Kosova
Kryediplomati gjerman në Prishtinë: Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së, Kurti vlerëson partneritetin me Gjermaninë
Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, nisi vizitën e tij në Prishtinë me një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku çështjet e sigurisë, dialogut me Serbinë dhe procesi i integrimeve evropiane dominuan diskutimet.
Osmani: Masat e BE-së po dëmtojnë qytetarët kërkohet heqja e menjëhershme
Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e Berlinit për heqjen e masave që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës që nga qershori i vitit 2023, duke i cilësuar ato të padrejta dhe me ndikim të madh negativ për qytetarët.
Ajo paralajmëroi se, derisa Kosova mbetet nën masa, procesi i dialogut i udhëhequr nga BE-ja nuk mund të konsiderohet i balancuar. Osmani ripërsëriti se Kosova synon të anëtarësohet në BE, NATO dhe Këshillin e Evropës si kontribuues, jo si barrë, dhe vlerësoi Gjermaninë si aleatin më të afërt historik të vendit.
Nga ana e tij, Wadephul theksoi se Kosova mbetet një histori suksesi në rajon dhe simbol i demokracisë, por nënvizoi se vendit i duhet sa më parë një qeveri funksionale për të vazhduar proceset e brendshme dhe ato evropiane. Ai rikujtoi se dialogu me Serbinë ka ngecur dhe kërkoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë hapat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti: Partneriteti me Gjermaninë është thelbësor, Kosova meriton statusin e kandidatit për BE
Pas takimit me presidenten, ministri Wadephul u takua edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Kryeministri e falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e qëndrueshme dhe e cilësoi si partner strategjik të Kosovës që nga periudha para pavarësisë.
Kurti theksoi progresin ekonomik dhe demokratik gjatë mandatit qeverisës, duke përmendur rritjen e vazhdueshme ekonomike dhe forcimin e sundimit të ligjit. Ai kërkoi që Komisioni Evropian t’i dorëzojë Kosovës pyetësorin për anëtarësim, duke argumentuar se vendi e meriton statusin e kandidatit për BE.
Kryeministri ngriti edhe çështjen e sigurisë, duke kujtuar se drejtuesi i grupit të armatosur përgjegjës për sulmin në Banjskë ende ndodhet i lirë në Serbi dhe paraqet rrezik për vendin. Ai u shpreh mirënjohës për kontributin e trupave gjermane në kuadër të misionit të KFOR-it.
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar












