Tematike

Kriza e refugjatëve dhe dilema: Të mbrohen kufijtë apo njerëzit

Komisioni Federal për çështje të Migracionit (EKM/CFM) ka mbajtur të enjten konferencën e tij vjetore, me temën "Mbrojtje apo indiferencë?"

Tema e të huajve, në dritën e “dyndjeve” të mëdha që kane prodhuar krizat e fundit në botë, është bërë edhe më e mprehtë në opinion zviceran. Dilemat se si i duhet qasur kësaj teme kanë shoqëruar edhe konferencën vjetore të Komisionit Federal për çështje të Migracionit (EKM/CFM). Ajo ka zhvilluar punimet nën moton “Mbrojtje apo indiferencë” (Të mbrohen apo të shikohet anash). Përmes referateve të personaliteteve nga politika, shkenca dhe lëmi i migracionit si dhe përmes debateve në podium, në këtë konferencë janë rrahur aspekte të ndryshme të temës së gjerë të migracionit

Në konferencë, pjesëmarrësve u është drejtuar edhe ministrja e drejtësisë dhe çështjeve policore, Simonetta Sommaruga, në resorin e së cilës bie edhe problemi i migracionit.

Sommaruga, për shpërndarje më të drejtë të refugjatëve në Evropë

Ministrja ka shfrytëzuar këtë foltore për të bërë të njohur këndvështrimin qeveritar lidhur me zhvillimet aktuale në fushë të migracionit, në Zvicër dhe më gjerë. Ajo është marrë edhe me rastin e fundit të vendimit të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut me seli në Strassburg. Ky vendim ia ka ndaluar Zvicrës dëbimin pa kusht të një familjeje afgane në Itali. Por, ai njëkohësisht ka lënë hapësirë që, në rast se në Itali sigurohen kushte për familjen në fjalë, Zvicra mund ta dëbojë atë.

“Ne jemi duke analizuar vendimin”, ka thënë Sommaruga, duke u shprehur në lidhje me rastin. Por ministrja ka kritikuar, siç ka thënë ajo, “boshllëqet” në Marrëveshjen e Dublinit dhe faktin se disa vende nuk po u përmbahen rregullave. Sommaruga ka theksuar e megjithatë, tash për tash nuk ka alternativë për sistemin e Dublinit, i cili nuk është i përsosur por lë hapësirë për përmirësime.

Ministrja ka kërkuar një shpërndarje më të drejtë të refugjatëve, në mënyrë që të mos ngarkohen disa shtete dhe të shkarkohen disa tjera, siç po ndodh sot. Në këtë drejtim ajo ka përmendur vende si Portugalia, e cila, sipas saj, të thuash  eka “përjashtuar veten” nga detyrimi për të pranuar refugjatë.

A mund të reformohet Sistemi i Dublinit?

Në kohën kur vala e refugjatëve që ia mësyjnë Evropës perëndimore është më e madhe se ndonjëherë më parë në historinë e re, Zvicra nuk mund të qëndrojë si ishull, e izoluar nga këto zhvillime. Për këtë arsye ajo është e detyruar t`i koordinojë veprimet e saj dhe po i koordinon, me vendet tjera perëndimore, të prekura nga këto zhvillime, ka thënë Sommaruga. Ajo ka folur pastaj për traditën humanitare të Zvicrës dhe për nevojën që kjo traditë të vazhdohet, për sa kohë që ka njerëz në nevojë. Sommaruga ka tërhequr vërejtjen kundër tendencave ksenofobike që po qesin krye në shoqërinë e këtushme dhe ka apeluar që të votohet kundër iniciativës Ecopop, më 29 nëntor.
Dublini si temë, gjegjësisht (pa)mundësia e reformimit të tij është prekur edhe nga folësit tjerë. Ettiene Piguet, profesor në Universitetin e Neuchatel-it dhe nënkryetar i EKM/CFM ka folur po ashtu për mungesën e një shpërndarjeje të drejtë të refugjatëve. Përmes skemave grafike ai ka treguar se sa jo proporcionale është kjo shpërndarje. Përderisa Zvicra, Gjermania, Suedia dhe ndonjë vend tjetër në proporcion me numrin e tyre të banorëve kanë strehuar numër të madh refugjatësh, vende tjera të Evropës Perëndimore janë larg nga kjo.

Vetëm 5% e refugjatëve i bëhet barrë Evropës Perëndimore

Për migracionin si problem global ka bërë fjalë në referatin e tij Roger Zetter, profesor emeritus nga Universiteti i Oksfordit (Angli). Ai, duke pranuar se problemi me refugjatët është real, ka tërhequr vërejtjen nga paniku që kap perëndimorët kur bëhet fjalë për mësymjen masive të refugjatëve në Evropë. Sipas shifrave që ka prezantuar Zetter, vetëm 5 për qind të refugjatëve duan të shkojnë për të kërkuar azil në vendet e Evropës perëndimore ndërsa 95% të tjerë strehohen përkohësisht ë vendet fqinje ose në zonat e sigurta brenda vendeve të tyre.

Zetter është angazhuar për qasje më njerëzore ndaj problemit të refugjatëve dhe ka sjellë përvojat e tij nga puna në projekte të ndryshme me temë migracionin, të zhvilluara në kuadrin e UNHCR-së  gjithandej nëpër botë.

Me një ligjëratë interesante u është drejtuar të pranishmëve kryetari i Këshillit Italian për Refugjatë, Christopher Hein. Duke qenë vetë nga vendi që, për shkak të pozitës gjeografike preket i pari nga vala e refugjatëve, Hein ka bërë një përshkrim prekës dhe të thellë të gjendjes në Itali sa i përket kësaj problematike. “Të mbrohen kufijtë apo të mbrohen njerëzit”, ka qenë titulli i ligjëratës së tij, në të cilën ai ka prekur çështje të mprehta lidhur me refugjatët që preokupojnë Italinë dhe Evropën në këto momente.

Dilema e madhe: Të mbrohen kufijtë apo njerëzit?

Ai ka folur për operacionin e madh të Marinës Italiane të shpëtimit të refugjatëve në Mesdhe “Mare Nostrum”, të cilin Qeveria e Italisë së fundi e ka ndërprerë. Mjerisht, ky operacion është dashur të ndërpritej dhe të zëvendësohej nga operacioni në nivel evropian “Triton”. Ky i fundit, me një buxhet që është trefish më i vogël se ai i “Mare Nostrum” as përafërsisht nuk mjafton për mbrojtjen dhe shpëtimin e refugjatëve. Operacioni i përmendur i ka kushtuar shumë Italisë dhe së fundi ka rënë viktime e suksesit të tij. Ka mbizotëruar ideja se sa më shumë që shpëtoheshin refugjatë, aq më shumë josheshin refugjatë të tjerë që me mjete të dobëta të lundrimit t`ia mësynin detit. Kjo, në vend se të zvogëlonte, e rritte fluksin e refugjatëve. Ndërsa operacioni i BE-së Triton është në radhë të parë i orientuar për mbrojtjen e kufijve detarë të BE-së dhe më pak për mbrojtjen e refugjatëve. Kjo qasje çon te dilema: “të mbrohen kufijtë apo njerëzit”, që ishte edhe titulli i ligjëratës së C. Hein.  

Në debatet në panele që janë mbajtur pas çdo seance, referuesit dhe pjesëmarrësit tjerë janë ballafaquar me pyetjet e organizatorëve dhe të publikut lidhur me temat e referuara. 

Në pauzat mes sesioneve ka kënduar këngëtarja e njohur shqiptare e xhazit me qëndrim në Zvicër, Elina Duni. Ajo, ka prezantuar një numër këngësh të zgjedhura me invencion, kryesisht nga tradita shqiptare.

(Fotot: Alex Uehlinger)