E-Diaspora
Kremtim artistik i Ditës së Pavarësisë në Bernë
102 vjetori i pavarësisë, i gjen shqiptarët faktorë stabiliteti në Ballkan
Në mesin e shumë manifestimeve të zhvilluara këto ditë në nderim të 28 Nëntorit Ditës së Pavarësisë së shtetit shqiptar, koncerti i mbajtur më 28 nëntor ne Bernë nën përkujdesjen e Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër është dalluar për disa vlera të veçanta. I konceptuar nga regjisorja Mira Bregu, koncerti ka bërë një shpalosje të vlerave të dalluara të muzikës shqiptare nga të gjitha trevat, të interpretuara nga instrumentistë, këngëtarë e valltarë të zgjedhur.
Vulën këtij koncerti ia ka dhënë interpretimi i këngëtares shumë të njohur të xhazit në Zvicër e në Evropë, Elina Duni. Ajo ka interpretuar disa këngë nga repertori i saj i pasur dhe nga thesari i muzikës shqiptare, duke arsyetuar vlerësimin e lartë që i bëhet gjithandej në skenat muzikore ku është paraqitur.
Edhe këngëtarja Mimoza Nazarko e cila prej vitesh jeton në Zvicër, ka lënë mbresa të thella me interpretimin e saj mjeshtëror të disa këngëve të vjetra shqiptare të përpunuara. Ndërsa Ornela Zela, mbesa e ikonës së këngës shqiptare, Vaçe Zelës, ka sjellë këngë të kënduara me timbrin e veçantë të zërit të saj melankolik.
Ermira Zyrakja, një pianiste dhe pedagoge e pianos që jeton në Gjenevë, njihet prej kohësh nga dashamirësit e artit në Zvicër. Edhe kësaj here ajo përmes tingujve të pianos ka shpërfaqur mjeshtërinë dhe sigurinë e interpretimit të saj në këtë instrument. Violinistët babë e bijë: Edmond dhe Shila Basha kanë plotësuar sfondin e interpretimeve të melodive të përpunuara mbi bazën e muzikës sonë popullore. Aktori Adem Muji, i njohur për shqiptarët e diasporës së Zvicrës ka deklamuar fragmente poezish patriotike, në frymën e festës së flamurit.
Pastaj në skenë janë ngjitur valltarët e Shkollës së Vallëzimit “Shota”, të cilët kanë sjellë vrullin, ritmin dhe elegancën e valleve shqiptare të trojeve të ndryshme. Ka më shumë se 20 vite dhe disa breza të rinjsh e të rejash që kanë kaluar nëpër këtë shkollë, të drejtuar nga Agron dhe Lirie Bajrami.
Një freski në këtë koncert festiv e ka sjellë muzika e jugut, e interpretuar nga Grupi Polifonik i Cyrihut, i përbërë nga këngëtarë struganë. Një grup rapsodësh me çifteli e sharkia nga Gjeneva ka përcjellë këtu frymën e këngës nga veriu i gjeografisë shqiptare.
Publikun, në përmbyllje të koncertit, me fjalët e tyre spontane e kanë përshëndetur ambasadori i Shqipërisë ne Bernë, Ilir Gjoni, ai i Kosovës, Naim Malaj dhe u.d. i ambasadorit të Maqedonisë në Bernë, Rafet Hajdari.
Ambasadori Gjoni, duke përgëzuar artistët nga diaspora për vlerat që kanë transmetuar, ua ka “deleguar” atyre meritat si ambasadorë faktikë të kulturës shqiptare ne botë. Ai ka thënë se shekulli i kaluar dhe ky që po jetojmë janë dëshmuar si shekuj të shqiptarëve. Për këtë, ambasadori i është referuar shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në fillim të shekullit 20 dhe asaj të Kosovës, në fillim të shekullit 21. Ai ka sjellë në vëmendje të të pranishmëve edhe arritjet e shtetit shqiptar si pranimi në NATO dhe marrja e statusit të kandidatit për BE si dhe ka shfaqur bindjen se edhe Kosova si shtet më i ri është në rrugë të mirë në atë drejtim.
Ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj ,ka thënë se kombi shqiptar i përfaqësuar nga dy shtete, është shndërruar në faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan e më gjerë. Duke iu kthyer festës së Flamurit, ai ka evokuar të kaluarën kur shqiptarët në Kosovë dhe në trojet tjera jashtë kufijve të shtetit shqiptar, 28 Nëntorin e shikonin si një flakadan te i cili i ngrohnin shpresat për një të ardhme më të mirë të kombit. Më tutje Malaj është ndalur në faktorizimin e diasporës shqiptare në Zvicër në të gjitha fushat e jetës, veçanërisht në arte dhe në sport. Në këtë kontekst ai ka përmendur edhe Elina Dunin, si këngëtare të vlerësuar shumë lartë në skenën muzikore të Zvicrës dhe të Evropës.
Rafet Hajdari, ushtrues detyre i ambasadori të Maqedonisë në Zvicër në fjalën e tij ka thënë se 28 Nëntori është festa më e madhe që shqiptarët e festojnë së bashku, pavarësisht nga kufijtë shtetërorë që ata i ndajnë. Ai me këtë rast i ka përcjellë urimet të gjithë shqiptarëve urimet për festën, në emrin e Ambasadës së Maqedonisë dhe popullit të këtij vendi.
V.P.
E-Diaspora
-
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë Mërgata kosovare në Zvicër po dëshmon edhe këtë herë interes të lartë për procesin zgjedhor në... -
Zvicra nisë një fushatë parandaluese: kontakte të dobishme në rast dhune -
Bashkimi familjar në Gjermani: Sa ishin nga Kosova e Shqipëria -
Zvicra dhe Kosova drejt një epoke të re ekonomike -
KQZ lejon votimin në përfaqësitë diplomatike edhe me dokumente të skaduara
Jeta në Zvicër
-
Pse autoritetet e Cyrihut po i anashkalojnë intervistat për natyralizim? Shifrat e reja kantonale tregojnë se komunat në Cyrih po mbështeten gjithnjë e më pak në... -
Qyteti i Lozanës rrit përkohësisht pritjen emergjente për të pastrehët -
Nga 1 janari, do të jetë e mundur të plotësohen boshllëqet në kontributet për shtyllën e 3-të -
Shërbimi vullnetar zviceran i transportit të njerëzve sjell 9,100 njerëz të sigurt në shtëpi -
Fishekzjarrët e Vitit të Ri janë të rrallë në Zvicër












