Lajme

Kriptomonedhat që do të përdoren më së shumti

Kriptomonedhat po fitojnë një peshë në rritje në tregjet financiare dhe rrjedhimisht po tërheqin edhe vëmendjen e institucioneve monetare.

Disa studiues të Bankës së Shqipërisë kanë përgatitur një material kërkimor lidhur me ndikimin e monedhave dixhitale në ciklin dhe stabilitetin financiar. Materiali është përgatitur nga zëvendësguvernatorja e dytë, Natasha Ahmetaj dhe specialistët Bledar Hoda, Livia Nikolla dhe Arisa Saqe.

Në studimin e tyre autorët kanë krahasuar monedhat dixhitale të tre kategorive të ndryshme: kriptomonedhat dixhitale me çmim të luhatshëm, kriptomonedhat me çmim fiks ose stablecoins dhe paranë elektronike të bankave qendrore. Krahasimi i tyre është bërë në bazë të kritereve bazike, si lehtësia e kryerjes së transaksioneve, luhatshmëria e çmimit, mundësia e dështimit të tyre dhe lehtësia e aksesit të secilës forme të parasë, për të gjetur atë me përhapje të gjerë në publik, transmeton Monitor, përcjell Albinfo.ch.

Mes dy alternativave të monedhave dixhitale private, studimi vlerëson se stablecoins kanë një perspektivë për të gjetur përdorim më të gjerë në publik. Stablecoins janë një klasë e veçantë e kriptomonedhave që garantohen me asete fizike. Në thelb, ato janë një përpjekje për të shkrirë avantazhet e dy llojeve të monedhave: privatësinë dhe lehtësinë e transaksionit të kriptomonedhave dhe qëndrueshmërinë e sigurinë e monedhave tradicionale.

Stablecoins mund të lidhen me vlerën e tregut të një monedhe zyrtare, si për shembull dollari, ose të një aseti, si ari o metale të tjera të çmuara. Një ndër stablecoin më të njohura aktualisht është Tether, që është e garantuar me rezerva dollari amerikan dhe që ka një vlerë tregu që i përgjigjet afërsisht vlerës së një njësie të dollarit amerikan.

Kjo iu jep stablecoins stabilitetin për të cilin ka nevojë një valutë për të shërbyer si mjet këmbimi në afatin e gjatë. Nëse vlera e një monedha ka luhatje shumë të mëdha, (siç është rasti i bitcoin apo kriptovalutave të tjera), kjo e bën atë pak të preferueshme si mjet pagese, sepse subjektet që kryejnë apo pranonjnë pagesa me të do të kishin një pasiguri të lartë për vlerën e saj në kohë.

Stablecoins tentojnë ta shmangin këtë dizavantazh të kriptomonedhave të tjera, por, ana tjetër e medaljes është se lidhja me një valutë tradicionale e bën vlerën e tyre të ndikueshme nga bankat qendrore, duke e përafruar me tiparet e një monedhe tradicionale.

Megjithë avantazhet që kanë kundrejt kriptomonedhave të tjera, të lidhura kryesisht me qëndrueshmërinë e tyre, studimi i Bankës së Shqipërisë konkludon se edhe stablecoins mbartin rreziqe të ngjashme me ato të një tregu financiar tradicional të parregulluar dhe një sfidë për autoritetet kombëtare. Në veçanti, nënvizohet se përhapja e një ekosistemi të stablecoins mund të sfidojë ndërmjetësimin bankar e financiar në tregjet tradicionale financiare, të rritë mundësinë e panikut bankar dhe fenomenit të tërheqjes së menjëhershme të fondeve nga bankat, si dhe të përshkallëzojë transmetimin e goditjeve dhe cikleve financiare midis ekonomive të ndryshme.

Në përgjithësi, rreziqet që vijnë nga përdorimi më i gjerë i produkteve dhe shërbimeve të teknologjisë financiare (fintech) janë gjithashtu një burim paqëndrueshmërie për sistemin financiar, sidomos kur institucionet financiare ekspozojnë bilancet e tyre ndaj këtyre produkteve.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI