudhor shkurton distancën mes Cyrihut dhe Winterthurit... -
Marrëdhëniet Zvicër–Itali në tension pas hetimeve për zjarrin -
Gjashtë qytete të Zvicrës renditen më të shtrenjtat në botë -
SVP në Cyrih siguron nënshkrimet për iniciativën e re mbi strehimin -
Bazel
Legjenda e Zvicrës merr drejtimin e FC Basel














