Lajme

Kujtesa që bashkon: simboli i gjenocidit në Kosovë në Horën e Arbëreshëvet

Para Këshillit Bashkiak, kryetari z. Rosario Petta prezantoi simbolin e dhuruar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

Në kuadrin e bashkëpunimit të saj me komunitetin e arbëreshëve të Italisë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, me seli në Zvicër, ditë më parë ka mirëpritur në një tubim përkujtimor në Cyrih, kryetarin e Bashkisë së Horës së Arbëreshëve, z. Rosario Petta. Me atë rast zotit Petta i është akorduar një mirënjohje e posaçme si dhe simboli i gjenocidit mbi shqiptarët nga “Qendra…”, shkruan Albinfo.ch.

Siç bën të ditur Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” në një njoftim të saj për media, z. Petta pas kthimit në Itali ka raportuar për këtë vizitë pra Këshillit Bashkiak.

Në vazhdim, teksti i dërguar nga “Qendra…”, gjegjësisht nënkryetari i saj, veprimtari, Adnan Asllani, autor i simbolit të përmendur.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), të mbajtur më 28.01.2026, Kryetari i Bashkisë z. Rosario Petta, raportoi mbi vizitën e tij në Zvicër. Ai ishte i ftuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë Plagë e Hapur” për të marrë pjesë në tubimin përkujtimor kushtuar viktimave të gjenocidit në Kosovë. Me këtë rast kryetari Petta ka mbajtur një fjalim përmbajtjesor. Nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ai është nderuar me mirënjohje e cila është dhënë me këtë motivacion: “Për kontributin e madh dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë treguar arbëreshët e Italisë, duke strehuar të mbijetuarit e gjenocidit që kreu Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe duke këmbëngulur që shteti italian të jepte kontributin e vet në kuadër të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, për t’i dhënë fund këtij gjenocidi.

Shprehim mirënjohje të veçantë për Kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëvet, z. Rosario Petta, i cili me përkushtim ka mbështetur Qendrën “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” dhe misionin e saj për ndiriçimin e krimit të gjenocidit. Përkrahja e tij e vazhdueshme ka forcuar zërin e kujtesës historike dhe ka ndihmuar në ruajtjen e dinjitetit të viktimave dhe të mbijetuarve.” – thuhet në mirënjohjen e dhënë për z. Petta.

Po ashtu atij i është dhuruar simboli i gjenocidit në Kosovë, të cilin ai e ka prezantuar në Këshillin Bashkiak dhe është pritur me emocione.

Në postimin e tij në rrjetin social Facebook, z. Rosario Petta ka shkruar:

PIANA DEGLI ALBANESI

KËSHILLI BASHKIAK

E MËRKURË, 28 JANAR

Gjatë seancës së djeshme, të mërkurën më 28 janar, të Këshillit Bashkiak të Piana degli Albanesi, Kryetari i Bashkisë, Rosario Petta, me kërkesë të posaçme të Këshillit, raportoi mbi angazhimet institucionale të zhvilluara nga data 16 deri më 18 janar në Cyrih (Zvicër), në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe dialogut ndërmjet komuniteteve.

Veçanërisht i ngarkuar me domethënie dhe me rëndësi të madhe ishte momenti kushtuar prezantimit, para Këshillit Bashkiak, të simbolit të dhuruar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.

Bëhet fjalë për një simbol të krijuar nga dizajneri Adnan Asllani, i cili paraqet një lulëkuqe me katër petale, emblemë e viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Ndryshe nga lulekuqet që përdoren si simbol në shumë vende të tjera të botës, katër petalet e logos së projektuar prej tij përfaqësojnë katër format e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë:

  • vrasja;
  • dhuna seksuale;
  • spastrimi etnik;
  • shkatërrimi i pasurive të lidhura me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar.

“Zemra e lulekuqes”, në vend të kokrrizave të zeza tradicionale, paraqet figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e çdo moshe dhe gjinie që kanë qenë viktima të këtij gjenocidi.

Në përmbledhje, forma e petaleve dhe figurat njerëzore simbolizojnë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë ose të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe të të dy gjinive, më shumë se njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion persona të prekur nga spastrimi etnik dhe qindra mijëra shkatërrime të kryera gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.

Veprimtaritë e manifestimeve “NE NUK HARROJMË” (Ne nuk harrojmë) iu kushtuan kujtimit të gjenocidit në Kosovë: një thirrje e fortë për përgjegjësinë e institucioneve në ruajtjen e kujtesës historike, në mbrojtjen e të drejtave të popujve dhe në riafirmimin me vendosmëri të vlerave të paqes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Kujtesa nuk është vetëm përkujtim, por edhe angazhim politik dhe moral ndaj së tashmes dhe së ardhmes.

Kryetari i Bashkisë

Rosario Petta

Gjatë vizitës së z. Rosario Petta në Zvicër ai është pritur gjithashtu edhe nga udhëheqësi i Misionit Konsullor në Zvicër, z. Vigan Berisha, si dhe ka zhvilluar një takim me shoqatat që kanë ndihmuar në vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Horën e Arbëreshëve në vitin 2024.

  1. Petta dhe delegacioni i tij është pritur vëllazërisht e me shumë emocione nga i gjithë komuniteti shqiptar në Zvicër.

 

Postimi i z. Rosario Petta në Facebook:

https://www.facebook.com/share/p/1D7rcSDJ6V/