Kosova

Kur historia dhe identiteti takohen në një shesh

“Zemra jonë rreh mes dy flamujve” – Pritje solemne për Presidenten Vjosa Osmani në Zvicër, me pjesëmarrjen masive të diasporës shqiptare

Në një ditë të shënuar nga solemniteti, emocionet dhe simbolika e përkatësisë së dyfishtë, sheshi historik Bundesplatz në zemër të kryeqytetit zviceran u vesh me ngjyrat e flamurit të Kosovës dhe të Zvicrës, në pritjen zyrtare të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, nga Presidentja e Konfederatës Helvetike, Karin Keller-Sutter.

Ceremonia shtetërore u shoqërua nga pjesëmarrja masive e qytetarëve shqiptarë nga e gjithë Zvicra, përfaqësues të shoqatave, institucioneve dhe organizatave kulturore të diasporës, duke e kthyer këtë moment në një manifestim të qartë të lidhjeve të qëndrueshme mes dy vendeve.


Përtej protokollit diplomatik, ngjarja u përjetua si një akt i fortë afirmimi për komunitetin shqiptar në Zvicër, një komunitet që ruan me dinjitet rrënjët, ndërkohë që kontribuon në shoqërinë e re ku jeton.

Ekipi i Albinfo.ch, platformës mediatike që ndjek nga afër zhvillimet e komunitetit shqiptar në diasporë, ishte i pranishëm në vendngjarje. Duke bashkëbiseduar nga afër  me disa nga pjesëmarrësit në pritjen e zyrtare të presidentes, të cilat ndanë emocionet dhe reflektimet e tyre mbi këtë takim historik, duke dëshmuar se identiteti nuk është vetëm ndjesi personale, por edhe përfaqësim kolektiv.

Qindra shqiptarë nga kantone të ndryshme të Zvicrës, përfaqësues të shoqatave, aktivistë, të rinj dhe familjarë, u bashkuan për të shprehur respektin dhe përkrahjen ndaj shtetit të Kosovës. Në këtë ngjarje të veçantë, pjesëmarrja e diasporës shqiptare nuk ishte pasive, por aktive, simbolike dhe e përfshirë emocionalisht.

“Zvicra më mësoi të lulëzoj, Kosova më kujton kush jam”

Teuta Kryeziu, Këshilltare për Familje dhe Integrim dhe zë i fuqishëm i gruas shqiptare në diasporë, e përshkroi këtë ditë si një përqafim të padukshëm mes dy botëve të saj: “Zvicra më ka dhënë mundësinë të rritem si profesioniste, si nënë, si grua e angazhuar. Por Kosova më kujton gjithmonë kush jam dhe nga vij. Sot ndjeva për herë të parë se këto dy dashuri bashkëjetojnë me dinjitet. Prania e Presidentes Osmani, thjeshtësia dhe përulësia e saj, më përfaqësoi jo vetëm si qytetare, por si grua shqiptare që nuk ka hequr dorë nga rrënjët e veta.”

Një përmbushje emocionale dhe simbolike për diasporën

Lumturije Preteni, juriste me vite kontribut në Zvicër që prej vitit 1999, foli për një ndjesi shpirtërore të thellë: “M’u duk se një pjesë e artë e Kosovës erdhi për të bekuar popullatën kosovare në Zvicër. Sot i thashë vetes: ‘E kam arritur këtë ndjenjë përmbushjeje.’ Zonja Presidente është presidente e zemrave.”

Një moment historik në marrëdhëniet bilaterale

Për Agim Pepajn, përfaqësues i Shoqatës “Gjergj Kastrioti” dhe figurë aktive në promovimin e kulturës shqiptare në Zvicër, kjo vizitë është shumë më tepër se një akt ceremonial:“Kjo është një datë që duhet të shënohet në kalendarin e marrëdhënieve Kosovë–Zvicër. Është fryt i viteve të bashkëpunimit, respektit dhe ndihmës së ndërsjellë. Zvicra nuk ka qenë vetëm vend strehimi për ne, por edhe aleat në rrugën drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës.”

Gratë në diasporë – mbrojtëset e trashëgimisë dhe bashkëjetesës

Arbenita Zeka Surdulli, kryetare e Shoqatës Kulturore “Bashkimi”, përfaqësoi zërin e shumë grave që për vite të tëra kanë mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe ndjeshmërinë kombëtare: “Fakti që dy presidente qëndruan krah për krah – një simbolikë e fortë për ne. Ne, gratë në diasporë, kemi punuar për të ruajtur gjuhën, identitetin dhe për të ushqyer ndjenjën e përkatësisë te fëmijët tanë. Sot, me dorëzimin e dhuratave simbolike, kemi përcjellë mirënjohjen dhe dinjitetin tonë si gra që nuk harrojnë rrënjët.”

“Aromë vendlindjeje në zemrën e Zvicrës”

Edhe Besë Krasniqi, pjesëmarrëse në ngjarje dhe e angazhuar në projekte komunitare, foli për një ditë të paharrueshme: “Ishte një ditë që e kisha ëndërruar. Të shohësh shtetin tënd të përfaqësuar me dinjitet në një vend si Zvicra, të sjell aromë vendlindjeje, mall të zbutur dhe një lot gëzimi. Presidentja Osmani, me thjeshtësi dhe forcë të brendshme, na përfaqësoi si komb, si gra dhe si diasporë.”

Më shumë se një ceremoni – një histori për bashkëjetesën dhe përkatësinë

Kjo ditë përbën më shumë se një pikë në axhendën diplomatike,  ajo është një faqe e re në historinë e lidhjeve mes shqiptarëve dhe Zvicrës. Në një vend ku integrimi nuk është vetëm fjalë, por realitet i jetuar, shqiptarët kanë ndërtuar komunitete të forta, kanë ruajtur identitetin dhe njëkohësisht kanë kontribuar në zhvillimin e shoqërisë ku jetojnë.

 

Albinfo.ch, si platformë që dokumenton jetën, zërin dhe përvojat e diasporës shqiptare, do të vazhdojë të sjellë rrëfime si ky  sepse historia e diasporës është histori e kombit. Dhe zemra e saj rreh fort  mes dy flamujve.